Kërko

La Biblioteca Vaticana La Biblioteca Vaticana

Biblioteka e Vatikanit përuron një program studimi mbi dorëshkrimet hebraike

Nga data 19 korrik do të nisë një projekt formimi specializues në bashkëpunim me Seminarin Rabinik të Amerikës Latine "Marshall T. Meyer", pjesë e një jave intensive mësimesh në prani dhe në distancë

R.SH. - Vatican News

Të mërkurën, më 19 korrik, Biblioteka Apostolike e Vatikanit do të nisë një program të specializuar formimi mbi dorëshkrimet hebraike, në bashkëpunim me Seminarin Rabinik të Amerikës Latine "Marshall T. Meyer", pjesë e një jave intensive mësimesh në prani e në distancë, që do të ndiqen nga studentë të universiteteve të ndryshme në botë dhe të feve të ndryshme. Leksionet do të mbahen nga pedagogë të shquar, ndërmjet të cilëve, rabinët Adolfo Roitman, David Golinkin dhe Ariel Stofenmacher, Judith Olszowy-Schlanger, Craig Morrison, Leonardo Pessoa, Sarit Shalev-Eyni, Marco Morselli, Stephen Metzger Pro dhe Delbio.

Përurimi

Në hapjen e takimit do të marrin pjesë autoritetet fetare dhe vatikanase, si bibliotekari, imzot Angelo Vincenzo Zani; prefekti i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, don Mauro Mantovani, S.D.B.; nënprefekti Timothy Janz; rabini Ariel Stofenmacher, rektor i Seminarit Rabinik Latinoamerikan dhe autoriteteve të qeverive të Izraelit dhe të Argjentinës.

Studentë dhe specialistë

Në dhjetor 2022, gjatë vizitës së parë, drejtuesit e Seminarit mundën të analizonin për herë të parë dorëshkrimet hebraike, duke i propozuar Bibliotekës së Vatikanit një program studimi që përfshin studentë dhe specialistë nga e gjithë bota. Claudia Montuschi, scriptor latinus dhe drejtoreshë e Departamentit të Dorëshkrimeve të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, dhe Delio Vania Proverbio, scriptor orientalis dhe kujdestar i koleksioneve të Afrikës dhe Lindjes së Afërt dhe të Mesme, bashkëpunuan me ekipin profesional të Seminarit për gjashtë muaj për zhvillimin dhe për zbatimin e kursit.

Trashëgimi e paçmuar

Qindra dorëshkrime hebraike - thuhet në një shënim - ruhen në Bibliotekën e Vatikanit: dëshmi e paçmuar e trashëgimisë kulturore dhe fetare të popullit hebre. Koleksioni përfshin rrotulla të Torës, tekste biblike dhe ekzegjetike, letërsi rabinike, filozofi hebraike, libra liturgjikë, poezi, shkencë dhe tekste kabaliste. Dorëshkrimet vijnë mes studiuesve të kohëve tona kryesisht nga shekujt 12-15 dhe, në një masë më të vogël, nga shekujt 9-11, periudha që përfshijnë edhe kryqëzatat, inkuizicionin dhe dëbimin e hebrenjve nga Spanja. Ky koleksion është një nga më të rëndësishmit në botë, sidomos për origjinalitetin e kopjeve dhe variantet tekstuale që  hodhën e hedhin dritë mbi studimin e veprave themelore të hebraizmit.

18 korrik 2023, 10:20