Kërko

Imzot Gallagher në Mongoli Imzot Gallagher në Mongoli

Vizita e Gallagher në Mongoli për 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

Nga 4 deri më 8 qershor, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare ndodhej në vendin aziatik për takime me autoritetet dhe me bashkësinë lokale katolike

R.SH. – Vatikan

Nga data 4 deri më 8 qershor 2023, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, vizitoi Mongolinë, me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike. Pasi mbërriti në Ulan Bator, paraditen e 4 qershorit, kryeipeshkvi Gallagher kryesoi kremtimin eukaristik në mbrëmje, në katedralen e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, duke shprehur mirënjohje të thellë për misionarët, për dëshminë e tyre të fesë dhe për përkushtimin e tyre bujar në ungjillëzimin e asaj toke të paanë. Mesha u pasua nga një takim vëllazëror me bashkësinë misionare të pranishme në Mongoli, gjatë të cilit u fol për shpresat dhe vështirësitë e misionarëve në jetën e tyre të përditshme.

Të hënën, 5 qershor, takimi me autoritetet mongole, kryesuar nga ministri i jashtëm, Batmunkh Battsetseg. Të nesërmen, në pallatin presidencial, imzot Gallagher u takua me presidentin e Republikës, Ukhnaagiin Khürelsükh. Gjatë takimeve dypalëshe ndërmjet delegacioneve të Selisë së Shenjtë dhe Mongolisë u kujtua historia e marrëdhënieve historike, që datojnë në shekullin XIII, zhvillimi ekonomik dhe demokratik i Mongolisë në tri dekadat e fundit, ecuria e lidhjeve diplomatike, duke filluar nga 1992, si edhe perspektivat për të ardhmen dhe bashkëpunimi në fushën kulturore e shoqërore. Në këtë kuadër, u theksua kontributi i Kishës Katolike për shoqërinë mongole dhe u diskutuan metodat për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të shërbimit të misionarëve katolikë në Mongoli. Në veçanti, u fol me kënaqësi për vizitën e ardhshme të Atit të Shenjtë Françesku në Mongoli, planifikuar nga data 31 gusht deri më 4 shtator. Në përfundim të vizitës, delegacioni i Selisë së Shenjtë shkoi në Muzeun Genghis Khan, ku imzot Gallagher nënshkroi librin e nderit. Një sektor me interes të veçantë në këtë institucion është ai, ku ndodhen faksimile të korrespondencës së Khan Arghun me Papën Nikolla IV, letra e Khan Ghazan për Papën Bonifaci VIII dhe mesazhi i Papës Inocenti IV për Khan Güyük.

Të mërkurën, më 7 qershor, delegacioni i Vatikanit shkoi në Qendrën Anton Mostaert, e specializuar në studimet mongole dhe në promovimin e gjuhës, kulturës dhe historisë mongole. Në fjalën e tij, kryeipeshkvi Gallagher foli për marrëdhëniet ndërmjet krishterimit dhe kulturës në Mongoli, duke theksuar procesin e inkulturimit, i cili e përfshin Ungjillin në kulturat indigjene dhe i integron ato në jetën e Kishës. Imzot Gallagher nënvizoi rëndësinë e gjuhës për të kuptuar tiparet dalluese të një populli dhe kulturën e tij, duke vlerësuar përpjekjet e misionarëve katolikë për prodhimin e fjalorëve dhe të veprave gjuhësore, që kontribuojnë në studimet antropologjike dhe përmirësojnë mirëkuptimin ndërmjet shoqërive të ndryshme. Në përfundim, shprehu vlerësimin për Fjalorin e ardhshëm mongolisht-frëngjisht, i cili simbolizon impenjimin e Kishës në favor të kulturës mongole.

 Pas kësaj veprimtarie kulturore, kryeipeshkvi Gallagher u nis për në varreza, rreth një orë larg kryeqytetit, ku ndodhen eshtrat e imzot Wenceslao Padilla, prefekti i parë apostolik i Ulan Batorit, si edhe ato të At Stephano Kim, prift korean fidei donum dhe bashkëpunëtor i parë i kardinalit Marengo, i cili vdiq papritur disa ditë para vizitës. Pasditen e po asaj dite, imzot Gallagher mori pjesë në shfaqjen kulturore të organizuar në një teatër tradicional dhe përshëndeti personelin e Prefekturës Apostolike. Vizita përfundoi të enjten më 8 qershor dhe delegacioni u kthye në Vatikan.

 Kjo vizitë me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, planifikuar fillimisht për në dhjetor 2022 dhe shtyrë më pas, konsolidoi marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mongolisë. Delegacioni i Vatikanit siguroi se Kisha Katolike do të vazhdojë të kontribuojë në mirëqenien e shoqërisë, veçanërisht në sektorët e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe bamirësisë, në bashkëpunim me institucionet civile. Vizita e imzot Gallagher në Ulan Bator ishte edhe hap përgatitor për udhëtimin e ardhshëm apostolik të Papës Françesku në Mongoli. Vizita e Atit të Shenjtë në këtë vend, i njohur për peizazhet e tij të bukura dhe për qëndresën e jashtëzakonshme të popullit të tij, do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe, në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, si dhe në jetën e Kishës Katolike e në promovimin e dialogut ndërfetar.

14 qershor 2023, 09:30