Kërko

San Tommaso D'Aquino, BAV Vat. lat. 797, f. 1r San Tommaso D'Aquino, BAV Vat. lat. 797, f. 1r

Kard. Semeraro: Shën Toma i Akuinit, ose "kundrimi i studimit"

Në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Papës, kardinali Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, kryesoi Meshën në Abacinë e Fossanova-s, Itali, ditën kur, 700 vjet më parë, shpallej shenjt autori i "Summa", të cilit Françesku kohët e fundit i kushtoi një letër

R.SH. / Vatican News

E patën quajtur, ndërmjet dashurisë dhe ironisë, "kau i Siçilisë" për pamjen e njeriut që, me sa duket, pëlqente më shumë heshtjen, sesa biseden, e mendjen e kishte kushedi se ku. Si i ri, një nga mësuesit e kishte mbrojtur nga ajo tallje, duke pohuar se një ditë “zëri i kaut” do të dëgjohej deri në skajet më të largta të botës. Kështu ndodhi me Tomën e Akuinit, një nga mendjet më të ndritura teologjike në historinë e Kishës, të cilin më 18 korrik, 700 vjet më parë, Papa Gjoni XXII e shpalli Shenjt me bulën Redemptionem misit.

"Mjeshtri i shpirtit"

Mjeshtër, pa dyshim. Por si e praktikoi Toma i Akuinit shkencën e tij? Këtë pyeti kardinali Marcello Semeraro, i cili dje pasdite, 18 korrik, e kujtoi Shën Tomën nën kupolën e Abacisë së Fossanova-s, në Itali, vendi ku Doktori Engjëllor kaloi ditët e fundit të jetës e ku edhe i mbylli sytë për dritën e kësaj bote në vitin e largët 1274. Në Meshën kremtuar me rastin e 700-vjetorit të shenjtërimit, prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve kujtoi, gjatë predikimit,  kushtuar Shën Tomës së Akuinit, faktin se gjithçka që studionte, e meditonte "me fe të zjarrtë". Prandaj mund të themi se sjellja e tij nuk ishte thjeshtë kapardisje intelektuale, por përulësi e thellë e një mësuesi, që nuk e bëri asnjë hap në studimet e tij, pa dëgjuar më parë "Mësuesin shpirtëror", Shpirtin Shenjt, dritën, që i përgatit "zemrat" për të marrë “doktrinën e së vërtetës”.

Heshtje absolute

“Studim dhe soditje, pra: jo dy operacione të shkëputura, por - vuri në dukje kardinali Semeraro - një akt i vetëm ku inteligjenca dhe dashuria shkrihen në një gjë të vetme. Është “Itinerarium in Deum” për të cilin “Shën Toma është rast emblematik”. Kjo,  arsyeja pse, në kërkimin e vazhdueshëm të soditjes së Zotit - e pavarësisht nga thellësia teologjike e faqeve ende sot e kësaj dite të patejkalueshme - Doktori i ardhshëm i Kishës, kujtoi Kardinali - prefekt, ditët e fundit të jetës, pati pohuar: "Gjithçka kam shkruar deri tani, nuk më duket tjetër, veçse kashtë".  Nuk bëhej fjalë edhe aq për "rraskapitje fizike e edhe psikologjike" – vërejti kardinali Semeraro - i cili më tej citoi, për të shpjeguar ato heshtje të gjata të fratit domenikan, përgjigjen e Antonin-Dalmace Sertillanges, një nga tomistët më të mëdhenj modernë: "Kur e vështira realizohet lehtësisht, atëherë shikohet e pamundura, kështuqë për ne njerëzit, heshtja është kondensimi më i lartë i shkencës".

Letra e Papës

29 qershorin e kaluar, në një Letër drejtuar ipeshkvijve të Latinës, Soras dhe Frosinones me rastin e tre përvjetoreve të Shën Tomës Aquinas - 700 vjetorit të shenjtërimit, 750 vjetorit të vdekjes dhe 800 vjetorit të lindjes - Papa Françesku i ftoi të ulen në shkollën e Doctor Angelicus, të cilin e quante 'gurrë' dhe pasuri e çmuar për Kishën.

19 korrik 2023, 12:04