Kërko

Dialogu me Kinën - katolikët luten para Bazilikës të Zojës së Sheshanit, në Shangai Dialogu me Kinën - katolikët luten para Bazilikës të Zojës së Sheshanit, në Shangai  

Kard. Parolin: Papa emëron ipeshkvin e Shangait për të mirën e dioqezës dhe të dialogut

Në një intervistë për mediat e Vatikanit, Sekretari i Shtetit, Kardinali Parolin, shpjegon arsyet e emërimit të Imzot Shen Bin, "bari i nderuar", ripohon gatishmërinë e Kishës Katolike për dialog dhe shpreson se do të hapet një zyrë e qëndrueshme ndërlidhëse me Selinë e Shenjtë në Kinë

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi sot ipeshkëv të Shangait, në territorin e Kinës, Imzot Joseph Shen Bin, duke e transferuar nga dioqeza e Haimen, provinca Jiangsu. Mbi këtë vendim dhe mbi zhvillimet e mundshme të dialogut ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe autoriteteve të Republikës Popullore të Kinës, Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, dha intervistën e mëposhtme për mediat e Vatikanit:

Shkëlqesia Juaj, Selia e Shenjtë njoftoi vendimin e Papës për emërimin e Kryeipeshkvit Joseph Shen Bin, ipeshkëv i Shangait, disa kohë pasi vetë ipeshkvi ishte transferuar de facto atje, nga Dioqeza e Haimenit. Pse ndodhi e gjithë kjo dhe çfarë kuptimi ka gjesti i Papës Françesku?

Për të shpjeguar atë që ndodhi, më duket e dobishme të kujtoj precedentët dhe rrethanat e çështjes. Siç do t’ju kujtohet, Marrëveshja e Përkohshme për emërimin e Ipeshkvijve në Kinë më 22 tetor 2022 u zgjat edhe për dy vjet të tjera. Rreth një muaj më vonë, Selia e Shenjtë duhej të shprehte habinë dhe keqardhjen për lajmin e caktimit të Shkelqesisë së Tij Imzot Giovanni Peng Weizhao, ipeshkëv i Yujiang, si Ndihmës i Dioqezës së Jiangxi, ndonëse i panjohur nga Selia e Shenjtë dhe pa u këshilluar e pa e informuar me këtë të fundit. Për sa i përket Shangait, Selia e Shenjtë është informuar lidhur me vendimin e miratuar nga autoritetet kineze për emërimin e Shkëlqesisë së Tij, Imzot Giuseppe Shen Bin, ipeshkëv i Haimenit, por, edhe një herë, ajo nuk pati as këshillim e as njoftim! Vendimi për të mos u ngutur përpara se të komentohej publikisht rasti, lidhet me nevojën për të vlerësuar me kujdes situatën baritore të Dioqezës së Shangait, e cila njihej nga Selia e Shenjtë, ishte pa ipeshkëv për një kohë të gjatë, dhe kishte mundësi për ta transferuar Imzot Shen Bin, Bari i nderuar

Të dyja transferimet u bënë pa përfshirjen e Selisë së Shenjtë. Ky modus procedendi duket se nuk merr parasysh frymën e dialogut dhe të bashkëpunimit të krijuar ndër vite ndërmjet Vatikanit dhe palës kineze, që gjeti një pikë referimi në Marrëveshje. Ati i Shenjtë Françesku vendosi, megjithatë, ta korrigjojë parregullsinë kanonike të krijuar në Shangai, në funksion të së mirës më të madhe të Dioqezës dhe ushtrimit të frytshëm të shërbesës baritore të ipeshkvit. Synimi i Atit të Shenjtë në thelb është baritor dhe do të lejojë Kryeipeshkvin Shen Bin të punojë me qetësinë më të madhe për të nxitur ungjillëzimin dhe bashkimin kishtar. Në të njëjtën kohë, shpresojmë se ai do të jetë në gjendje, në marrëveshje me Autoritetet, të favorizojë një zgjidhje të drejtë dhe të mençur për disa çështje të tjera që kanë mbetur pezull prej disa kohësh në Dioqezë, si p.sh. dy ipeshkvijtë ndihmës, Shkëlqesia e Tij Taddeo Ma Daqin, ende i penguar, dhe  Kryepeshkopi Joseph Xing Wenzhi, në pension.

