Kërko

Kardinali Parolin në Forumim për Dialogun dhe Paqen në Ballkan, në Capodistria Kardinali Parolin në Forumim për Dialogun dhe Paqen në Ballkan, në Capodistria  

Kardinali Parolin: Ballkani duhet të investojë në kulturën e takimit

Sekretari i Shtetit i Vatikanit, delegat i Papës në Slloveni, në takimin ndërfetar të 17 dhe 18 qershorit në Koper, për dialogun dhe paqen në Ballkan, nënvizon afërsinë e Selisë së Shenjtë me popujt e rajonit, duke mbështetur aspiratën për integrimin në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të "zbutur ndjenjën e braktisjes" dhe "për një të ardhme zhvillimi e prosperiteti"

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku e përfytyron Evropën si "rrugë vëllazërimi", e "mburojë paqeje", të përbërë nga shtete "që nuk janë bashkuar nga imponimi, por nga zgjedhja e lirë për të mirën e përbashkët, duke hequr dorë përgjithmonë nga perspektiva e ndeshjes". E një Evropë të tillë ëndërron edhe për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, "shumë të dashura për Të" pasi i ka vizituar disa herë. Këtë theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke shprehur afërsinë e Papës dhe Selisë së Shenjtë për Ballkanin, në fjalimin e mbajtur gjatë Forumit për dialogun dhe paqen në Ballkan, që mbahet sot dhe nesër, 17-18 qershor, në Koper të Sllovenisë. Takim ndërfetar me titull “Paqe për ty, Evropë! Paqe për ty, Ballkan!”, organizuar nga Konferenca e Ipeshkvijve Sllovenë, në të cilën marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të krishterimit dhe  eksponentë katolikë, ortodoksë, luteranë, islamikë dhe judaikë, nga 15 vende të gadishullit të Ballkanit dhe gadishullit të afërt të Azisë së Vogël.

Ballkani, “fuçi baruti”, por edhe shembull i bashkëjetesës paqësore

Në fjalën e tij  të hapjes së mbledhjes, mëngjesin e sotëm, e shtunë 17 qershor, në dhomën e protokollit të Shën Françeskut të Asizit, si delegat i posaçëm i Papës, pasi falënderoi imzot Petar Štumpf, ipeshkv i Murska Sobota dhe nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore sllovene, Kardinali Parolin nënvizoi se është domethënëse "që ky Forum organizohet në Slloveni, e cila, megjithëse gjeografikisht nuk është pjesë e rajonit të Ballkanit", i qëndron besnike "thirrjes së saj si udhëkryq popujsh dhe urë lidhëse ndërmjet botëve dhe kulturave të ndryshme”.  Më pas shtoi se në botën e sotme, "të copëtuar nga luftërat, si ajo në Ukrainë, si dhe konflikte të tjera, është themelore të diskutohet për paqen dhe dialogun". E edhe më e përshtatshme për ta bërë këtë në lidhje me rajonin e Ballkanit, i cili shpesh herë u quajt "fuçia e barutit e Evropës", por që dha edhe "shembuj të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve të etnive, kulturave dhe feve të ndryshme në rrjedhë shekujsh.

Një shoqëri me dallime si pasuria, e shkatërruar nga lufta

E kjo mund të shihet - nënvizoi Sekretari i Shtetit - “edhe në arkitekturën e shumë qyteteve ballkanike, ku katedralet katolike dhe ortodokse, xhamitë myslimane dhe sinagogat hebraike lartohen drejt qiellit”. Historia e këtyre vendeve "tregon se është e mundur të krijohet një shoqëri, në të cilën dallimet nuk janë barrë, por burim pasurie", por gjithashtu, për fat të keq, edhe "sa pak  e gjë duhet për të shkatërruar një shoqëri të këtij lloji, siç e pamë të gjithë në vitet '90”.

