Kërko

ospedale Gemelli a Roma ospedale Gemelli a Roma

Papa nga Gemelli, ftesë dashurie për të vuajturit

Françesku, në spital, pas laparotomisë, vijon të marrë shumë mesazhe afërsie dhe urime për shërim të shpejtë. Prania e Papës, durimtar ndërmjet durimtarëve, tërheq vëmendjen e të gjithë atyre, që vuajnë si ai ndër spitale

R.SH. / Vatikan

Papa është në Poliklinikën Gemelli i rrethuar nga dashuria dhe i mbështetur nga lutjet e shumë njerëzve në mbarë botën. Shërimi i tij pas operacionit - na ngushëllojnë mjekët - po ecën shumë mirë. "Sëmundja është pjesë e përvojës sonë njerëzore", shkroi Papa Françesku në mesazhin e tij për Ditën Botërore të XXXI të të sëmurëve, që do të kremtohet më 11 shkurt, në kulm të procesit sinodal. Me këto fjalë Papa Bergoglio na ftoi, e na fton, të reflektojmë për faktin se “nëpërmjet përvojës së brishtësisë dhe sëmundjes ne të gjithë mund të mësojmë të ecim së bashku në stilin e Zotit, që është afërsi, dhembshuri, butësi”. E tani këto fjalë duken edhe më të vërteta.

Papa, që të mërkurën e kaluar, 7 qershor 2023, ishte në shesh, ndërmjet besimtarëve -  e disa orë më vonë në sallën e operacionit - është edhe një herë dëshmitar i shpresës, edhe në brishtësi, gjendje njerëzore kjo, dhe na tregon drejtimet: jo ato që të çojnë tek ai, por tek zemra e Krishtit, në të cilën  gjithçka gjen formën dhe përgjigjen e vet. Dje përqafimi i kolonadës së Berninit, që rrethon Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, u shtri deri në Poliklinikën Agostino Gemelli, ku Ati i Shenjtë kremtonte privatisht Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Por nuk ishte vetëm: në orën 12.00, si zakonisht, e rrethonin simbolikisht njerëz nga mbarë bota, disa prej të cilëve, nën dritaren e tij në spitalin Gemelli, ku spontanisht u mblodhën shumë njerëz, për të  ndjekur lutjen mariane të Papës, me sytë e ngulur tek dritarja, pas së cilës  kremtohej Engjëlli i Tënzot!

Duke parë vizatimet e fëmijëve për Françeskun apo duke lexuar mesazhet e shumta të afërsisë që mbërrijnë nga çdo cep i planetit, me postë apo nëpërmjet internetit, “mund të prekim me dorë” dashurinë e popullit të Zotit për Vikarin e Krishtit që është Papa!

Duke e lexuar atë që po ndodh nga një këndvështrim tjetër, është shumë e qartë dhe e papërmbajtshme nxitja që vjen nga Papa, nga gjendja e tij aktuale, e cila edhe një herë nuk synon vetveten, por drejtohet e tëra  drejt të tjerëve, plot kujdes për më të dobtin, më të brishtin, më të vetmuarin. Sëmundja që po jeton tani Françesku, të bën të mendosh për gjendjen e njeriut që  përballon vuajtjen, frikën, shpesh në vetmi dhe varfëri… Ndaj Ati i Shenjtë u bën thirrje të gjithëve për vëllazërim, sidomos në këto kushte!

"Njerëzit e sëmurë - shkroi Françesku - janë në qendër të popullit të Zotit, i cili shkon përpara së bashku me ta, si profeci e një njerëzimi ku secili është i çmuar dhe askush nuk duhet  flakur tutje". Pasqyra që na vë para Papa nga heshtja e dhomës së spitalit, është një mundësi e shkëlqyer ndryshimi për secilin prej nesh, për ta forcuar ose për ta filluar udhëtimin drejt tjetrit, për t’i parë fytyrën, për t’i zgjatur dorën atij që ka nevojë e që ka dhimbje e kështu thjesht, ta duash!

12 qershor 2023, 12:09