Kërko

La berretta cardinalizia che verrà consegnata ai nuovi porporati  (Vatican Media) La berretta cardinalizia che verrà consegnata ai nuovi porporati (Vatican Media)
Editorial

E papritura e Françeskut dhe kardinajtë në botë

Duke festuar koncistorin në shtator, Papa deshi që e gjithë vëmendja në muajin pasardhës të përqendrohej tek Sinodi. Domethënëse, zgjedhja e ipeshkvijve të kufijve të largët, por edhe përfshirja e nuncit në Shtetet e Bashkuara

R.SH. / Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Shumëkush ishte i bindur se viti 2023 - pikërisht kur Françesku do të festonte dhjetë vjet papnie (ishte 13 marsi i vitit  2013, kur Kardinali Jorge Mario Bergoglio ulej në fronin e Shën Pjetrit) - do të përfundonte me një koncistor për kardinaj të rinj. Por askush nuk e priste në korrik njoftimin për "krijimin" e 21 kardinajve në fund të shtatorit, në prag të fillimit të të parit nga dy Sinodet mbi sinodalitetin.

Duke lexuar listën me 21 emra, 18 prej të cilëve janë më pak se tetëdhjetë vjeçarë dhe, si pasojë, me të drejtë vote në konklavet të mundshme, të bien në sy kardinajtë e rinj në Selinë e Shenjtë (për shembull, tre prefektët e rinj të dikastereve të rëndësishme kuriale: atij të ipeshkvijve, të Kishave Lindore dhe të Doktrinës së Fesë) dhe në botë (për shembull  kryeipeshkvi i ri i Madridit dhe ai i  Bogotas).

Njëheresh me “surprizat”, në përkim me zgjedhjet e bëra nga Pasardhësi i Pjetrit deri më sot. Dy nuncë me të drejtë zgjedhore përbëjnë risinë më domethënëse. Emërim i cili na kujton koncistorin e nëntorit 2016, kur Mario Zenari, ambasador i Papës në Siri, ku ndodhet akoma, u krijua kardinal. Në këtë rast, të dy: Emil Paul Tscherrig, 76 vjeç, nunc apostolik në Itali dhe Christophe Pierre, 77 vjeç, nunc në Shtetet e Bashkuara, tani janë prelatë drejt fundit të shërbimit të tyre diplomatik. Vlen të përmendet veçanërisht përfshirja e Imzot Pierre, njeri me ekuilibër të madh, i cili ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm duke bashkëpunuar me Françeskun në zgjedhjen e ipeshkvijve të rinj për Kishën Amerikane.

Pastaj të habit kësula e kuqe për Pierbattista Pizzaballën, patriarku i parë latin i Jeruzalemit. Kisha “nënë” e Qytetit të Shenjtë,  Kisha Latine e asaj Toke, e cila vazhdon të jetë tokë urrejtjesh, përplasjesh dhe dhune, tani ka një dalazotës më shumë për t'u përfshirë në qeverisjen e Kishës universale në bashkëpunim me Papën.

Purpuri për Stephen Mulla-n, kryeipeshkëv i Juba-s, në Sudanin e Jugut, vend i vizituar nga Françesku shkurtin e kaluar, për Stephen Brislin, kryeipeshkëv i Cape Town, në Afrikë si dhe për Protase Rugambwa,  kryeipeshkëv i Taborës në Tanzani, është domethënës, parë si vëmendje ndaj periferive dhe kufijve të largët. Kishat dhe ajo e: tre selitë metropolitane afrikane do të kenë një kardinal për herë të parë.

Vlen të përmendet gjithashtu përfshirja ndër zgjedhësit e ipeshkvit të ri të Hong Kongut, Stephen Chow Sau-Yan dhe Rektorit të Madh të Salezianëve, Ángel Fernández Artime. Ndërsa ndërmjet moshave mbi tetëdhjetë vjeç janë ish-nunci dhe ish-sekretari i Këshillit Papnor për kujdesin baritor të emigrantëve dhe endacakëve, Agostino Marchetto,  studiues i Koncilit II Ekumenik të Vatikanit dhe kapuçini i moshuar argjentinas, Luis Dri, rrëfyes: të dy të njohur nga Françesku përpara zgjedhjes së tij papnore.

Me koncistorin e 30 shtatorit, numri i kardinajve zgjedhës në rast të një konklavi, do të jetë 137. Shumë përmbi numrin 120, vendosur nga Pali VI, por që tashmë është tejkaluar në disa raste edhe nga Gjon Pali II dhe Benedikti XVI. Sipas statistikave të fundshtatorit, Evropa të ketë 53 votues (15 prej të cilëve italianë); 15 votues në Amerikën e Veriut (11 për SHBA, 4 për Kanadanë); 24 votues për Amerikën Latine, 19 votues për Afrikën; 23 votues për Azinë dhe 3 votues për Oqeaninë.

10 korrik 2023, 12:25