Kërko

Atë Luis Dri në rrfyestoren e tij, në Buenos Aires Atë Luis Dri në rrfyestoren e tij, në Buenos Aires 

Do të jetë kardinal, rrëfyesi që i kërkon falje Krishtit, pse fal tepër

I fundmi në listën e kardinajve të rinj emëruar sot nga Papa është At Luis Dri, 96 vjeç, frat kapuçin, i cili ka vite që rrëfen në shenjtëroren e Zojës së Pompeit, në Buenos Ajres. Në mbrëmje kërkon ndjesë para Krishtit në Tabernakullin e Shenjtë të Eukaristisë për zgjidhjet e shumta të mëkateve. E përsërit, në gjunjë para Krishtit: "Ishe Ti, që ma dhe shembullin e keq!".

R. SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Është i fundmi në listë, por sigurisht jo në zemrën e Jorge Mario Bergoglios. Duke shpallur listën e kardinajve të rinj që do të marrin kësulën e kuqe në Koncistorin e 30 shtatorit të ardhshëm, Papa Françesku e përfundoi duke shqiptuar emrin e një frati të moshuar françeskan i cili, që kur doli në pension, në vitin 2007, jeton në rrëfyestore, në shenjtëroren e Zojës së Pompeit, në Buenos Ajres: është frati Luis Pascual Dri, kapuçini argjentinas, i lindur në Federacion të provincës së Entre Ríos, më 17 prill 1927, në një familje ku të gjithë fëmijët, përveç njërit, iu kushtuan Zotit në jetën rregulltare.

Françesku ka folur disa herë me të e për të. Për herë të parë, më 6 mars 2014, gjatë takimit me famullitarët e Romës. Më pas, më 11 maj 2014, në homelinë e Meshës për shugurimet meshtarake. E citoi sërish në librin -intervistën “Emri i Zotit është mëshirë”, e më pas në shkurt të vitit 2016, gjatë predikimit të Meshës në Shën Pjetër me fretërit kapuçinë. Së fundi, në takimin me meshtarët e Romës dhe me rrëfyesit e Jubileut, në Shën Gjonin e Lateranit. Papa e kujton gjithnjë, e posaçërisht kur flet për rrëfimin dhe pritjen e pendestarëve në rrëfyestore.

“Kujtoj - tregon - një rrëfyes të madh, një frat kapuçin, i cili e kryente shërbimin në Buenos Ajres. Një herë erdhi të më takonte. Donte të bisedonim. Më tha: ‘Erdha për të kërkuar ndihmë! Kam gjithnjë shumë njerëz para rrëfyestores: lloj-lloj njerëzish, të përvuajtur e krenarë, por edhe shumë priftërinj... fali shumë e ndonjëherë më vret ndërgjegjja, më vret se fala shumë". Vijuam të flasim për mëshirën  e unë e pyeta se çfarë bën kur provon kur e bren kështu ndërgjegjja. M'u përgjigj: “Shkoj në kishën tonë të vogël, përballë tabernakullit, dhe i them Jezusit: Më fal, O Zot, se fala shumë. Por ishit ju që më dhatë shembullin e keq!”. Këtë nuk do ta harroj kurrë. Kur një prift e jeton kështu mëshirën për vetveten, sigurisht që mund t'ua japë edhe të tjerëve”.

Shtatë vjet më parë shkuam ta kërkojmë në shenjtoren kushtuar Zojës së Pompeit, në Buenos Aires. Kishte shumë pak njerëz. Ishte një pasdite tejet e nxehtë e vetëm një rrëfyestore e hapur. Brenda, një frat me zhgun kapuçini, në pritje… Ishte ai. Na tregoi pse Papa e citonte kaq shpesh. “Në përgjithësi jam, nuk po them skrupuloz, por i shqetësuar në rrëfime. Kur Papa ishte kardinal këtu, në Buenos Aires, i besoja shumë! Një herë ia besova të gjitha këto që po dëgjoni! Ai më tha: “Fal, fal, duhet të falim”. Dhe unë: po, fali, por më pas shqetësohem, shkoj te Jezusi dhe i them se   ishte Ai që ma dha këtë shembull të keq e më mësoi të fal, sepse Ai vetë fali i pari: gjithkënd, gjithçka, pa refuzuar asnjë. Është e qartë se këto fjalë e prekën Bergoglion, i mbetën të ngulitura. Ai e di se unë rrëfej shumë, për shumë orë, në mëngjes dhe në mbrëmje. E, më shumë se një herë, i këshilloj disa priftërinj, që kanë ndonjë problem, të vijnë e të flasin me mua. Vijnë. I dëgjoj. E tani jemi miq të mirë me disa prej tyre, që vijnë shpesh për të shndërruar dy fjalë. Askush nuk duhet të largohet duke menduar se nuk u kuptua, u përbuz apo u refuzua”.

Frati që kalon çdo mëngjes dhe çdo pasdite në rrëfyestore, duke vazhduar "derisa qirinjtë lëshojnë flakën e fundit", nuk kishte asnjë këshillë të veçantë për t'u dhënë rrëfyesve të tij "kolegë": "Them çka thotë Papa. Nuk mund të them asgjë tjetër, sepse e ndjej, e jetoj. Mëshirë e mirëkuptim! Hyni  në lëkurën e tjetrit, nëse doni të kuptoni se çfarë po i ndodh. Nuk duhet të jemi, duke filluar nga vetja, zyrtarë që kryejnë një detyrë: 'Po, e fala'. 'Po - jo e mbaron aty'. Krejt e kundërta. Mendoj se duhet të kemi njëfarë afërsie, një dashamirësi të veçantë, sepse ndonjëherë ka njerëz që nuk e dinë mirë çka është rrëfimi. 'Mos ki frikë, mos u shqetëso'. Rrëfimi… e vetmja gjë që vlen është dëshira për të qenë më mirë, asgjë tjetër. Nuk duhet të mendosh me kë, as sa herë, as këtë, as tjetrën. Të gjitha këto gjëra janë të kota. Më duket se e largojnë njeriun. Po unë dua që njerëzit t'i afrohen Zotit, Jezusit”.

Ndërsa të penduarve, frati që tani do të vishet me purpur, tregon se u jep gjithnjë këtë këshillë: “Mos kini frikë”. E u flet për përqafimin e Atit me Djalin Plangprishës. Sepse e pyesin: 'Thua do të më falë Zoti?'. Po, Zoti të fal, Zoti të përqafon, Zoti të do, Zoti ecën me ty, Zoti erdhi për të  falur, jo për të ndëshkuar. Erdhi për të qenë me ne. La parajsën, për të qenë me ne. Pra, si mund të kemi frikë!”. E i duket absurditet, mungesë njohurie,  ide e gabuar për Atin tonë, Zotin.

Një figurë, që të kujton atë të At Leopoldo Mandiç, i cili mbante të njëjtin qëndrim me njerëzit në rrëfyestore. “Po, po, e njoh shumë mirë; ia lexova jetën dhe mësova shumë prej tij - na tregoi Atë Dri - mësova edhe nga Padre Pio: isha me të në vitin 1960. Dhe e gjithë kjo më mësoi shumë. Isha me Padër Pion në të njëjtin manastir, në vitin 1960 e shkova të rrëfehesha me të. Shën Leopoldi dhe Shën Pio më mësuan kaq shumë, kaq shumë gjëra të bukura për mëshirën, dashurinë, paqen, qetësinë, afërsinë... Edhe pse Padre Pio ishte tejet i fortë, tejet energjik, por kur duhej të dëgjonte dhe të falte, ishte Jezusi”.

09 korrik 2023, 15:27