Kërko

Entuziazmi i të rinjve drejt Lisbonës, për Ditën Botërore të Rinisë 2023

Shumë të rinj nga të katër anët e botës po nisen drejt kryeqytetit portugez për t'iu përgjigjur thirrjes së Papës Françesku. Aleksandri, Vanessa, Agostina…nisen, me ëndrrat dhe shpresat e njerëzve, që e dinë se po përjetojnë një ngjarje "shndërruese"

R.SH. / Vatican News

Dita e 37- të Botërore e Rinisë 2023, që mbahet në Lisbonë (1-6 gusht) me temë: “Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim”, shkëputur nga Ungjilli i Lukës, nuk është shtegtim i thjeshtë, por takim i vërtetë me të rinj nga shumë realitete. Mundësi për të zbuluar edhe një herë bukurinë e një Zoti, që i do të gjithë personalisht, një për një, për t'u treguar nëpërmjet përvojës së fesë sa të rëndësishëm e sa të dashur janë të rinjtë për Kishën, siç e kujton Papa Françesku në Christus Vivit: "Të gjithë të rinjtë, pa përjashtim, janë në zemrën e Zotit dhe, si pasojë, në zemrën e Kishës”.

Nxitje të  reja në fe

Pra ndjehet fort atmosfera e festës dhe e pritjes për ta jetuar edicionin e 37-të të ngjarjes botërore, e cila do të jetë, ashtu siç ka qenë prej dekadash,  mundësi për nxitje të reja në fe dhe për përjetim përvojash e reflektimesh të reja. Këto janë disa nga arsyet që i shtyjnë të shtegtojnë drejt Lisbonës të rinjtë e shoqatave, lëvizjeve, të rritur në oratore, pikërisht si Aleksandri, milanez 22-vjeçar, që e ka ndjekur oratorin që në fëmijëri, ndërsa sot niset për në Lisbonë si edukator.

Aleksandri, duke folur për Vatican News, pohon se vendosi të marrë pjesë në këtë DBR në Portugali, pasi vitin e kaluar ishte në Camino de Santiago, mbasi atij i pëlqen gjithmonë të marrë frymë në një atmosferë miqësie jo vetëm me miqtë e tij, por edhe me njerëz, që do t’i takojë gjatë shtegtimit. Si shumë të rinj, edhe ai po jeton një çast, në të cilin feja e tij luhatet ndërmjet entuziazmit të madh dhe "sterilitetit", por ai dëshiron të rrijë në pritje për të dëgjuar, çka dëshiron më shumë: zërin e Zotit! E DBR-ja është një nga mënyrat kryesore për ta bërë këtë. Dëshiron që, së bashku me shtegtarët e tjerë, të ndjejë bukurinë e fesë, ta bëjë përvojë të gjallë përmes ngjarjeve të ndryshme, që do t’i jetojë atje, ku  do të rrethohet nga rinia e botës!

Vanessa, nga Monza, aktive në famulli, në vend të këtyre ndjenjave gazmore, flet me trishtim për shumë të rinj, që i afrohen mjedisit kishtar dhe oratoreve jo sepse u interesojnë me të vërtetë, por vetëm pse kështu mund të marrin  mbështetje shkollore. Flet e i vjen shumë keq, sepse për të Kisha është një “mjedis i gëzueshëm”. Dhe është pikërisht gëzimi, thotë, që ia  mbron fenë dhe që shpreson ta jetojë gjatë DBR-së!

Kisha pasqyrohet në atë, që e përfaqëson

Në shumë vende, sot Kisha përcaktohet nga kush e përfaqëson, theksojnë disa të rinj. Ka shumë realitete ku njeriu përjeton kishë të gjallë, gjë që i detyrohet shumë edhe entuziazmit të animatorëve - priftërinjve, rregulltarëve, laikëve - të parët që e jetuan bukurinë, e cila i mbush plot zemrat që i përkasin Krishtit dhe ndezin ndër to, zjarrin ungjillor. Përvoja që çdo djalë a vajzë ka me Kishën dhe me Krishtin varet shumë prej tyre. Nga ana tjetër, për fat të keq edhe Kisha nganjëherë e shikon botën me fytyrë të lodhur, që të kujton prirjen për t’u "ruajtur", duke mos i krijuar Shpirtit Shenjt mundësinë për të sjellë risinë, që Papa Françesku dëshiron aq shumë t'ia komunikojë Kishës.

Entuziazëm dhe shpresë

Ditët e mbetura para fillimit të kësaj DBR mund të përshkruhen me dy fjalë: entuziazëm dhe shpresë, shtylla që do të karakterizojnë ngjarjen në Lisbonë. Një ngjarje që ta ndryshon jetën, siç pohon, për Vatican News, Agustina, vullnetare argjentinase në Ditën Botërore të Rinisë. Për të, ta jetosh këtë takim, do të thotë të jesh në gjendje të jetosh vetë universalitetin e Kishës, "një Kishe-familje". Vajza pohon se të jesh vullnetare, fillimisht do të thotë të marrësh pjesë dhe mbi të gjitha të shërbesh në një vend me të rinj të tjerë të huaj, por që më pas takohen sërish si një familje e madhe globale. Përvojë që, për Agustinën është “tejet e madhe dhe shndërruese”.

(Intervistat u realizuan nga Benedetta Capelli, Fabio Colagrande dhe Sebastian Sanson Ferrari në me bashkëpunimin e Emanuela Prisco , Vatican News)

12 korrik 2023, 11:52