Kërko

2023.04.14 SegretiCont 2023.04.14 SegretiCont

Kryqi dhe lufta e njeriut kundër njeriut në art

Për të treguar tmerrin e papërshkrueshëm të luftës, artistët evropianë, edhe larg Kishës, krijuan një mori veprash e kryeveprash kushtuar vdekjes së Krishtit në kryq. Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor i Muzeut të Vatikanit, i krijuar nga Pali VI në 1973 ruan dëshmi të rëndësishme prej tyre. Disa kryevepra janë ekspozuar përgjatë itinerarit të vizitës, të tjera ruhen, larg syve, në depozita e magazina

R. SH. / Vatikan

Ndoshta më shumë se fjala, figura është në gjendje t'i japë formë nuancave të shumta të ndjenjave e të emocioneve: nga gëzimi - në trishtim, nga habia - në melankoli, nga besimi - në frikë dhe dëshpërim. Kjo ndodh, për shembull, me trazirat e shkaktuara nga egërsia e pakuptimtë e luftës: një veprim, që Papa Françesku nuk ngurron ta quajë "barbar dhe sakrilegj": "Me çmendurinë e luftës - pohon Ipeshkvi i Romës - njerëzimi rikthehet tek kryqëzimi i Krishtit”.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

Figura dhe fjala

Për të përfaqësuar dramën e viktimave të pafajshme, brutalitetin e bombardimeve që mbjellin vdekjen pa pyetur për kushte, në vitet ndërmjet luftërave botërore artistët, edhe larg Kishës, shpesh patën në qendër të vëmendjes figurën e Jezusit, njeriut të dhimbjeve! Kështu, kryqëzimet u bënë "fjalë vizive" për të shprehur hidhërimin dhe protestën kundër abuzimeve të diktaturave dhe luftës së njeriut kundër njeriut.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

9 mijë punime

Rreth nëntë mijë veprat e artit bashkëkohor në Muzetë e Vatikanit janë  dëshmi e gjallë e atij që në fillim quhej Koleksioni i Artit Fetar Modern, sot “Koleksioni i Artit Modern Bashkëkohor”, themeluar me dëshirën e Papës Pali VI, në vitin 1973. Gdhendje druri, gravura, litografi, ardhur nga rreth katër mijë ekzemplarët e koleksionit grafik të Muzeut të Vatikanit. Korpusi i artit bashkëkohor në muzetë e Papës iu dhurua kryesisht në shenjë mirënjohjeje nga artistët Papës Montini, i cili dëshironte ta rikrijonte lidhjen historike dhe të trazuar ndërmjet ndërmjet artit dhe Kishës në shekullin e kaluar.

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit
Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

Ankth e shpresë

Ato, që frymëzohen nga tema e Mundimeve, janë pamje të papërpunuara, nganjëherë tronditëse. Pasqyrë e pyetjeve që burojnë nga ankthi, i përjetuar gjatë viteve të konfliktit. Të tjera, pavarësisht nga ashpërsia e tyre, arrijnë e kanë një rreze shprese në palët e një historie të përshkuar nga urrejtja dhe nga vdekja. Konkretisht, veprat grafike ekspozohen me rrotulla në galeri ose ruhen në errësirën e depozitave të koleksioneve papnore: mbahen larg dritës, në kushte të përshtatshme temperaturash për ruajtjen e letrës, që kërkon kujdes të veçantë dhe vëmendje.

Martirizimi i të pafajshmëve

Një sy i zi, i mbyllur, dhe një datë në ballë: 1918. Është fytyra e Krishtit nga Karl Schmidt Rottluff, një nga protagonistët, së bashku me Erich Heckel dhe Ernst Ludwig Kirchner, e grupit ekspresionist Die Brücke (Ura): u realizua në Gjermani, në kulmin e Luftës së Madhe, që rëndoi mbi Evropën për vite me radhë. Fytyra e Jezusit, e sulmuar dhe e martirizuar nga egërsia njerëzore, thjeshtëzohet formalisht dukshëm, me shkrirje të elementeve kubiste, primitive dhe afrikane.

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit
Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

Rottluff, i cili në fazën e parë të prodhimit të tij artistik qe përqendruar te peizazhi dhe natyra, gjatë viteve, në të cilat u thirr të luftonte në Frontin Lindor iu drejtua temave fetare. Ksilografia e çmuar i përket një dosjeje kushtuar episodeve nga jeta e Krishtit, botuar në vitin 1918 nga botuesi Kurt Wolff Verlag i Mynihut. Hyri në koleksionin e Vatikanit në vitin 1978, si trashëgimi testamentare e Shën Palit VI, të cilit artisti ia kishte dhuruar personalisht.

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit
Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

Mos e kthe kokën në anën tjetër!

