Kërko

Illustration shows Google, Microsoft and Alphabet logos  (REUTERS) Illustration shows Google, Microsoft and Alphabet logos (REUTERS)

E ardhmja e universiteteve katolike në epokën e Inteligjencës Artificiale (AI)

Universiteti dhe inteligjenca artificiale: Kard. Tolentino de Mendonça, "risimi dhe ndërgjegjësimi për të fituar sfidën e algor-etikës. Përdorimi i inteligjencës artificiale me kreativitet dhe përgjegjësi".

R.SH. / Vatican News

Prefekti i Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Arsimin, Kardinali José Tolentino de Mendonça foli gjatë një takimi për të ardhmen e universiteteve katolike, mbajtur në Universitetin e Zemrës së Krishtit (13 dhe 14 korrik), në Milano, organizuar nga Sacru - Aleanca Strategjike e Universiteteve Kërkimore Katolike. Rinovimi dhe ndërgjegjësimi - kujtoi - janë dy fjalë kyçe që duhet të drejtojnë zbatimin e teknologjive në kërkimin shkencor. E duhet edhe të rrezikojmë, sepse universitetet nuk janë "flluska të papërshkueshme të realitetit".

Ndjehet fort nevoja që universitetet, në veçanti katolikët, "të përtërihen në mënyrë që t’u përgjigjen sfidave të reja të  krijuara nga inteligjenca artificiale, duke ruajtur me vendosmëri vetëdijen për identitetin dhe origjinën e tyre". Këtë pohoi Kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit të Kulturës dhe Arsimit të Vatikanit, duke hapur dje punimet e konferencës, titulluar “E ardhmja e universiteteve katolike në epokën e Inteligjencës artificiale (AI)

Takimi ndërkombëtar, organizuar nga rrjeti Sacru, i përbërë nga tetë universitete katolike prej katër kontinenteve, nisi dje e vijon edhe sot në kampusin e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, në Milano. Për Tolentinon, "pyetja e madhe që qëndron pas inteligjencës artificiale vazhdon të jetë antropologjike".

Duke kujtuar fjalët e Papës, prefekti i dikasterit të Vatikanit nënvizoi se  "kufiri i vërtetë do të jetë gjithnjë e më shumë ai i algor-etica - etikës algoritme: inteligjenca artificiale nuk është neutrale, por nënkupton nevojën për të pasur trupa të ndërmjetëm shoqërorë që përfaqësojnë ndjeshmërinë etike të studiuesve, pedagogë dhe shkencëtarë. Bota teknologjike është gjithnjë e më komplekse dhe ky aspekt nuk mund të lihet në ndjeshmërinë e individit”.

“Inteligjenca artificiale”, nënvizoi nga ana e tij Zlatko Skrbis, kryetar i Sacru dhe i Universitetit Katolik Australian, është sektor që “do të rritet me 38% deri në vitin 2030, kur tregu i tij global pritet të jetë mbi 1.5 trilion dollarë. Një rritje e vrullshme dhe e vazhdueshme, që do të revolucionarizojë çdo aspekt të së përditshmes sonë: arsimin, mjekësinë, punën, luftën kundër ndryshimeve klimatike”. “Personalisht besoj se nuk duhet të kemi frikë nga mjetet e reja teknologjike, por të mësojmë t’i përdorim me mençuri risitë për të ndërtuar shtigje të reja mësimore dhe kërkimore – kujtoi rektori i Universitetit Katolik Franco Anelli – Sfidat e mëdha globale të kohës sonë e kanë bërë urgjente formulimin e mënyrave të reja të të menduarit”.

14 korrik 2023, 12:15