Kërko

Robert Francis Prevost, prefetto del Dicastero per i vescovi, tra i nuovi cardinali nel Concistoro del 30 settembre  (Vatican Media) Robert Francis Prevost, prefetto del Dicastero per i vescovi, tra i nuovi cardinali nel Concistoro del 30 settembre (Vatican Media)

Imzot Prevost: nga Papa, një përgjegjësi e re, bashkimi dhe uniteti, përparësi të misionit

Agustiniani amerikan, i emëruar në janar në krye të Dikasterit të Ipeshkvijve në Vatikan, Imzot Robert Prevost komenton njoftimin e së dielës së kaluar të Papës për Koncistorin e ri: “Ishte një e papritur! Po ndiqja fjalimin e Françeskut, kur dëgjova emrin tim. Ishte i pari”. Në prag të 30 shtatorit, ditës kur fillon Sinodi “e shoh këtë emërim si pjesë të shpirtit sinodal që dëshiron ta jetojë Kisha mbarë"

R.SH. / Vatican News

Motoja e tij do të jetë po ajo, që e zgjodhi si ipeshkëv "In Illo uno unum", (Në të Vetmin, jemi një gjë e vetme) fjalë që Shën Agustini i pati shqiptuar gjatë një predikimi mbi Psalmin 127, për të shpjeguar se "ne të krishterët vërtet jemi shumë, po në një Krisht jemi një". Fjalë, këto, që Imzot Robert Prevost, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë, Augustinian, ndërmjet 21 kardinajve që Françesku do t’i krijojë në koncistorin e 30 shtatorit, shpallur të dielën e kaluar gjatë Engjëllit të Tënzot, dëshiron të vazhdojë t'i bëjë të tijat, për t’i shërbyer bashkimit dhe unitetit në Kishë.

Duke folur në Vatican News - Vatican Radio, Imzot Prevost nuk e fsheh habinë që e pushtoi të dielën e kaluar, kur dëgjoi se Papa e renditi në listën e emrave të kardinajve të rinj. Ipeshkvi amerikan do të jetë 68 vjeç kur të marrë nga dora e Papës kësulën e kuqe të kardinalit, simbol i derdhjes së gjakut për Krishtin! Ngjarje tejet e madhe për të, pas misioneve baritore në Peru, detyrave të ndryshme në Urdhrin e Shën Agustinit - ku ishte epror i përgjithshëm nga viti 2001 deri në 2013 - emërimit ipeshkëv i Chiclayo. Më 30 janar të këtij viti, Françesku e thirri në krye të Dikasterit të Ipeshkvijve, ku e mori detyrën më 12 prill. Rreth tre muaj pasi nisi detyrën e re, e papritura e zgjedhjes për të qenë anëtar i Kolegjit të Kardinajve.

Ta ndjekim intervistën me Imzot Robert Prevost

Si e mësuat lajmin e koncistorit, në të cilin do të krijoheni kardinal nga Papa Françesku?

Ishte vërtet një e papritur. Vetëm tre muaj më parë erdha në Romë e nuk e   mendoja se Papa do ta bënte këtë njoftim. Po ndiqja fjalimin e tij dhe, papritmas, dëgjova emrin tim, i pari në listë. Menjëherë mendova se duhet të lutem, ta falënderoj Papën për këtë besim dhe më pas të shpresoj - gjë që nis qysh kur më emëroi prefekt të Dikasterit të Ipeshkvijve - që të mund t'i përgjigjem këtij besimi, me besim!

Pra, çfarë menduat në ato çaste?

U befasova... sigurisht u ndjeva i lumtur për misionin që m’u besua - gjë shumë e bukur - dhe në të njëjtën kohë, me nderim dhe frikë të shenjtë mendova: “Shpresoj t'i përgjigjem kësaj thirrjeje të re! Është përgjegjësi tejet e madhe, si atëhere kur Papa më thirri në Romë si prefekt. Në atë rast kisha emocione të forta, pasi më duhej të lija gjithçka jetoja dhe veproja në Peru. Tani ky është një nivel krejtësisht tjetër, por unë e shoh si vazhdimësi të   misionit, që vendosi të ma ngarkojë Papa.

Me çfarë ndjenjash po përgatiteni tani për Koncistorin e 30 shtatorit?

Jam në kulmin e punës, kështuqë nuk e kam menduar aq hollë! Dje  dëgjova dy vëllezërit e mi, që duan të vijnë dhe do të jetë shumë bukur ta përjetojmë këtë çast edhe me njerëzit e dashur. Nuk kam menduar ende si të përgatitem. 30 shtatori është edhe dita e fillimit të Sinodit dhe këtë emërim e shoh si pjesë të frymës sinodale që dëshiron të jetojë e gjithë Kisha.

Ju jeni Augustinian: si e shikon përshpirtëria Augustiniane shërbesën tuaj?

Mund të themi gjëra të ndryshme... Siç shihet dhe nga motoja ime ipeshkvnore, uniteti dhe bashkimi janë pjesë e karizmës së urdhrit të Shën Agustinit, por edhe e mënyrës sime të të vepruarit dhe të të menduarit. Mendoj se është shumë i rëndësishëm promovimi i bashkimit në Kishë dhe ne e dimë mirë se bashkimi, pjesëmarrja dhe misioni janë tri fjalët kyçe të Sinodit. Pra, si një Augustinian, promovimi i unitetit dhe i bashkimit është themelore për mua. Shën Agustini flet shumë për unitetin në Kishë, e edhe për nevojën që të jetohet, për faktin se uniteti është garanci për dëgjimin e Ipeshkvit të Romës, për pjesëmarrjen në Kishën e Romës. Edhe në këtë kuptim, prandaj, thirrjen e re të Papës e ndjej si mënyrë për ta jetuar unitetin tim, pjesëmarrjen në Kishë, në dëgjesë të Atit të Shenjtë. Edhe kjo është shumë agustiniane.

Sa i frymëzon figura e Agustinit zgjedhjet, hapat, shërbimin tuaj në Kishë?

Shën Agustini është, sigurisht, figurë e madhe jo vetëm për Urdhërin, por për të gjithë. Do të doja të kisha më shumë kohë për ta studiuar dhe për ta lexuar. Ka shumë për t'i ofruar Kishës, madje edhe Kishës së ditëve tona! Atëherë është e rëndësishme ajo që thashë më parë: unitet në Kishë dhe besnikëri ndaj ipeshkvit të Romës, duke u përpjekur gjithmonë  për të mbrojtur bashkimin. Unitet i gjallë në Kishë, që këshillon Agustini, do të thotë të jetosh i bashkuar në Krishtin.

12 korrik 2023, 13:13