Kërko

Kardinali Parolin përuron Info Point në Via della Conciliazione për Jubileun 2025 Kardinali Parolin përuron Info Point në Via della Conciliazione për Jubileun 2025

Parolin: ndjekim me dashuri Papën në Gemelli, shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin përuron Info Point në Via della Conciliazione për Jubileun 2025 dhe u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve mbi ndërhyrjen kirurgjikale të Papës Françesku: "Sapo të kalojë koha e nevojshme për operacionin, mendoj se do të rifillojë veprimtarinë, megjithëse nga shtrati i spitalit”. Për misionin e kardinalit Zuppi në Kiev: "Do të shihemi sapo të kthehet dhe do t'i raportojmë Papës. Mbetet akoma hipoteza e Moskës"

R.SH. – Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin përuroi në mesditë Info Point në Via della Conciliazione për Jubileun 2025 dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi ndërhyrjen kirurgjikale të Papës Françesku, pasditen e sotme: "Sapo të kalojë koha e nevojshme për operacionin, mendoj se do të rifillojë veprimtarinë, megjithëse nga shtrati i spitalit”. E ndjekim me dashuri e me lutje, duke shpresuar që gjithçka do të zgjidhet shpejt, nënvizoi ai, pas shtrimit të Atit të Shenjtë në Poliklinikën Gemelli, për një operacion në bark. Nuk pati fjalë të tjera përveçse atyre të deklaratës së Sallës së Shtypit të Vartikanit, duke shtuar vetëm se operacioni bëhet në anestezi të plotë, do të zgjasë disa orë dhe se Ati i Shenjtë do të qëndrojë disa ditë në spital.

Misioni i Zuppit në Kiev

Në bisedën e shkurtër të kardinalit me gazetarët, nuk mungoi edhe pyetja për misionin e kardinalit Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në Kiev, faza e parë e "misionit", që i është besuar nga Papa për "uljen e tensioneve" në luftën ukraino-ruse. “Synimi i misionit të kardinalit Zuppi është bashkëpunimi, një kontribut i mëtejshëm që Selia e Shenjtë mund të japë për paqen”, nënvizoi kardinali Parolin. Ai shpjegoi se nuk ka asgjë të re në krahasim me kohën e takimit të Papës me presidentin Zelensky, i cili i kërkoi ndihmë për të kthyer në vend fëmijët ukrainas, çuar me forcë në Rusi. “Qëndrimi i ukrainasve është po ai”, sqaroi prelati, “por fakti që flasin me të tjerët dhe dëgjojnë për qëndrime e këndvështrime paksa të ndryshme, sigurisht, mund të jetë i dobishëm dhe favorizues për paqen. Çfarë zhvillimesh do të ketë? Nuk e di, të shohim”.

Udhëtimi i mundshëm në Moskë

Përsa i përket një udhëtimi të mundshëm të kardinalit Zuppi në Moskë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit pohoi se "do të diskutojmë me të për hapat e mëtejshme, që duhet të ndërmarrim". “Nga ana e Papës – përsëriti ai – ideja ishte e një misioni në dy kryeqytetet, perspektiva e Moskës duhet të mbetet e hapur, por konkretisht do ta shohim më vonë”. Tani për tani, është planifikuar një takim ndërmjet kardinajve Parolin dhe Zuppi, pas kthimit të këtij të fundit, për t’i raportuar Papës.

07 qershor 2023, 14:00