"Detyra e artistit është të krijojë dyshime, ndonjëherë të turpërojë, të përforcojë pyetjet, të jetë vigjilent për çështjet etike, të mos kthejë kokën nga ana tjetër" - shpjegon Micol Forti, kurator i Koleksionit të Artit Modern dhe Bashkëkohor të muzeve të Vatikanit. “Pikërisht për shkak të kësaj thirrjeje ai nuk mund t'i shmanget temës kishtare. Arti gjithmonë e ka marrë përsipër të tregojë të keqen që banon në historinë tonë. Përvoja e dy luftërave botërore i vuri artistët e shekullit të njëzetë përballë kësaj detyre të guximshme dhe, në të njëjtën kohë, sublime”.

Fëmijëria e dhunuar

Britma e padisë për vuajtjet e fëmijëve gjatë konflikteve, shpërthen me forcë të dhimbshme nga një litografi, me vlerë të lartë politike, realizuar nga piktori dhe dramaturgu austriak Oskar Kokòschka, ndërmjet viteve 1945 dhe 1946, menjëherë pas Luftës II Botërore. Titullohet "Kreuz und kinder - En memoria de los niños de Viena que moriran de hambre este año 1946" dhe tregon Krishtin duke u shtrirë dorën fëmijëve te këmbët e kryqit: u shtyp në pesë mijë kopje dhe u vendos në Londër, në stacionet e metrosë, me qëllim që të mblidheshin fonde për të ndihmuar jetimët e luftës në Çekosllovaki.

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit
Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

Krishti me të fundmit

Një seri prej 58 litografish të prodhuara ndërmjet viteve 1912 dhe 1948 nga Georges Rouault i kushtohet temës së "Miserere", klithmës së njeriut drejtuar Zotit për të këkuar mëshirë! Fillimi i zakonshëm është Psalmi 50, më i famshmi nga Psalmet e Pendimit, në të cilin mbreti David i kërkon Zotit falje për mëkatet e tij. Artisti, besimtar dhe i vëmendshëm ndaj braktisjes së njerëzimit dhe të fundmëve - prostitutave, të pastrehëve, akrobatëve, njerëzve të vetmuar dhe të braktisur - preferon që teknika grafike të arrijë, përmes përhapjes së gjerë që lejonte, edhe tek shtresat më pak të pasura shoqërore. Projekti kishte një histori editoriale dhe konceptuale shumë komplekse dhe të zgjatur: kërkonte mbi tridhjetë vjet punë dhe përfshinte gjithashtu skena të frymëzuara nga lufta, vdekja dhe mundimet e Krishtit.

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit
Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

“Janë vitet e një France tashmë të shekullarizuar, e cila në 1905 miratoi ligjin e ndarjes së shtetit nga Kisha”, vazhdon Micol Forti, “Rouault frekuenton një rreth artistësh laikë, larg Kishës: megjithatë ata zgjedhin një linjë të lidhur fort me traditën ikonografike. Përvetësimi i temës kishtare bëhet angazhim civil, e tema sociale nuk ka kurrë përparësi mbi atë kishtare. Krishti në këto vepra mishëron njeriun, dhe më të voglin”.

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit
Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

Drama e vdekjeve në det

Citime nga Ungjijtë ose nga figura të lidhura me devocionin popullor dhe praktikën devocionale të Udhës së Kryqit janë të pranishme në një seri tjetër veprash grafike shumë aktuale. Janë prerje druri, ose figura nga një matricë druri, realizuar ndërmjet viteve 1912 dhe 1913, botuar në 1918 nga Lorenzo Viani. Tema është ajo e bekimit të të vdekurve në det, veçanërisht e ndjerë në Viareggio, qyteti i origjinës së piktorit dhe poetit italian, i cili përfaqëson, si Pietà moderne, lotët e grave mbi djemtë dhe burrat e tyre të humbur në det. Nëna të mbuluara me vela të zinj, të hutuara nga dhimbja, peshkatarë veteranë me shenja mundi rraskapitës, të shkatërruar nga vdekja, kufoma të të humburve në det... Janë të dukshme ndër to idetë e nxjerra nga arti afrikan, por edhe nga arti mesjetar italian i Pisanos.

Konkrete dhe të jetuara, këto paraqitje sintetike e rrënqethëse, janë padi kundër vdekjes së pafajshme, shkaktuar nga lodhja e punës në kohë lufte: “Në mëngjesin pasi Italia hyri në luftë, më 1915”, kujton Micol Forti, “Ravena u bombardua, papritur. Jehona e këtij fakti tronditës arriti pranë Viareggios. Përkatësia e këtyre veprave në një strukturë shoqërore dhe kolektive është evidente dhe përkthehet përmes ikonografisë së krishterë”.