Impenjimi i Selisë së Shenjtë në rajonin e Ballkanit

Selia e Shenjtë - vazhdoi kardinali viçentin, e impenjuar në fushën e gjerë të paqes, besnike ndaj fjalëve të Jezusit "Lum veprimtarët e paqes, sepse ata do të quhen bij të Zotit", është perceptuar gjithmonë "si aktor ndërkombëtar dhe i pavarur, i lirë nga interesat materiale” (politike, ekonomike dhe ushtarake)”. Për këtë arsye konsiderohet e aftë "për të ndërmjetësuar në konfliktet ndërmjet shteteve ose të ndihmojë në pajtimin e palëve në konflikt, qoftë edhe brenda shteteve". Këtë është përpjekur të bëjë – kujtoi në vijim kardinali Parolin – edhe në rajonin e Ballkanit, që para "shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë", me veprime gjithmonë "koherente dhe me besnikëri absolute ndaj misionit të Kishës në botë”, siç theksohet nga Koncili II i Vatikanit. E, përballë situatës së re të krijuar nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1990, me "tendencat separatiste të shfaqura në Kroaci dhe Slloveni", Selia e Shenjtë - ripohoi kreu i diplomacisë së Vatikanit - "mban qëndrim jashtëzakonisht të matur".

Përpjekjet për paqe gjatë konfliktit të viteve nëntëdhjetë

Sekretari i Shtetit kujtoi kështu se "që nga janari 1991, Selia e Shenjtë ka ngritur zërin, duke kërkuar respektimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje, respektimin e të drejtave të individëve dhe të bashkësive kombëtare si dhe refuzimin e përdorimit të forcës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”. E këtë e bëri duke inkurajuar "kërkimin e palodhur për dialog ndërmjet palëve dhe rivendosjen e bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve të Jugosllavisë, bazuar mbi respektin dhe drejtësinë reciproke". Me fillimin e operacioneve të armatosura në Slloveni dhe Kroaci, më 25 qershor 1991 - vazhdoi Kardinali - veprimi i Selisë së Shenjtë u bë edhe më këmbëngulës e, me keqësimin e situatës, u thellua bindja se njohja e marrëveshjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë mund të lehtësonte kërkimin e paqes”. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë nxiti "një konsensus ndërkombëtar për njohjen e menjëhershme të dy republikave".

Thirrjet e Shën Gjon Palit II drejtuar prijësve fetarë

Në të njëjtën kohë, Papa Gjon Pali II, për të nxitur "një vepër të thellë pajtimi - kujton Kardinali Parolin - u bëri thirrje vazhdimisht besimtarëve dhe udhëheqësve fetarë të tri bashkësive të pranishme në ato Republika: Katolikëve, Ortodoksëve dhe Myslimanëve, duke i nxitur të  shpeshojnë dialogun dhe veprimin e përbashkët në kërkimin e klimës së paqes dhe kulturës së takimit ndërmjet popullsive të ndryshme, të destinuara për të jetuar së bashku në Evropën e re të sapolindur”. Edhe sot Sekretari i Shtetit nënvizoi se “Ballkani duhet të investojë shumë në këtë kulturë takimi, për të kapërcyer kulturën e ndeshjes”, temë shumë e dashur kjo, për Papën Françesku.

Dialogu ndërfetar, themelor për të ardhmen e Ballkanit

Një nga elementët e rëndësishëm të kulturës së takimit, krahas mikpritjes dhe përkushtimit - sqaron kardinali - është dialogu, që do të thotë, shpjegon Papa në enciklikën Fratelli tutti, “të afrohesh, të shprehësh, të dëgjosh, ta shikosh tjetrin, të njihesh me njëri-tjetrin, duke kërkuar ta kuptosh tjetrin e të kërkosh pika kontakti”. Dialogu, një çështje themelore në epokën e globalizimit, dhe nëse ndërfetar "ka rëndësi të veçantë për të ardhmen paqësore të Ballkanit, ku kulturat latine, bizantine dhe islame janë takuar, por edhe ndeshur nganjëherë në rrjedhë shekujsh”.

