Kërko

Paraqitja e librit “Papët dhe Media” Paraqitja e librit “Papët dhe Media”  

"Papët dhe media", libër i ri i Imzot Viganò. Kard. Zuppi: mbush një zbraztësi historiografike

Dje, në Bolonjë, Kardinali Zuppi paraqiti vëllimin e përgatitur nga kryetari i Fondacionit “Kujtime audiovizive të katolicizmit”, i cili pasqyron proceset editoriale të dokumenteve të mëdha të Magjisterit papnor të viteve 1900 lidhur me mediat masive audiovizive. Titullohet: "Një element i ri për njohjen e marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike dhe medias, në përkim me kërkesat e Papës Françesku".

R. SH. - Vatikan 

“Mbushja e një zbraztësije historiografike dhe hapja e rrugëve të reja të kërkimeve për të ardhmen”. Sipas kardinalit Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (KII) dhe kryeipeshkëv i Bolonjës, kjo është merita kryesore e vëllimit "Papët dhe Media. Redaktimi dhe transmetimi i dokumenteve të Piut XI dhe Piut XII për kinemanë, radion dhe TV", përgatitur nga Imzot Dario Edoardo Viganò, kryetar i Fondacionit “Kujtime audiovizive të katolicizmit”.

Marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe mediave

Duke folur në takimin e paraqitjes, në sallën Marescotti të Universitetit Alma Mater Studiorum të Bolonjës, Kardinali e quajti veprën e botuar nga Il Mulino, "përgjigjja e parë e rëndësishme" që i jepet kërkesave të Papës Françesku për "të gërmuar në burimet audiovizive dhe për të reflektuar mbi evolucionin e marrëdhënieve të katolicizmit me mediat e reja”. Kard. Zuppi rishqyrtoi disa faza të itinerarit historik të këtyre marrëdhënieve, duke u nisur nga bekimi i operatorëve të kinemasë nga Leoni XIII, për të vijuar  me enciklikat Vigilanti Cura nga Piu XI dhe Sacra Virginitas e Miranda prosus nga Piu XII, Papa i cili ia besoi dokumentarit Pastor Angelicus të Romolo Marcellinit, përfaqësimin në ekranin e madh të rolit të tij si autoritet moral suprem.

Ndërmjet ungjillizimit dhe vigjilencës

Në lëkundjen fillestare ndërmjet qëndrimit, që e shihte median si instrument ungjillizimi dhe apostullimi, por edhe si nxitje për një angazhim të ripërtërirë për kontroll dhe moralizim, sipas Kryeipeshkvit të Bolonjës, mund të kuptohet evolucioni i qëndrimit të Kishës Katolike ndaj mjeteve të reja të komunikimit, në qendër të vëmendjes në esetë e mbledhura nga Imzot Viganò. "Nëse, nga njëra anë, dëshira për të qenë vigjilentë dhe të vëmendshëm për të garantuar respektimin e diktateve fetare edhe nga mediat e reja, nuk u hoq kurrë" - vuri në dukje kardinali, "nga ana tjetër, ndërgjegjësimi më i madh ishte gjithnjë e më i nevojshëm për t’i përshtatur të krishterët me kohët e reja, në të cilat mediat kanë një nga rolet më të rëndësishme për njohjen me çka ndodh në mbarë botën. E edhe në Kishë!

Zhvendosja e paradigmës së Vatikanit II

Sipas kreut të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kjo është "një nga shenjat më të dukshme në rrugën e maturisë e të ndërgjegjësimit mbi rolin e mediave masive në evolucionin social dhe antropologjik të rrethanave bashkëkohore", që Kisha diti ta rishikojë me sy të rinj, duke nisur nga  "kthesa e Koncilit II të Vatikanit".

24 qershor 2023, 12:21