Kërko

2023.06.10 Incontro mondiale sulla Fraternità Umana 2023.06.10 Incontro mondiale sulla Fraternità Umana

Papa për vëllazërinë: të mos lodhemi kurrë duke i thënë "jo luftës"

Edhe pse nuk mund t'ju mirëpres personalisht, do të doja t'ju përshëndes e t'ju falënderoj shumë për ardhjen tuaj. Jam i lumtur të pohoj, bashkë me ju, dëshirën për vëllazëri dhe paqe në jetën e botës - me këto fjalë e nisi Papa përshëndetjen drejtuar pjesëmarrësve në Mitingun Botëror për Vëllazërinë Njerëzore që u mbajt në Vatikan. Mesazh që u lexua nga Kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit, Kardinali Mauro Gambetti. Zoti është atje, ku janë vëllezërit e tu.

R.SH. / Vatikan

Në Takimin Botëror mbi Vëllazërinë Njerëzore, mbajtur sot pasdite në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, morën me mijëra njerëz, e nuk ka munguar as “prania” e Papës Françeskut. Fjalimi i tij i përgatitur për këtë rast u lexua nga Kardinali Gambetti, kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit, Vikar i Papës për qytetin e Vatikanit dhe president i Fondacionit ‘Fratelli tutti’. " Atë që përjetojmë sot le të jetë një hap i parë në udhën e vëllazërimit, të bëhet një angazhim jetësor dhe një profeci shprese".

“Edhe pse nuk mund t’ju mikpres personalisht, dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen e t’ju falënderoj me gjithë zemër që erdhët, i kënaqur që mund të pohoj bashkë me ju dëshirën për vëllazëri e paqe në jetën e botës”. Këto, fjalët e para të përshëndetjes së Papës, drejtuar pjesëmarrësve në Mitingun, mbajtur në Sheshin e Sjën Pjetrit në Vatikan, kushtuar vëllazërisë njerëzore.

Zoti është atje, ku janë vëllezërit e tu

Një shkrimtar - kujtoi Papa Françesku në vijim të kësaj përshndetjeje të jashtëzakonshme, lexuar nga Kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit, Kardinali Mauro Gambetti, - vendosi këto fjalë në buzët e Françeskut të Asizit: "Zoti është atje, ku janë vëllezërit e tu(E. Leclerc, Mençuria e një të varfëri). Vërtet, Qielli që është mbi ne, na fton të ecim mbi tokë së bashku, të rizbulojmë veten si vëllezër dhe të besojmë në vëllazërinë, si dinamikë themelore e shtegtimit tonë.

Në Enciklikën Fratelli tutti shkrova se "vëllazëria ka diçka pozitive për t'i ofruar lirisë dhe barazisë" (n. 103), sepse kushdo që sheh një vëlla, sheh tek tjetri një fytyrë, jo një numër: është gjithmonë "dikush" që ka dinjitet dhe meriton respekt, jo "diçka" për t'u përdorur, për t’u shfrytëzuar ose për t’u flakur tutje. Në botën tonë të copëtuar nga dhuna dhe lufta, retushimi dhe rregullimet nuk mjaftojnë: vetëm një aleancë e madhe shpirtërore dhe shoqërore që lind nga zemrat dhe sillet rreth vëllazërisë, mund ta kthejë shenjtërinë dhe paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor në qendër të marrëdhënieve.

Vëllazëria nuk ka nevojë për teori, por për gjeste konkrete

Për këtë arsye - vijoi përshëndetja e Papës - vëllazëria nuk ka nevojë për teori, por për gjeste konkrete dhe zgjedhje të përbashkëta, që e bëjnë kulturë paqeje. Prandaj, pyetja që duhet t'i bëjmë vetes nuk është se çfarë mund të më japë shoqëria dhe bota, por çfarë mund t'u jap unë vëllezërve dhe motrave të mia:

“Duke u kthyer në shtëpi, le të mendojmë çfarë gjesti konkret vëllazërimi mund të bëjmë: të pajtohemi me familjen, miqtë apo fqinjët, të lutemi për ata që na kanë lënduar, të njohim dhe t’i ndihmojmë nevojtarët, të çojmë një fjalë paqeje në shkollë, universitet apo në jetën shoqërore, për ta vajosur me afërsi dikë, që ndihet i vetmuar...”

Ta ndjejmë veten të thirrur për të përdorur balsamin e butësisë në marrëdhëniet e bëra gangrenoze, ndërmjet individëve dhe popujve. Të mos lodhemi kurrë duke bërtitur "jo luftë", në emër të Zotit a në emër të çdo burri dhe çdo gruaje, që e dëshiron me gjithë zemër paqen.

