Kërko

 Pamje nga konferenca “Ukraine Recovery”  (ANSA) Pamje nga konferenca “Ukraine Recovery” (ANSA)  (ANSA)

Kryeipeshkvi Gallagher: rindërtimi i paqes është çështje pasioni e ngulmi

L'Osservatore Romano boton fjalimin e mbajtur nga Kryeipeshkvi Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, në edicionin e dytë të Konferencës "Rimëkëmbja e Ukrainës": ata që janë kthyer për të rindërtuar vendin janë "heroikë", "e mira nuk mund të shkatërrohet kurrë plotësisht".

R. SH. - Vatikan

Në skenarin tragjik të 16 muajve të luftës, qëndrueshmëria e popullit ukrainas "dëshmon se dëshira për të jetuar dhe për të dhënë shpresë është më e fortë se çdo instinkt shkatërrues që mbjell vdekje dhe dëshpërim, sepse në thellësi të zemrës njerëzore, e mira, edhe pse e përndjekur nga e keqja, nuk mund të shkatërrohet kurrë plotësisht. Përkundrazi, është gjithnjë gati për të rilindur”. Kështu u shpreh Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, në fjalimin e mbajtur gjatë edicionit të dytë të Konferencës "Rimëkëmbja e Ukrainës", organizuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe qeveria e Ukrainës.

Në këto rrethana, vazhdoi Imzot Gallagher, mund të konsiderohet heroik qëndrimi i atyre që, të detyruar të largohen nga shtëpitë, u kthyen sa më shpejt që mundën, ose vazhdojnë të ushqejnë dëshirën për t'u kthyer e për të rindërtuar vendin e tyre. Prej këndej, bindja se "e mira nuk mund të shkatërrohet kurrë totalisht". Përkundrazi: duhet të frymëzojë punën në favor të rindërtimit të vendit - nënvizoi Prelati. Edhe pse shkatërrimit material shkaktuar nga bombardimet i shtohen “plagët e thella në strukturën familjare, shoqërore dhe fetare”, siç nënvizoi edhe kardinali Matteo Zuppi gjatë misionit të tij në Kiev, si i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë.

Në këtë kuptim, "është e nevojshme të rindërtohet infrastruktura, të rigjallërohen ekonomitë lokale, projektet arsimore dhe kujdesi shëndetësor, të gjithë elementë themelorë për të rivendosur stabilitetin, për të promovuar elasticitetin dhe për të lejuar njerëzit ta rindërtojnë jetën e rrënuar ".

Por, theksoi me forcë kryeipeshkvi Gallagher, "rindërtimi i vërtetë kombëtar kërkon njëkohësisht edhe shërimin e plagëve shpirtërore, lehtësimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe nxitjen e dialogut". Mbasi “nëse do të lihej mënjanë ky aspekt, do të ekzistonte rreziku që, kur qiejt e Ukrainës të mos errësoheshin më nga raketat ruse, “minat” e mbjella nga lufta do të fillonin shpërthimin në zemrat e njerëzve”.

Është thirrje për të gjithë që të bëhen "artizanë të paqes" - shprehje e dashur për Papën Françesku - duke përfshirë "shoqërinë civile dhe individët vullnetmirë me aftësitë, burimet dhe solidaritetin e tyre". Kështu, duhet të veprojnë edhe kishat. “Rikthimi i paqes është sipërmarrje afatgjatë, që kërkon pasion, durim, përvojë, këmbëngulje” - përfundoi Gallagher, duke rikujtuar sërish fjalët e Atit të Shenjtë.

23 qershor 2023, 11:43