Kërko

Miting Botëror kushtuar Vëllazërisë Njerëzore, 10 qershor 2023. Miting Botëror kushtuar Vëllazërisë Njerëzore, 10 qershor 2023. 

#NotAlone,Kardinali Parolin: bota ka nevojë për shpresë dhe vëllazëri

Mitingu Botëror për Vëllazërinë Njerëzore u hap me takimin e 5 grupeve të punës: fituesit e çmimit Nobel, mjedisi, shkollat, të pambrojturit dhe shoqatat. Duke folur gjatë këtij aktiviteti, Sekretari i Shtetit të Vatikanit deklaroi se Papa Françesku është mirë dhe tashmë ka shprehur dëshirën për të rifilluar punën.

R. SH. - Vatikan

 “Sot u mblodhët si shenjë shprese për botën. Vetë bashkimi juaj është shenjë shprese! Zgjodhët takimin e pasurive të larmive dhe përvojave të secilit, për të dëshmuar atë që e bashkon humanitetin tonë dhe na bën të njihemi të gjithëve si vëllezër, siç na mëson Ati i Shenjtë Françesku me magjisterin e tij”. Me këto fjalë të kardinalit Pietro Parolin, u hap Takimi Botëror për Vëllazërinë Njerëzore, titulluar “Kurrë vetëm”. "Të punosh me frymë vëllazërimi - shpjegoi kardinali Parolin, duke iu drejtuar 30 fituesve të Çmimit Nobel - është përgjegjësi nga e cila nuk mund të heqë dorë kush është i thirrur të gjallërojë kulturën e marrëdhënieve ndërkombëtare". “Shumë prej jush, përmes veprimtarive në zonat e konfliktit,  dëshmojnë me shembullin e jetës se kur ndërpritet dialogu, marrëdhëniet zvetënohen, ndërsa vëllazëria që bashkon është më e fortë se dhimbja, që ndan. Shumë prej jush mund të dëshmojnë se nuk është aspak e lehtë të merresh me fijen e dialogut, shpesh dredharak e jo më pak, edhe i pakënaqshëm. E megjithatë, është gjëja më fisnike që ekziston për të mirën e bashkësisë njerëzore, si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar”

Angazhimi i fituesve të Çmimit Nobel

30 laureatë të Çmimit Nobel po marrin pjesë në Takimin Botëror për Vëllazërinë Njerëzore. Ish-presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, shprehu, për Vatican News, besimin se vendet e ndryshme do të gjejnë mënyra dialogu dhe bashkëpunimi. Kjo është rruga e vetme, vërejti ai, për të jetuar si vëllezër. “Procesi kolumbian i paqes - shtoi - më mësoi se nuk ka konflikte që nuk mund të zgjidhen; Besoj se me këtë mentalitet mund të zgjidhim shumë nga konfliktet që ekzistojnë sot në botë”. Ish-presidenti i Kosta Rikës, Oscar Arias Sanchez, theksoi se "lufta në Ukrainë është më e egra dhe më e dhimbshmja". “Të krijohet përshtypja se  të dyja palët në konflikt nuk kanë asnjë interes për të biseduar”. Ekonomisti Muhamed Yunus, fitues bengalez i Çmimit Nobel, nënvizoi se fakti që Vatikani e organizoi këtë takim, është shumë i rëndësishëm: "bota po shkon në drejtimin e gabuar". “Duhet të ngremë zërin – pohoi në Vatican News – për të kujtuar se po ecim në drejtimin e gabuar. Ne duhet të sjellim paqen dhe të krijojmë një botë të re, në vend të botës që kemi ndërtuar sot". Fituesi jemenas i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2011, Tawakkul Karman nënvizoi se vëllazëria "nuk ka të bëjë vetëm me përhapjen e mesazheve". Shumë më tepër: "ka të bëjë me përforcimin e tyre " në mënyrë që ta kuptojmë vërtetësisht vëllazërinë dhe “t’i mbështesim njerëzit që vetflijohen, që luftojnë për liri, për drejtësi, për demokraci, për paqe, jo ata i që sulmojnë këto vlera”.