Duke respektuar natyrën e tekstit, a mund të na thoni se çfarë parashikon Marrëveshja e Përkohshme në këtë drejtim, ose të paktën nëse parashikohen raste të tilla?

Siç dihet, Marrëveshja e përkohshme për emërimin e ipeshkvijve në Kinë u përcaktua ndërmjet palëve më 22 shtator 2018 me një vlefshmëri dyvjeçare dhe më pas u rinovua dy herë, e para në 2020 dhe e dyta në 2022. Teksti është konfidencial sepse ende nuk është miratuar përfundimisht. Ai sillet rreth parimit themelor të konsensualitetit të vendimeve në lidhje me ipeshkvijtë. Nëse lindin situata që duken të reja dhe të paparashikuara, duhen zgjidhur me mirëbesim dhe largpamësi, duke rilexuar më mirë atë që u shkrua dhe duke u frymëzuar nga parimet që udhëhoqën hartimin e shkrimit. Prandaj po përpiqemi ta sqarojmë këtë pikë në një dialog të hapur dhe në një ballafaqim të respektueshëm me palën kineze. Duke besuar në urtësinë dhe vullnetin e mirë të të gjithëve, shpresojmë të arrijmë në përfundime pozitive, të dobishme për të vazhduar rrugëtimin e për të kapërcyer çdo vështirësi.

A besoni se transferimet e njëanshme të ipeshkvijve do të përsëriten në Kinë? E edhe se është e rëndësishme që emërimi i ipeshkvijve në Kinë të bëhet me marrëveshje dypalëshe?

Fillimisht, dua të them se transferimet e ipeshkvijve nga një dioqezë në tjetrën nuk janë anomali kanunore, por dispozita që kanë të bëjnë, si të thuash, me "fiziologjinë" e qeverisjes së Kishës në mbarë botën, kur, padyshim, këtë e kërkojnë nevojat baritore dhe, në fund të fundit, e mira e shpirtrave. Edhe në Kinë, nëse një kandidat i përshtatshëm nuk gjendet në dioqezën vakante, është e mira ta kërkojmë dikund tjetër. Në këtë kuptim, Selia e Shenjtë nuk është kundër transferimit të ipeshkvijve në Kinë. Problemi do të lindte nëse do të vepronim në mënyrë jo konsensuale. Sipas mendimit tim, zbatimi i drejtë i Marrëveshjes shmang vështirësi të tilla. Prandaj është e rëndësishme, madje do të thosha e domosdoshme, që të gjitha emërimet ipeshkvnore në Kinë, përfshirë transferimet, të bëhen me marrëveshje, siç është rënë dakord, dhe duke mbajtur gjallë frymën e dialogut ndërmjet Palëve. Ne duhet t’i parandalojmë së bashku situatat joharmonike, që krijojnë mosmarrëveshje dhe keqkuptime edhe brenda bashkësive katolike. Zbatimi i mirë i Marrëveshjes është një nga mjetet për ta bërë këtë, së bashku me dialogun e sinqertë.

Cilat tema të tjera do të ishte e rëndësishme t’i trajtonin së bashku të dyja palët dhe pse?

