Kërko

Specola

Specola Vaticana, më 4 qershor nis shkolla e tetëmbëdhjetë verore

Janë 24 studentët, nga 20 kombësi të ndryshme, të cilët, të zgjedhur nga rreth 200 studentë të diplomuar e të doktoruar në astronomi, do të marrin pjesë në kurset e astronomisë dhe astrofizikës, organizuar në Castel Gandolfo. Tema e sivjetme është "Të studiojmë Universin: mjete nga shkenca e të dhënave të mëdha për kërkime astronomike". Që nga viti 1986, mbi 400 ekspertë kanë studiuar në Observatorin e Vatikanit ku mbajnë kurse verore mësues të shquar nga e gjithë bota.

R.SH. / Vatikan

Njëzet e katër studentët që do të ndjekin Shkollën Verore të Astronomisë dhe Astrofizikës në Observatorin a Vrojtoren e Vatikanit, në portat e Romës, nga 4 deri më 30 qershor, janë nga njëzet vende të ndryshme: nga Argjentina, Kolumbia, Bangladeshi, India, Kina, Kazakistani, Libani, Castel Gandolfo e tjerë e tjerë Edicioni i 18-të i kurseve në selinë e Observatorit të Vatikanit në vitin 2023 është rikthim në programin e rregullt dyvjeçar të shkollës verore në Specola, pas një pushimi disa vjeçar  shkaktuar nga pandemia e Covid. Tema e këtij viti është "Të studiojmë Universin: mjete nga shkenca e të dhënave të mëdha për kërkime astronomike". Të regjistruarit do të marrin pjesë në leksione, do të punojnë në projekte që lidhen me kërkimet e tyre, do të udhëtojnë dhe do të takojnë Papën Françesku në një audiencë të veçantë.

Programi i shkollës së 18-të verore

Drejtues të grupit të profesorëve të shkollës, ku përfshihen disa nga ekspertët botërorë në zbatimin e parimeve të mësimit të makinerive në studimet e astrofizikës, janë profesoresha Viviana Acquaviva, e "City University" të Nju Jorkut dhe e "Flatiron Institute" si dhe Profesor Željko Ivezić, i Universitetit të Uashingtonit dhe Observatorit Vera C. Rubin.

Në një deklaratë nga Observatori i Vatikanit, Don Alessandro Omizzolo, astronom pranë strukturës së Castel Gandolfos dhe Institutit Kombëtar të Astrofizikës (INAF)/Observatori i Padovës, në rolin e dekanit të Shkollës, shpjegon se "me zmadhimin e përmasave të teleskopëve dhe rritjen e ndjeshmërisë së detektorëve të tyre, sasia e të dhënave astronomike që duhet t’i kuptojnë shkencëtarët, është rritur në mënyrë dramatike.

Sondazhet e mëdha astronomike kanë matur tashmë miliarda burime qiellore, e do të vijojnë të masin edhe ato të ardhshmet, si "Studimi i Trashëgimisë së Hapësirës dhe Kohës" i Observatorit të ri Rubin, që do të prodhojë shumë më tepër të dhëna - vazhdon njoftimi për shtyp, i cili shpjegon programin e shkollës verore. Në Castel Gandolfo, do të eksplorohet shkenca mbi bazën e kërkimeve më të fundit astronomike, do të paraqiten konceptet e "Big Data" dhe të "Machine Learning" dhe do të ofrohet përvoja praktike e analizës së të dhënave, që do t'i lejojë studentët t'i përdorin ato për projektet e tyre astronomike.

Përzgjedhja e kandidatëve për kurse

Studentët universitarë dhe pasuniversitarë që do të marrin pjesë në Shkollën e 18-të Verore të Astronomisë dhe Astrofizikës në Observatorin e Vatikanit janë zgjedhur nga rreth dyqind kandidatë. Kriteret kryesore të  zgjedhjes ishin aftësia për karrierë akademike dhe motivimi, me një përzgjedhje të kufizuar, kështu që asnjë vend të mos kishte më shumë se dy përfaqësues. Shkolla e Observatorit të Vatikanit është e hapur për studentët e përparuar të astronomisë universitare, të diplomuar në gjithë botën, shumë prej të cilëve tashmë janë astronomë profesionistë. Shumica e të zgjedhurve vijnë nga vendet në zhvillim; pranimi nuk merr parasysh nevojat ekonomike, pasi tarifa e regjistrimit është falas, e edhe mbështetja e mëtejshme financiare për udhëtimin dhe vendbanimin ofrohet nga bamirësit, përmes vetë Fondacionit të Observatorit.

Bashkësi akademike ndërkombëtare

Përveç profesorëve Acquaviva dhe Ivezić, fakulteti do të përfshijë Dalya Baron (Universiteti i Tel Avivit dhe Observatorët Carnegie), Marc Huertas-Company (Instituto de Astrofísica de Canarias / Observatoire de Paris) dhe Francisco Antonio Villaescusa Navarro (Universiteti Flatiron Princeton University). Me ta do të jenë edhe ekspertë të tjerë, si lektorë të ftuar. Profesor Ivezić, entuziast për nismën, e konsideron shkollën verore "mundësi të mrekullueshme për të takuar një grup kaq të jashtëzakonshëm të kolegëve të rinj të aftë, nga e gjithë bota". Profesoresha Acquaviva ka të njëjtin mendim.

"Rëndësia e gjetjes së njohurive dhe bashkësia juaj është aspekt i jetës akademike, që nuk mund të mbivlerësohet" - pohon ajo - duke shtuar se pjesëmarrësit e kursit do të vazhdojnë të ndërveprojnë si një bashkësi mbështetëse edhe pas përfundimit të shkollës. Që nga shkolla e parë verore në 1986, në të cilën mësuese ishte edhe Vera Rubin, me emrin e së cilës ‘u pagëzua’ observatori në ndërtim në Kili, më shumë se 400 studentë kanë thelluar njohuritë e tyre në Castel Gandolfo. Me kokën gjithnjë lart - nga Toka, në qiellin me yje - e planete të njohura e të panjohura! Shkollë që nuk gjendet kudo!

 

01 qershor 2023, 09:34