Kërko

2022.01.11 statua del Laocoonte in Vaticano 2022.01.11 statua del Laocoonte in Vaticano

Skulptura Laocoontit, vepër e viteve 40 para Krishtit

Skulptura Laocoontit, kryevepër e viteve 40 para Krishtit, rreth të cilit më shumë se 500 vjet më parë lindën Muzetë e Vatikanit.

R.SH. / Vatikan

Dy aktivistë të klimës së "Ultima Generazione", më 18 gusht 2022 dëmtuan bazën e grupit skulpturor Laocoont, vepër e viteve 40 para Krishtit, rreth të cilit më shumë se 500 vjet më parë lindën Muzetë e Vatikanit. Natyrisht u dënuan. Po ekzekutimi i dënimit, për Guido Viero 62 vjeç dhe Ester Goffi, 26, megjithatë mbeti i pezulluar për pesë vjet.

Po, kush është Laocoonti?

Laocoonti, rreth dëmtimit të të cilit vijojnë diskutimet në mbarë botën e artit, është figurë e mirënjohur e mitologjisë greke. Banor i Trojës së rrethuar nga grekët, bir i Antenorit, qe parafolës e prift i madh i Poseidonit apo i Apollit, sipas disa të tjerëve. I paralajmëroi trojanët për rrezikun, kur deshën ta vendosnin brenda mureve të qytetit kalin e famshëm të Trojës, krijuar nga dinakëria e Odiseut. Laocoonti pati vegimin, që më pas do të bëhej realitet. E i paralajmëroi të vetët. Paralajmërim, të cilin e gjejmë të përshkruar hollësisht në kryeveprën e Publio Virgilio Marrone “Eneida”, kryevepër e letërsisë latine, përkthyer në shqip nga Mark Dema, që mund të krahasohet vetëm me veprat e Homerit “Iliada” e “Odiseja”.

Ja edhe fjalët që u tha  Laocoonti të vetëve e që mbeten gjithnjë aktuale:

"Është makinë  e ndërtuar kundër mureve tona,

armiku do t’i kontrollojë të gjitha shtëpitë

e do ta rrënojë qytetin.

Këtu sigurisht ka një mashtrim.

Mos i besoni, Trojanë.

Është ç’është, unë i kam frikë Dànait

edhe më shumë kur të ofrojnë dhurata".

(Përkthim i lirshëm)

Po trojanët nuk e dëgjuan. E  morën brenda mureve e ndodhi ajo që ndodhi. Troja u bë hi e pluhur! E Laookonti me të bijtë, Antifate e Timbreus, mbetën të skalitur lidhur nga gjarpërinjtë, në këtë histori që na e tregon në shekuj skulptura madhështore e realizuar nga një bllok i vetëm mermeri nga skulptorët e pavdekshëm Agesandri me të bijtë: Polidori e Atenodori.

Skulptura është një nga kryeveprat, që do të bënte hapin e parë në themelimin e Muzeve të Vatikanit.

Goditje kundër bukurisë!

Pikërisht këtë kompozim të pashoq në mermer e goditën njerëz që nuk dinë ç’është bukuria e çfarë vlere kanë kryevepra të tilla, që mbartin në shekuj mbi supe historinë e njerëzimit! Një nga të cilat vijon t’i flasë botës nga Muzetë e Vatikanit, duke mahnitur mijëra miq të bukurisë.

Dëmtuesit e kompozimit skulpturor nuk do të shpëtojnë nga “gjarpërinjtë” – domethënë nga brerjet e ndërgjegjes - për aktin e kryer që, natyrisht, nuk do të mbetet pa dënim as nga dora e njeriut, dashuronjës i bukurisë së  artit, për të cilën shkrimtari i madh rus Dostojevski shkruante “Bukuria do ta shpëtojë botën”.

Mos e prishni bukurinë - duket sikur i bëjnë thirrje botës – e doemos edhe dëmtuesve - nga Muzejtë e Vatikanit Agesandri dhe të bijtë: Polidorin e Atenodorin, që krijuan tri figura mitike, të cilat duken si të gjalla ashtu, të skalitura në mermer!

16 qershor 2023, 10:43