Kërko

 Don Mark Pashkja, portavoce Conferenza Episcopale Albanese Don Mark Pashkja, portavoce Conferenza Episcopale Albanese

Dom Mark Pashkja: ipeshkvinjtë shqiptarë në Sinodin e ardhshëm

Dom Mark Pashkj pohon se "pritet me mjaft interes pjesëmarrja e dy ipeshkvinjtë shqiptarë në Sinodin e ardhshëm dhe mënyra se si ky Sinod dhe pastaj Kisha në përgjithësi do të arrijë të ndërthurë në mënyrë harmonike qasjet e Kishave të ndryshme lokale, për të propozuar pastaj sugjerime të karakterit universal me vlerë magjisteriale, dhe jo vetëm"

R.SH. / Vatican News

Kisha katolike e Shqipërisë gjithnjë e më aktive në ngjarjet dhe jetën e Kishës katolike Universale në Selinë e Shenjtë dhe në Evropë, sikur dëshmon edhe pjesëmarrja e dy ipeshkvijve shqiptarë në Sinodin e ardhshëm të tetorit që do të mbahet në Vatikan. Një ngjarje kjo që dëshmon për kujdesin dhe vlerësimin që Papa dhe Kisha katolike Universale kanë pasur dhe kanë ndaj Kishës martire në Shqipëri.

Zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, dom Mark Pashkja pohon se "pritet me interes të veçantë pjesëmarrja e dy ipeshkvinjtë shqiptarë në Sinodin e ardhshëm të tetorit, në Vatikan, dhe mënyra se si ky Sinod e pastaj Kisha në përgjithësi do të arrijë të ndërthurë në mënyrë harmonike qasjet e Kishave të ndryshme vendore, për të propozuar pastaj sugjerime që vlejnë për Kishën universale dhe jo vetëm". Sinodi është një ecje e përbashkët e Kishës, një qasje përbashkuese. Në mikrofonin e Vatican News të dëgjojmë zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë dom Marka Pashkja:

Dom Marka Pashkja

Për një Kishë sinodale, bashkim, pjesëmarrje dhe mision. Nën këtë nxitje dhe horizont Kisha Katolike, duke filluar nga viti 2021, nisi ecjen sinodale. Ishte pikërisht kjo ecje kryefjala e aktivitetit kishtar të dy viteve të fundit, ecje e cila u kërkua me ngulm nga Papa Françesku dhe u përqafua pa hezitim nga të gjitha kishat lokale, duke përfshirë pothuajse çdo bashkësi katolike në mbarë botën. E ideuar në mënyrë të tillë, ku çdo i krishterë të mund të thoshte fjalën e tij, kjo ecje e përbashkët (referuar edhe zanafillës së termit sinod) përmbante disa etapa, që përkonin plotësisht edhe me strukturën hierarkike kishtare, strukturë e cila në natyrë të ekzistencës së saj nuk bazohet në një qasje piramidale, por përbashkuese, dhe gjen themelin e vet në meshtarinë pagëzimore.

Duke kaluar realitetet bazike, si famullitë dhe dioqezat, secila konferencë ipeshkvore bëri paraqitjen e saj dhe dorëzoi në takimin e Pragës frytin e punës në nivel kombëtar. Ky takim u pasua nga instrumentum laboris-i, apo dokumenti i punës, që në vetvete është baza mbi të cilin etërit sinodalë do të zhvillojnë punimet. Sinodi i ipeshkvijve i këtij tetori është njëri prej dy momenteve kyçe të kësaj ecjeje. I themeluar nga Papa Pali VI më 1965 si strukturë e përhershme në kurien romake, sinodi i ipeshkvijve është i përbërë nga përfaqësues të episkopatit katolik dhe ka si qëllim të ndihmojë papën në udhëheqjen e kishës universale. Në këtë optikë, sinodi i ardhshëm do të ketë risitë dhe të veçantat e tij. Risia e parë ka të bëjë pikërisht me përbërjen e tij. Edhe pse mbetet një sinod ipeshkvijsh, pjesëmarrja e grave në të do të jetë mjaft e madhe: rreth 84 gra, nga të cilat 54 me të drejtë vote.

Duke respektuar e garantuar universalitetin e Kishës, secila kishë lokale në nivel konference do të ketë përfaqësuesin e vet. Kësisoj, Kisha Katolike në Shqipëri do të përfaqësohet në sinod në personin e Sh.T. Imzot Arjan Dodaj, arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit. Një tjetër ndihmë e madhe në punimet e sinodit do të jenë edhe grupet e ndryshme të ekspertëve. Përveç krerëve të dikasterëve, të të ftuarve dhe të pjesëtarëve të zakonshëm të sekretarisë, një rol shumë të veçantë do të luajnë edhe pjesëtarët e emëruar drejtëpërdrejt nga Ati i Shenjtë. Pikërisht në këtë grup do të marrë pjesë si i emëruar drejtëpërdrejt nga Papa Françesku edhe Sh.T. Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit. Një numër i madh teologësh dhe specialistësh, në cilësinë e të ftuarve të veçantë, do të pasurojnë këtë eveniment me ndërhyrjet e tyre.

Teologë të njohur, si S. Dianich, H. Legrand, D. Vitali, apo edhe T. Schwartz pritet të shpalosin qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me sinodalitetin dhe aplikimin praktik të tij. Sinodi i tetorit zhvillohet në kuadrin e sinodeve të zakonshme, duke kërkuar të japë indikacione, nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, për kontekstin në të cilin Kisha Katolike zhvillon misionin e saj.

Pritet me mjaft interes mënyra se si ky sinod në veçanti e pastaj Kisha në përgjithësi do të arrijë të ndërthurë në mënyrë harmonike qasjet e kishave të ndryshme lokale, për të propozuar pastaj sugjerime të karakterit universal me vlerë magjisteriale, dhe jo vetëm.

Dom Mark Pashkja Zëdhënës i KISH

(lexo https://kish.al/sinodi-dhe-ipeshkvinjte-shqiptare-pjesemarres)

13 korrik 2023, 13:22