Kërko

Kardinali Matteo Zuppi Kardinali Matteo Zuppi

Kardinali Zuppi, i dërguar nga Papa, me mision diplomatik në Uashington

Pas vizitës së qershorit në Kiev dhe në Moskë, kryeipeshkvi i Bolonjës pritet në kryeqytetin amerikan, nga data e sotme, 17 korrik, deri të mërkurën, 19 korrik. Qëllimi është të mbështeten nismat humanitare për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve më të prekur nga lufta në Ukrainë, deklaron Selia e Shenjtë

R.SH. – Vatikan

Kardinali italian Matteo Zuppi vazhdon misionin e tij diplomatik për çështjen e luftës në Ukrainë. Selia e Shenjtë njoftoi sot, 17 korrik, se kryeipeshkvi i Bolonjës, njëkohësisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI) pritet në Uashington nga 17 deri më 19 korrik për një udhëtim të ri në favor të paqes, pas atij në Kiev e në Moskë. I shoqëruar nga një funksionar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, i dërguari i Papës Françesku do të përpiqet të japë ndihmesën e tij në një dialog të mundshëm ndërmjet palëve.

Nismë humanitare

“Kjo vizitë është pjesë e misionit për të promovuar paqen në Ukrainë dhe synon shkëmbimin e ideve dhe të opinioneve për situatën aktuale tragjike, si edhe mbështetjen e nismave në fushën humanitare për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve më të prekur dhe më të brishtë, veçanërisht të fëmijëve”, pohohet në një deklaratë të Selisë së Shenjtë.

Misioni i kardinalit Zuppi, në emër të Papës Françesku, ka të bëjë kryesisht me dy çështje: shkëmbimin e të burgosurve dhe riatdhesimin e fëmijëve ukrainas të dërguar me forcë në Rusi, pas luftimeve në Ukrainë. Gjatë udhëtimit të tij në Kiev, në fillim të qershorit, kreu i ipeshkvijve italianë u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe bëri një vizitë në qytetin martir të Boutcha-s, jo shumë larg kryeqytetit. Tri javë më vonë, i dërguari i veçantë i Papës arriti të takohej me Patrikun ortodoks Kirill,  në Moskë.

17 korrik 2023, 12:30