Maria tek gratë në të gjithë botën
Maria tek gratë në të gjithë botën

"Matricat prej druri të këtyre fletëve ekzistojnë ende". Viani përdori gogën, një lloj dalte me teh në formë të veçantë. “Dukej se gdhendte hieroglife të padeshifrueshme. Megjithatë, kur u printuan, figurat fituan delikatesën dhe poezinë e formave të zisë, pamjen e Zojës së Bekuar dhe të të gjitha grave të botës”.

Të frymëzuara nga printimet e shekullit të gjashtëmbëdhjetë të Albrecht Dürer, dhe për këtë arsye në dialog me të kaluarën e traditës së madhe artistike evropiane, janë 13 gravura nga spanjolli José Ortega.

Tmerret e kampeve

E neveritshme, humnera, ankthi, realiteti i çmendur dhe i shkretë i kampeve të përqendrimit kujtohen me gjithë vrazhdësinë dhe shkretimin e tyre në vizatimin e 1977-tës të Francesco Messina-s: nga trupat e zhveshur, të pafuqishëm, skeletorë, të shndërruar në skelete, tek vështrimet e heshtura e të dhimbshme të të burgosurve të pafajshëm. Ai frymëzoi gjashtë relievet prej bronzi të ekspozuara në dhomën kushtuar temës së Mundimeve, që përshkruan "tmerret e luftës", ku burrat vrasin njëri-tjetrin, të burgosur ndërmjet telave me gjemba të izolimit. Martirizimi i Krishtit, emblema e të gjitha padrejtësive dhe të këqijave të botës, e rilindjes dhe shëlbimit të tyre, përditësohet nga artisti që portretizon një grua të kryqëzuar me kokë poshtë ose dy burra që luftojnë si Kaini e Abeli: “Luftërat janë gjithmonë të pranishme, siç e dimë mirë, në planetin tonë. Secila është vetëm bartëse e vdekjes dhe e tragjedisë. Pra, vëmendja jonë, pjesëmarrja dhe kujtesa jonë, komenton Micol Forti, janë elemente themelore, që të mos përsëriten më në të ardhmen”.

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit
Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

Piktura e skalitur

Intensive në ngjyrat e forta dhe të ndezura dhe në format me goditje të forta dhe të qarta, Udha e Kryqit krijuar nga artisti sicilian Giuseppe Migneco: "gdhendës druri, që skalit me furçë", siç e përkufizoi një nga admiruesit e tij. “Është vepër e pasluftës,  me datë të pasaktë ekzekutimi, por që mund të jetë krijuar në fillim të viteve 1950. I pa mësuar për të përfaqësuar subjekte të ngjashme, Migneco krijoi 14 stacionet për një koleksionist, që më pas u nis për në Argjentinë: nuk u publikuan kurrë".

Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit
Foto nga A. Poce © Muzetë e Vatikanit

Art, profeci dhe poezi

Punimet e analizuara deri tani janë dëshmi e gjallë që tregon sesi në shekullin e njëzetë nuk ndodhi kurrë ajo që shumë e kanë përcaktuar gabimisht si "divorci ndërmjet artit dhe kishës". Edhe Pali VI, i cili kremtoi meshën me artistët në Kapelën Sikstine, më 7 maj 1964, pohoi se lidhja nuk ishte prishur kurrë, por se ajo duhej të ushqehej dhe kultivohej. Një detyrë shumë aktuale, pavarësisht procesit progresiv të shekullarizimit që vijon të përhapet në dekadat e fundit. Nga mijëra vepra që përbënin bërthamën themeluese të seksionit kushtuar artit bashkëkohor, ne kaluam në nëntë mijë veprat aktuale të dhuruara nga artistët për Muzetë e Vatikanit. Tashmë në koleksion ka rreth pesëqind vepra të datuara pas vitit 2001. E kjo tregon se tema e artit kishtar mbetet burim i frytshëm frymëzimi. Papa Montini i quan artistët "profetë" dhe "poetë", “mjeshtër në përpjekjen për ta bërë të kuptueshme botën e padukshme". Ai u pati thënë artistëve: "Nëse vërtet e kërkojmë Krishtin aty ku është, në parajsë, e shohim të pasqyruar në shpirtin tonë: transhendentja është bërë, në një farë mënyre, miku e mjeshtri i shpirtit”.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

“Artisti që trajton temën kishtare - përfundon Micol Forti – është sigurisht artist që i kushtohet përmbajtjes e nuk ndalet vetëm në kënaqësinë estetike. Edhe Pikaso, i cili gjithmonë e deklaronte veten larg Kishës,  e trajtoi temën fetare, duke u ndaluar tek figura e gjithëpranishme e Krishtit të kryqëzuar”. Sepse vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar, pohon Gaudium et Spes, misteri i njeriut gjen dritën e vërtetë.

07 qershor 2023, 16:02