Rrugët e vëllazërisë

“Kurrë vetëm!” është nismë, e frymëzuar nga enciklika Fratelli tutti, e organizuar nga Fondacioni i Vatikanit me të njëjtin emër në bashkëpunim me Bazilikën e Shën Pjetrit, Dikasterin për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor dhe Dikasterin për Komunikim për të promovuar kulturën e vëllazërisë, dialogun dhe paqen, që bashkoi personalitete dhe të rinj të ndryshëm nga e gjithë bota. Dy, janë çastet e saj kryesore: sot në mëngjes u takuan 5 grupe pune - fituesit e çmimit Nobel, mjedisi, shkollat, të pambrojturit dhe shoqatat - për të trajtuar temën e vëllazërisë dhe të rrugëve të bashkimit. Pasdite, në orën 16.00, do të nisë Takimi, i drejtuar nga Carlo Conti, një çast feste dhe bashkimi në emër të artit dhe të muzikës.

Kardinali Parolin: Papa është mirë

Para hapjes së Takimit Botëror për Vëllazërinë Njerëzore të titulluar "Kurrë vetëm", ​​kardinali Pietro Parolin foli me gazetarët. Duke iu përgjigjur veçanërisht  pyetjes për shëndetin e Papës Françesku, Sekretari i Shtetit i Vatikanit deklaroi se Papa “është mirë". “Operacioni shkoi mirë, ndërsa lajmi, të cilin e mora jashtë asaj që është publikuar - kujtoi kardinali - është se përparimi është pozitiv dhe se Papa tashmë ka shprehur dëshirën e tij për të rifilluar punën; kështu që kjo është një shenjë e mirë”.

 Lufta në Ukrainë: Selia e Shenjtë e përqendruar në aspektet humanitare

Kardinali Parolin kujtoi edhe konfliktin në Ukrainë: “Tani do t'i flasim Papës për rezultatet e vizitës së kardinalit Zuppi, i cili është kthyer; më pas do të reflektojmë së bashku për vazhdimin e gjithë kësaj”. Misioni i Kreut të Konferencës së ipeshkvijve italianë - pohoi Sekretari i Shtetit - "shkoi shumë mirë": "pati edhe një takim me presidentin Zelensky gjatë të cilit mundi të thellonte "ato koncepte që presidenti ia kishte shprehur Atit të Shenjtë ". Ndërmjet tyre, "plani i paqes, që do të dëshironim të kishte një konsensus më të gjerë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare". "Sigurisht që në këtë drejtim - shpjegoi Kardinali Parolin - mund të përfshihet edhe Selia e Shenjtë dhe tani do të shohim se si, veçanërisht për sa i përket aspekteve humanitare". Kjo, shtoi ai, "mund të jetë fusha e veçantë në të cilën mund të punojmë edhe ne".

I mundshëm, takimi i Kardinalit Zuppi me Patriakun Kirill

Më pas, kardinali iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me një takim të mundshëm të kardinalit Zuppi me Patriarkun Kirill: “Nuk kemi folur ende për vizitën në Moskë, fillimisht duhet të informojmë Atin e Shenjtë e të shohim se cilat janë orientimet e tij. Por mendoj se takimi me Patriarkun Kirill nuk do të ishte i vështirë”. Në lidhje me situatën e fëmijëve të dëbuar në Rusi, Sekretari i Shtetit i Vatikanit nënvizoi, më pas, se është "çështje shumë, shumë delikate". “Ka të bëjë me gjetjen e formulave, por nuk është e lehtë; ne - shtoi -  mendojmë ta vazhdojmë punën në këtë drejtim”.

Udha e vëllazërisë

Së fundi, duke u ndaluar tek takimi i nobelistëve në kuadër të ngjarjes së titulluar “Kurrë vetëm”, kardinali Parolin theksoi se të gjithë “ duhet të angazhohen të punojnë për vëllazërinë njerëzore”. Kuptimi i kësaj dite - pohoi - është "angazhim konkret për të kapërcyer konfliktet përmes rrugës kryesore, që na e ka treguar Papa në enciklikën Fratelli Tutti: atë të vëllazërisë".

10 qershor 2023, 14:53