 Kjo, thirrja e Papës, që më pas kujtoi vargjet e Giuseppe Ungarettit i cili, në zemër të luftës, ndjeu nevojën të fliste pikërisht për vëllezërit, parë si “Fjalë e dridhshme/ nëpër natë/  e gjeth i sapolindur”//.

Vëllazëria është një e mirë e brishtë dhe e çmuar. Vëllezërit janë spiranca e së vërtetës në detin e stuhishëm të konflikteve, që mbjellin gënjeshtra. Të kujtosh vëllezërit, do të thotë t’u kujtosh atyre që luftojnë dhe të gjithë neve, se ndjenja e vëllazërisë që na bashkon, është më e fortë se urrejtja dhe dhuna, madje i bashkon të gjithë në të njëjtën dhimbje:

“Prej këndej niset e riniset, nga ndjenja ‘e të ndenjurit së bashku”, shkëndija që mund të rindezë dritën për të ndaluar natën e konflikteve”.

Të besosh se tjetri është vëlla: t'i thuash tjetrit "vëlla" nuk është fjalë boshe, por gjëja më konkrete që mund të bëjë secili prej nesh. Do të thotë të emancipohesh nga varfëria e të besuarit se jemi në botë si bij dëshiri. Në të njëjtën kohë, do të thotë ta kapërcesh logjikën e partnerëve, të cilët   bashkohen vetëm për interes, duke ditur t’i kalojnë edhe kufijtë e lidhjeve të gjakut apo të etnisë, njerëz që njohin vetëm kë u ngjet, dhe mohojnë  kë ndryshon prej tyre!

 Po mendoj - vijoi Papa - për shëmbëlltyrën e samaritanit (krh. Lk 10,25-37), i cili ndalet me dhembshuri përpara judeut, që ka nevojë për ndihmë. Kulturat e tyre ishin armike, historitë e tyre të ndryshme, viset e tyre armiqësore me njëri-tjetrin, por për atë njeri, kush gjendej në rrugë dhe nevoja e tij ishin para së gjithash!

Kur burrat dhe shoqëritë zgjedhin vëllazërinë - vijoi përshndetja e Papës, e lexuar nga kardinali Gambetti - ndryshon edhe politika: njeriu ngrihet mbi fitimin, shtëpia ku jetojmë të gjithë, mbi mjedisin për t'u shfrytëzuar për interesat vetjake, puna paguhet me pagën e duhur, mikpritja bëhet pasuri, jeta shpresë, drejtësia dëmshpërblim dhe kujtimi i së keqes së bërë shërohet në takimin ndërmjet dy palëve kundërshtare.

Të dashur vëllezër dhe motra – vijoi fjala e Papës drejtuar pjesëmarrësve në këtë tubim të madh, simbolik -  ju falënderoj që organizuat këtë takim dhe që i dhatë jetë "Deklaratës për vëllazërinë njerëzore", të hartuar këtë mëngjes nga fituesit e famshëm të Çmimit Nobel, të pranishëm. Besoj se na ofron “gramatikën e vëllazërimit” dhe është udhërrëfyese për ta jetuar e për ta dëshmuar konkretisht çdo ditë. Keni punuar mirë së bashku dhe ju faleminderit shumë!

“Le të jetë ai, që përjetojmë sot, hapi i parë i një udhe që mund të nisë një proces vëllazërimi: sheshet e lidhura me këtë ngjarje nga qytete të ndryshme të botës, të cilat i përshëndes me mirënjohje dhe dashuri, dëshmojnë si për pasurinë e larmisë, ashtu edhe për mundësinë që të jemi vëllezër edhe kur nuk jemi pranë, siç më ndodhi mua. Ecni përpara!”.

Dua t'ju përshëndes duke ju lënë një kujtim, kujtimin e një përqafimi:

Nga kjo pasdite e kaluar së bashku, shpresoj të ruani në zemrën dhe kujtesën tuaj dëshirën për të përqafuar gra dhe burra nga e gjithë bota e për të ndërtuar një kulturë paqeje së bashku. Në të vërtetë, paqja ka nevojë për vëllazëri dhe vëllazëria ka nevojë për takim. Le të bëhet angazhim jetësor përqafimi i dhënë dhe i marrë sot, i simbolizuar nga sheshi në të cilin po takoheni. Dhe profecia e shpresës:

“Unë vetë ju përqafoj dhe, ndërsa ju përsëris falënderimet, ju them me zemër: Jam me ju!”.

Ishte  përqafim i çuditshëm, por jo i sëmurë, ndonëse i dalë nga një spital. Përkundrazi: përqafimi i shëndetshëm i një Pape që di të jetë pranë e pranë mbarë njerëzimit, edhe nga dhoma e një spitali, prej përhapet në të katër anët e globit përshëndetja: “Jam me ju!”.

10 qershor 2023, 18:12