Kërko

Sinodo, pubblicato l'Instrumentum Laboris per la XVI Assemblea generale Sinodo, pubblicato l'Instrumentum Laboris per la XVI Assemblea generale

Sinodi, Instrumentum Laboris: një Kishë, që i mirëpret të gjithë, pa mohuar dallimet

Publikohet dokumenti udhëzues për punën e asamblesë së përgjithshme të ipeshkvijve, që do të mbahet në tetor 2023 dhe në vitin 2024, mbi temën e sinodalitetit. I ndarë në dy makroseksione, është rezultat i kontributeve të etapave dioqezane dhe kontinentale të Sinodit mbi përvojën e Kishave në botë, sidomos të atyre, që vuajnë nga luftërat, pabarazitë, varfëria, plagët e abuzimeve

R.SH. – Vatikan

Rreth gjashtëdhjetë faqe, në të cilat është përfshirë përvoja e Kishave të çdo rajoni të botës, sidomos të atyre, që po përjetojnë luftëra, ndryshime klimatike, sisteme ekonomike, të cilat prodhojnë "shfrytëzim, pabarazi dhe ‘hedhurina’”. Ky është Instrumentum Laboris i Sinodit të ardhshëm të ipeshkvijve mbi sinodalitetin, që do të mbahet – në fazat e tij përfundimtare – në tetor 2023 dhe në vitin 2024, paraqitur sot në Vatikan. Por jo vetëm kaq! Në të gjejnë vend edhe Kishat, besimtarët e të cilave vuajnë martirizimin, në vendet ku janë pakicë, ose ku duhet t’i bëjnë ballë "një shekullarizimi gjithnjë e më të madh, nganjëherë, edhe agresiv". Kishat e plagosura nga abuzimet “seksuale, të pushtetit dhe të ndërgjegjes, nga abuzimet ekonomike dhe institucionale”, plagë që kërkojnë përgjigje dhe “kthesë”. Kishat, që nuk kanë frikë nga sfidat, pavarësisht se nuk bien në kurthin e “zgjidhjes së tyre me çdo kusht”, por impenjohen në shoshitjen sinodale: "Vetëm kështu tensionet mund të bëhen burim energjie dhe të mos kalojnë në polarizime shkatërrimtare".

Për “t’u zhvilluar si Kishë sinodale”

 Dokumenti bazë për punimet e Sinodit të ardhshëm përmbledh përvojën e dioqezave të gjithë botës, të cilat, duke filluar nga 10 tetori 2021, reflektuan për dy vite me radhë mbi argumentet më të rëndësishme për “t’u zhvilluar si Kishë sinodale”, pra, si Kishë, që merr parasysh mendimin e gjithë popullit të Zotit, siç kërkon Papa Françesku. Instrumentum Laboris do të shërbejë për reflektimin gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Ipeshkvijve, por njëkohësisht, do të përdoret edhe për ta përgatitur atë. “Qëllimi i procesit sinodal – nënvizohet në tekst – nuk është prodhimi i dokumenteve, por hapja e horizonteve të shpresës”.

Një tekst kryesor dhe nga pesëmbëdhjetë skeda pune

Instrumentum Laboris - paraqitur sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit - përbëhet nga një tekst kryesor dhe nga pesëmbëdhjetë skeda pune, që nxjerrin në pah një vizion dinamik të vetë konceptit të "sinodalitetit". Ai është i ndarë në dy "makroseksione": seksioni A, që flet mbi përvojën e këtyre dy viteve dhe rrugën për t'u bërë gjithnjë e më shumë një Kishë sinodale; seksioni B - i titulluar “Bashkim, mision, pjesëmarrje” - i cili vë në dukje "tri çështje me përparësi", në qendër të punimeve të tetorit 2023. Ato lidhen me tri tematikat kryesore: zhvillimi në “bashkësi”, duke i mirëpritur të gjithë, pa përjashtim; njohja dhe vlerësimi i kontributit të çdo të pagëzuari për “misionin” e Kishës; identifikimi i strukturave dhe i dinamikave të mbarështimit të një Kishe sinodale misionare, përmes të cilave mund të organizohet në kohë “pjesëmarrja” dhe autoriteti i saj.

Fytyra e Kishës bart shenjat e krizave të rënda

Në këtë kuadër, shprehet qartë "dëshira për një Kishë gjithnjë e më sinodale edhe në institucionet, strukturat dhe procedurat e saj". Kisha sinodale është sidomos "Kishë e dëgjimit", prandaj, "dëshiron të jetë e përvuajtur, duke e ditur se duhet të kërkojë falje dhe se ka shumë për të mësuar". “Sot, fytyra e Kishës bart shenjat e krizave të rënda të besimit dhe besueshmërisë”, thuhet në Instrumentum laboris. “Në shumë vende, krizat e lidhura me abuzimin seksual, ekonomik, me abuzimet me pushtetin dhe me ndërgjegjen, e kanë shtyrë Kishën ta shqyrtojë mirë vetveten, në mënyrë që, nën dikimin e Shpirtit Shenjt, të mos reshtë së rinovuari, në udhën e pendesës e të kthesës, që hap shtigje pajtimi, shërimi e drejtësie”.

"Kishë takimi e dialogu"

 Kisha sinodale është edhe "Kishë takimi e dialogu" me besimtarët e feve, të kulturave dhe të shoqërive të tjera. Është Kishë, që “nuk ka frikë nga larmia”, por “e vlerëson atë, pa e detyruar të shkojë drejt uniformitetit”. Më pas, vijon dokumenti, sinodale është Kisha, e cila ushqehet vazhdimisht nga misteri, që kremton në liturgji, gjatë së cilës "përjeton çdo ditë unitetin radikal në të njëjtën lutje", por në "larminë" e gjuhëve dhe të riteve.

Tema të tjera të rëndësishme në Instrumentim Laboris

Tema të tjera të rëndësishme në Instrumentim Laboris kanë të bëjnë me çështjen e autoritetit ("Jemi në linjën e parametrave, që rrjedhin nga kjo botë, apo në atë të shërbimit?", është njëra nga pyetjet); pastaj, nevoja për "formim të gjithanshëm të Popullit të Zotit, si në fillim ashtu edhe në vijim" të jetës së krishterë; “përpjekjet” për ripërtëritjen e gjuhës së përdorur në liturgji, në predikim, në katekezë, në artin kishtar, si edhe në të gjitha format e komunikimit me besimtarët dhe me opinionin publik, përmes mediave të reja e të vjetra. "Përtëritja e gjuhës - thuhet së fundi, në tekst - duhet të synojë ta bëjë atë të kuptueshme dhe tërheqëse për burrat dhe gratë e kohës sonë, pa u bërë pengesë, që i mban larg".

20 qershor 2023, 14:32