Kërko

Kardinali Konrad Krajewski në Drohobycz, Ukrainë Kardinali Konrad Krajewski në Drohobycz, Ukrainë

Krajewski, ndihma të reja në Kherson: të mos mësohemi me luftën

Kardinali Lëmoshtar në Ukrainën e "martirizuar" për të çuar ndihma dhe ilaçe, sidomos për nevojtarët e zonës ku është shembur diga, që shkaktoi përmbytje të mëdha. Etapa edhe në Odesë e Mykolaiv, ndërsa në këto orë ndodhet në Kherson: “Vend i shkretë, nganjëherë dëgjohen sirena dhe kur hymë, po bombardohej. Pamë tymin”. Kardinali i çon popullit “përqafimin” e Papës: “Nuk ka ditë që Ati i Shenjtë të mos lutet për Ukrainën”

R.SH. – Vatikan

         Lëmoshtari Apostolik, kardinali Konrad Krajewski, i dërguar për të gjashtën herë nga Papa me mision në Ukrainë për t’i çuar ndihmë dhe ngushëllim popullsisë së sfilitur nga lufta dhe nga pasojat e saj, ndodhet prej disa orësh në Kherson. “Ekspeditë ungjillore”, e përcakton ai misionin e tij në një mesazh zanor dërguar Vatican News.

Në vendet e përmbytura nga shembja e digës

Në qytetin jugor të Ukrainës, ku diga hidroelektrike Kakhovka u shemb para disa kohësh, duke shkaktuar përmbytjen e mbi 80 fshatrave dhe qyteteve, shkatërrimin e 20.000 hektarëve tokë bujqësore dhe derdhjen e mbi 150 tonë nafte, kardinali mbërriti si shofer i një kamioni plot me ushqime (që vinin kryesisht nga Koreja e Jugut), por sidomos me ilaçe, furnizuar nga Vatikani, nga Poliklinika Gemelli dhe nga i ashtuquajturi “banaku pezull i Napolit", traditë e qytetit, sipas së cilës ai, që ka mundësi, lë të paguara mallra të ndryshme për ata, që s’kanë mundësi ekonomike. Siç ka bërë edhe herë të tjera, kardinali u nis i vetëm nga Roma më 22 qershor, duke përshkruar mbi 3125 kilometra. “Rrugë e gjatë, shumë kilometra”, psherëtin ai.

Lëmoshtari Apostolik në Ukrainë
Lëmoshtari Apostolik në Ukrainë

Në Odesë, Drohobych, Mykolaiv…

         Të hënën, kardinali ishte në Drohobych, 100 km larg Lvivit, ku vizitoi qendrën humanitare greko-katolike, e cila strehon nevojtarët. Gjithashtu, shkoi të shihte spitalin, qendrën për alkoolistët dhe atë për fëmijët, ku tani, strehohen refugjatë. Më pas, u zhvendos në Mykolaiv, ku vizitoi të vetmen famulli aktive, që mbahet ende në këmbë, pas bombardimeve ruse. Falenderoi famullitarin, i cili nuk është larguar, por edhe njerëzit, të cilëve u dha rruzaret e Papës, duke u lutur së bashku. Mbrëmë (26 qershor), etapa e Odesës, ndërsa sot (27 qershor) në Kherson, i shoqëruar nga ipeshkvi ndihmës i Kharkiv- Zaporizhzhia, imzot Jan Sobiło. “Shkarkuam ilaçet, edhe ato për urgjencën – shpjegon ai në mesazhin zanor. – Një mjek ndau ilaçet, pastaj arritën ambulancat për t’ua shpërndarë qendrave të ndryshme spitalore”.

         Në program, edhe një vizitë në qendër të qytetit: “Është gati e shkretë, gjithçka e mbyllur – vëren kardinali Krajewski – Kyr hymë bombardohej e nuk shikonim veçse tymin, një kilometër larg nesh”. Megjithatë, bashkë me famullitarin “shkuam të takoheshim me njerëzit, t’u çonim një ndihmë konkrete”. Sonte, kardinali takohet me bazilianët greko-katolikë: “Do t’u japim përqafimin e Papës për t’u thënë se ai i mendon, se s’ka ditë që të mos lutet për Ukrainën e për të vuajturit”.

Shpërndarja e ndihmave
Shpërndarja e ndihmave

Përqafimi i Papës

         Kardinali do të udhëtojë edhe në ditët e ardhshme: “Do të qëndrojmë në Kherson për dy ditë dhe pastaj, ndoshta, do të shkojmë drejt Kievit”. Faza e fundit e misionit, në Lviv, qytet ku ka shkuar gjithnjë gjatë udhëtimeve të tjera në Ukrainë.

Nuk ka një datë për kthimin, vetëm një objektiv: “Të rri me këta njerëz në emër të Atit të Shenjtë. Nuk ka nevojë të thuash shumë, thjesht të jesh i pranishëm”, pohon kardinali Krajewski. “Të lutemi për të gjithë – kërkon Lëmoshtari Apostolik – e të lutemi edhe për ne, që të mos mësohemi me këtë luftë, por të vazhdojmë t’i ndihmojmë njerëzit në vështirësi”.

27 qershor 2023, 17:33