Ka shumë tema që duhen trajtuar urgjentisht, sepse të shumta janë edhe situatat komplekse dhe pyetjet papërgjigje në Kishën e Kinës. Përmend vetëm tre: Konferencën Ipeshkvnore; komunikimi i ipeshkvijve kinezë me Papën; ungjillëzimi. Para së gjithash, Selia e Shenjtë dëshiron të shohë rritjen e përgjegjësisë së ipeshkvijve në drejtimin e Kishës në Kinë dhe për këtë është e nevojshme të njihet sa më shpejt të jetë e mundur një Konferencë Ipeshkvnore e pajisur me statute të përshtatshme për natyrën e saj kishtare dhe misionin baritor. Në këto rrethana, duhet të vendoset një komunikim i rregullt ndërmjet ipeshkvijve kinezë dhe ipeshkvit të Romës, i domosdoshëm për bashkimin, duke ditur se e gjithë kjo i përket strukturës dhe doktrinës së Kishës Katolike, të cilën autoritetet kineze gjithmonë kanë thënë se nuk duan ta ndryshojnë. Në fakt, duhet thënë se shumë dyshime e ngadalësojnë dhe e pengojnë punën e ungjillëzimit: katolikët kinezë, edhe të quajturit “klandestinë”, meritojnë besim, sepse duan të jenë sinqerisht qytetarë besnikë dhe t’u respektohet ndërgjegjja dhe feja e tyre. Që Ungjilli të përhapet me hirin e tij të plotë dhe me dashuri, duke dhënë fryte të mira në Kinë dhe për Kinën, dhe që Jezu Krishti të "bëhet kinez me kinezët", është e nevojshme të kapërcehet mosbesimi ndaj katolicizmit, i cili nuk është fe që konsiderohet e huaj - aq më pak në kundërshtim – për e me kulturën e atij populli të madh. Do të jetë gëzim i madh për ne kur kjo të bëhet realitet dhe ju rrëfej se personalisht i lutem Zotit çdo ditë për këtë qëllim.

Si e shihni të ardhmen e dialogut ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe autoriteteve të Republikës Popullore të Kinës?

Fillimisht dua të sqaroj se pranova ta jap këtë intervistë, sepse besimtarët katolikë, e jo vetëm ata në Kinë, kanë të drejtë të informohen në mënyrë të përshtatshme. Kam marrë shumë kërkesa në këtë drejtim nga bashkësi të ndryshme kishtare dhe njerëz të interesuar sinqerisht për të. Prandaj, shpresoj se fjalët e mia do të jenë të dobishme në këtë kuptim dhe do të ndihmojnë për të sqaruar dhe për t’i zgjidhur vështirësitë. Jam i vetëdijshëm se pengesat në rrugë e minojnë besimin dhe i ligështojnë  energjitë pozitive. Megjithatë, arsyet e dialogut më duken edhe më të forta. Në të vërtetë, dialogu ndërmjet palës së Vatikanit dhe palës kineze mbetet i hapur dhe besoj se, në një farë mënyre, është rrugë e detyrueshme. Që ka ka probleme, kjo është e pashmangshme, por nëse ky dialog rritet në atmosferën e së vërtetës dhe respektit reciprok, mund të jetë i frytshëm për Kishën dhe për shoqërinë kineze. Për ta bërë atë më të rrjedhshëm dhe më të frytshëm, më duket se hapja e një zyre të qëndrueshme ndërlidhëse të Selisë së Shenjtë në Kinë do të ishte jashtëzakonisht e dobishme. Marr guximin të shtoj se, për mendimin tim, një prani e tillë jo vetëm që do të favorizonte dialogun me autoritetet civile, por do të kontribuonte gjithashtu në pajtimin e plotë brenda Kishës Kineze dhe udhëtimin e saj drejt një normaliteti të dëshirueshëm.

Shërbimi i frymëzuar nga Ungjilli dhe jo nga interesat ekonomiko-politike, që Kisha, pikërisht si katolike, u bën popujve dhe përparimit të tyre njerëzor, shpirtëror e material, është para syve të të gjithë vëzhguesve të ndershëm. Siç është nënvizuar tashmë nga Papa Benedikti XV në Letrën Maximum illud, të datës 30 nëntor 1919: "Kisha e Zotit është katolike dhe nuk është e huaj për asnjë popull apo komb". Unë gjithashtu dëshiroj të nënvizoj se Kisha Katolike ka ende shumë për t'i dhënë Kinës dhe se Kina ka shumë për t'i dhënë Kishës Katolike.

Si përfundim, ne kemi nënshkruar një Marrëveshje e cila mund të përkufizohet si historike por që, megjithëkëtë, duhet të zbatohet në tërësi dhe në mënyrën më korrekte të mundshme. Sot, në çastin vendimtar të zbatimit, na duhet vullneti i mirë, konsensusi dhe bashkëpunimi që na lejoi të hynim në këtë pakt largpamës! Selia e Shenjtë është e vendosur të bëjë pjesën e saj, në mënyrë që udhëtimi të vazhdojë.

15 korrik 2023, 14:07