Kërko

 Il Papa visita la Comunità Cenacolo Il Papa visita la Comunità Cenacolo

Bashkësia e Çenakullit, për 40 vjet në shërbim të të fundmëve, Papa: "Gjë e bukur ajo që bëni!"

Papa përshëndet Bashkësinë e Çenakullit, vend i mirëseardhjes dhe i promovimit njerëzor për 40 vjet. E bekoj Nënë Elvirën, ipeshkvin e Saluzzo-s dhe të gjitha vëllazëritë dhe miqtë. Është e bukur ajo që bëni, e bukur edhe ajo, që ekzistoni! Faleminderit!

R.SH. / Vatican News

Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, këtë të diele që kaloi, falënderoi Nënë Elvirën dhe të gjitha vëllazëritë e realitetit të Bashkësisë së Çenakullit në shërbim të "mirëpritjes njerëzore", lindur më 16 korrik 1983 në Saluzzo e përhapur në të gjithë botën. Një oazë shprese për njerëzit e mënjanuar dhe të dëshpëruar. Në vitin 2021, Papa vizitoi selinë e tyre në Romë, në përfundim të Vitit kushtuar Shën Jozefit.

 Bashkësia e Çenakullit, për 40 vjet në shërbim të të fundmëve

“Eshtë e bukur ajo që bëni! E bukur edhe që ekzistoni!”. Fjalë të sinqerta, këto, që i shqiptoi në përfundim të Engjëllit Papa për Bashkësinë e Çenakullit, e cila kremton 40 vjet jete. Fjalë plot mirënjohje, për ata që për dekada u angazhuan të mirëpresin njerëz të braktisur, të dëshpëruar dhe të dërrmuar nga shqetësimet fizike e shpirtërore, veçanërisht të ngatërruar në tunelin e drogës dhe alkoolizmit:

“I dërgoj përzemërsisht përshëndetjet e mia Bashkësisë së Çenakullit, vend i mirëseardhjes dhe i promovimit njerëzor për 40 vjet. E bekoj Nënë Elvirën, ipeshkvin e Saluzzo-s dhe të gjitha vëllazëritë dhe miqtë. Është e bukur ajo që bëni, e bukur edhe ajo, që ekzistoni! Faleminderit!”.

Pasdite, Françesku vizitoi privatisht "shtëpinë" e vëllazërisë së Samaritanit të Mirë, në Romë: dëgjoi këngë dhe dëshmi nga vullnetarët dhe të ftuarit e shoqatës ...

Nga Saluzzo, në të gjithë botën

“Nënë Elvira” është motra Elvira Petrozzi, tashmë e moshuar dhe e rënë nga shëndeti, e quajtur “nënë” pikërisht sepse e shuguruar, por edhe, e sidomos, për frymëzimin amtar, me të cilin lindi dhe u rrit kjo bashkësi, që në hapat e saj të para më 16 korrik 1983, në një shtëpi të rrënuar dhe të braktisur në kodrën e Saluzzos, për t’u përhapur më pas, në çdo kontinent. Mbi 70 shtëpi janë të pranishme sot në 20 vende, veçanërisht në Amerikën Latine. Rregulli i vetëm që vlen është dashuria, ndërsa ditët janë të ngarkuara  me veprimtari të shumta: nga lutja - në kopshtari: nga shfaqjet - te gatimi. “Një përgjigje që butësia e Zotit i jep thirrjes së dëshpërimit të shumë të rinjve të humbur, të mashtruar dhe të zhgënjyer, që kërkojnë gëzimin e të jetuarit” - shkruan Bashkësia e Çenakullit në faqen zyrtare të internetit.

Vizita e 8 dhjetorit 2021

Pikërisht këtë pa Papa kur, më 8 dhjetor 2021, në festën e Zojës së Papërlyer, shkoi në "shtëpinë" romake të Vëllazërisë së Samaritanit të Mirë, një strukturë e madhe e gjelbër, besuar pesë vjet më parë pjesërisht  Bashkësisë së grave të kushtuara laike të lëvizjes FAC (Ndihma e Krishterë Vëllazërore), të mbetura fare pak, por "rilindura" falë përvojës të punës së përbashkët me të ftuarit e Çenakullit. Në atë rast Françesku  takoi djem e vajza, familje, priftërinj dhe murgesha, operatorë, si dhe protagonistë të një filmi realizuar në kodrat e Medjugorjes mbi jetën e Shën Jozefit. Në Vëllazërinë e Samaritanit të Mirë, Papa pati përfunduar Vitin kushtuar Atit tokësor të Jezusit, nisur më 8 dhjetor 2020, duke u lutur në kapelën e ndërtuar tërësisht nga djemtë që mblidhnin materiale nga vendgrumbullimet e mbeturinave dhe kazanët e plehrave: copa travertine, trarë lisi dhe mbetje të tjera materiale. Shembulli konkret i punës, që bëri bashkësia për 40 vjet: mblodhi të humbur, që përndryshe do të cilësoheshin si “hedhurinat” e shoqërisë” dhe i bëri  njerëz, përplot me bukuri e dinjitet.

18 korrik 2023, 11:32