Kërko

POVERI INDIA POVERI INDIA

Papa: në të varfrin shohim fytyrën e Zotit

R.SH. - Vatikan

“Mos e largo vështrimin nga asnjë skamnor” (krh Tb 4,7). Kur jemi përballë një të varfëri, nuk mund ta kthejmë shikimin në anën tjetër, sepse e pengojmë vetveten të takojmë fytyrën e Zotit Jezus”. Kështu pohon Papa në një tweet, 13 qershor 2023, në faqen @Pontifex.

Injorimi i të varfërve është përbuzje për Zotin

Në të varfërit, vjen të na takojë vetë Jezu Krishtin. Injorimi i të varfërve është përbuzje për Zotin. Prandaj Kisha e Papa na ftojnë të zbulojmë e njohim Krishti ndër të varfërit, përmes lëmoshës së bërë në fshehtësi e pa mburrje.

Të mirat materiale që kemi, nuk duhen shikuar vetëm si prona jonë: kanë vlerë shoqërore, sipas parimit të destinacionit të tyre universal (Katekizmi i Kishës Katolike, n, 2404). Në se ndonjëri ka pasuri të kësaj bote e, duke i parë vëllezërit e vet në nevojë, ua mbyll zemrën, si mund të banojë në të dashuria e Hyjit? (1 Gjn. 3, 17).  Kjo thirrje për t’i ndarë pasuritë së bashku me shumicat që vuajnë, sepse janë të varfër e të braktisur në shoqëri, merr një kuptim të veçantë. Është detyrë drejtësie, para se të jetë bamirësi.

Duke ndihmuar të varfërit, afrohemi me të tjerët,  i afrohemi Zotit e të bëhemi mjet i kthesës dhe i pajtimit me Të e me vëllezërit. Dashuria e ndihma ndaj të varfërve i kalon përmasat materiale dhe shpreh të vërtetën mbi qenien tonë: na kujton se nuk jemi krijuar për vetveten, por për Hyjin e për vëllezërit (cfr 2. Kor. 5, 15).  Na bën të provojmë se përkryerja e jetës buron nga dashuria e çon në pajtimin me Zotin, sepse ‘dashuria mbulon një mori mëkatesh’ (1 Pt 4,8).

13 qershor 2023, 13:00