Françesku në Sarajevë: udhëheqësit fetarë kujdestarët e parë të paqes

Kardinali Parolin kujtoi fjalët e Françeskut gjatë vizitës në Sarajevë, në qershor 2015, kur  nënvizoi se "dialogu ndërfetar, këtu, si kudo në botë, është kusht themelor për paqen dhe, si rrjedhojë, detyrë për të gjithë besimtarët" dhe se për këtë arsye - komentoi Sekretari i Shtetit - “mund të përballohet ekstremizmi, i cili fatkeqësisht manifestohet edhe brenda feve”. Shumë herë Papa Françesku e ka nxitur dialogun ekumenik dhe ndërfetar për të "ndërtuar ura, jo mure", sepse kështu ndërtohet e ardhmja. "Ura bashkon, krijon bashkësi, hap dyert e dialogut dhe të dijes, konsolidon territoret - nënvizoi kardinali - Ndërsa muri ndan, shpërbën, nxit vetëvlerësimin e mbylljen, kufizon horizontet". Ballkani ka nevojë për ura, si ajo mbi lumin Drina, “protagoniste e romanit të famshëm të Ivo Andriqit, bir dhe interpretues i këtyre trojeve”, Çmim Nobel për Letërsinë 1961. Ura e Vishegradit, e cila është bërë simbol i shkrirjes së dy botëve të ndryshme, për kardinalin Parolin “i fton këto troje dhe të gjithë ata që i banojnë ndër to, të rrënjosen në këto themele, për të ndërtuar një të ardhme bashkimi dhe marrëdhëniesh konstruktive”.

Selia e Shenjtë mbështet aspiratat e vendeve për anëtarësim në BE

Sekretari i Shtetit, më pas, citoi fjalët e Papës Françesku gjatë një vizite tjetër në rajon, në Maqedoninë e Veriut, në maj 2019, kur në Shkup deklaroi se karakteristikat e veçanta të kësaj toke, të lidhura me "përbërjen e saj shumëkombëshe dhe shumëfetare" kanë "rëndësi të konsiderueshme edhe në rrugën drejt integrimit më të ngushtë me vendet evropiane”. Duke shprehur dëshirën “që ky integrim të zhvillohet pozitivisht për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me respektimin e larmisë dhe të drejtave themelore”,  Selia e Shenjtë - përsëriti Kardinali Parolin - e sheh me sy të mirë aspiratën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian, "e mbështet fuqimisht dhe shpreson se do të  realizohet plotësisht për të zbutur kështu ndjesinë e braktisjes, që i prek qytetarët, të cilët e shikojnë me shpresë Bashkimin Evropian, i cili pritet t’u sjellë një të ardhme zhvillimi dhe prosperiteti”.

Pasdite, veprimtaria me të rinjtë, të diel, mesha

Sot pasdite, Forumi vazhdon në orën 17:00 me manifestimin “Rinia për Paqe” në Tavernën e Kapodistria, përgatitur nga të rinjtë e bashkësive të ndryshme fetare në Slloveni dhe vende të tjera të Ballkanit. Filli i kuq i programit do të jetë dëshira e të rinjve për paqe dhe gatishmëria e tyre për të punuar për paqen edhe në bashkësitë e tyre fetare dhe në mjediset e tyre, së bashku me të rriturit. Në orën 21, në Katedralen e Fjetjes së Marisë, në Koper, do të jepet një koncert me solistë, në prani të prijësve fetarë dhe shoqërorë. Të dielën në mëngjes, në orën 10, në të njëjtën katedrale, kardinali Parolin do të kryesojë Meshën Shenjte solemne, shoqëruar nga nunci apostolik në Slloveni, kryeipeshkvi Jean Marie-Speich, nga ipeshkvi i Capodistrias, Jurija Bizjak dhe nga ipeshkvijtë dhe priftërinjtë sllovenë.

17 qershor 2023, 14:35