Kërko

"Nga Koncili, në Web": komunikimi i Kishës duhet të flasë gjuhën e zemrës

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI) kmori pjesë në paraqitjen e librit "Nga Koncili, në Web" të Angelo Skelzo-s, i cili përshkruan historinë e reformës të mediave së Vatikanit dhe origjinën e tyre. Kardinali foli edhe për misionin e ndërmjetësimit të konfliktit në Ukrainë, në vijim “sipas planifikimit”, që do të ketë një fazë të re në Moskë. Diskutuan edhe prefekti i Dikasterit për Komunikim, Paolo Ruffini e At Federico Lombardi, kryetar i Fondacionit Ratzinger

R.SH. / Vatikan

Komunikimi i Kishës duhet "të flasë gjuhën e zemrës", ndërsa reforma e medias së Vatikanit, e dëshiruar nga Papa Françesku, "nuk ishte për ta zbardhur sadopak, por për të bërë një hap përpara, duke e menduar të gjithë sistemin". Kështu u shpreh Kardinali Matteo Zuppi, kryetar i CEI(KII) dhe i dërguar i Papës për ndërmjetësimin në konfliktin e Ukrainës, mision i cili - kujtoi kardinali - "vazhdon sipas planifikimit". Rasti ishte paraqitja e librit “Nga Koncili, në web. Komunikimi i Vatikanit dhe kthesa e reformës”, vepër e Angelo Skelzo-s, dalë Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV) dhe paraqitur në Universitetin Lumsa, shoqëruar me një intervistë të autorit, Angelo Skelzo, që mund ta ndiqni në mjetet vatikanase të komunikimit.  

Ruffini: komunikimi një pjesë themeluese e misionit të Kishës

Në vëllimin e tij Scelzo, i cili ka punuar në L'Osservatore Romano, në agjencinë Fides, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë si zëvendësdrejtor dhe tani është editorialist i Avvenire-s, tregon historinë e medias së Vatikanit, duke nisur nga pasojat e Motu Proprio-s të Papës Françesku në vitin 2015, kur u krijua ai, që tani është Dikasteri i Komunikimit, deri në ngjarjet aktuale të muajve të fundit, për t'u kthyer, më pas, në origjinën e sistemit aktual, në Koncilin II të Vatikanit. Nga ai dokument dhe nga kushtetuta e Praedicate Evangelium mbi riorganizimin e Kuries - shpjegoi Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit të Komunikimit - vërehet se Kisha e ka "për detyrë të ecë në kohën tonë, me mjetet e kohës sonë" dhe se komunikimi “nuk është funksional, por pjesë themelore e misionit të Kishës”. Horizonti duhet të jetë ai i krijimit të një rrjeti “që na bën anëtarë të njëri-tjetrit”, ku komunikimi dhe bashkimi ndërthuren, edhe pse brenda specifikës së një sistemi komunikimi të ndryshëm nga të gjithë të tjerët.

Kard. Zuppi: rrënja është në Koncilin II të Vatikanit

E tashmja, e shkuara dhe e ardhmja e Kishës janë të ndërthurura dhe i kanë rrënjët në Koncilin II - kujton sërish kardinali Zuppi, babai i të cilit, Enrico, ishte përgjegjës për shtojcën e së dielës të L'Osservatore Romano-s, ndaj i jetoi “në familje” shumë nga situatat që u desh të përballonte gjatë viteve komunikimi i Vatikanit. “Gjithçka kishte vlerë të veçantë”, kujtoi, për të dhënë më pas dy shembuj të komunikimit “papnor” që e prekën shumë. Nga njëra anë, Benedikti XVI, i cili pati "ndershmërinë e madhe" të kuptojë, pas Regensburgut, se një fjalim i menduar si akademik, ishte bërë politik, sepse i shqiptuar nga një Papë, ndërsa nga ana tjetër, komunikimi i drejtpërdrejtë i Françeskut, i cili pa ndërmjetës, e ftoi botën të lutej për Papën e Nderit, të sëmurë rëndë.

Atë Lombardi: themelor, impulsi i Papës Françesku  

“Ne të gjithë e dinim se ishte e nevojshme reforma e medias së Vatikanit, por asnjeri nuk e kishte guximin ta vinte procesin në lëvizje”- pohoi Atë Federico Lombardi, kryetar i Fondacionit Ratzinger, ish-drejtor i Radio Vatikani dhe i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, e cila nuk do të ishte kjo që është, pa shtysën e Papës Françesku. “Sistemi i komunikimit të Vatikanit”, nënvizoi Atë Lombardi, “nuk është i lidhur vetëm me mjetet dhe teknologjitë, por edhe të përshtatet me stilin e komunikimit të çdo Pape, ndaj kërkon të ndjekë mënyrën se si Papa e paraqet veten në botën e sotme, duke pasur gjithmonë si udhërrëfyes Ungjillin dhe jetën e Kishës”

Tarquinio: zëri i vetëm kundërshtar në luftë

Gabriele Romagnoli, gazetar dhe shkrimtar i “Republikës”, e përkufizoi vëllimin si një lloj "romani të shndërrimit të entitetit të komunikimit të Vatikanit". Më pas vuri re se si, vitet e fundit, pati shumë "ngjarje që ndodhnin për herë të parë" në historinë e Papëve: nga pamja e helikopterit që çoi Benediktin XVI në Castel Gandolfo kur jepte dorëheqjen, deri te pamjet e Statio orbis të vitit 2020, kur Papa Françesku u lut në Sheshin bosh të Shën Pjetrit, ndërsa pjesa më e madhe e botës ishte në izolim të plotë për shkak të pandemisë. Kisha ka qenë gjithmonë pararendëse e komunikimit, por tani, si gjithë të tjerët, është në ndjekje, sepse nga "Fjala, që u bë Njeri”, po arrijmë në inteligjencën artificiale në të cilën "makinat priren të flasin në vend të njeriut" - shpjegoi Marco Tarquinio, ish-drejtor i Avvenire-s. Sot, përsëriti ai, Kisha është zë unik që shkon kundër rrymës, domethënë, kundër luftës, por edhe me rrymën, kur i kërkon botës t’i dëgjojë të fundmit.

Parashikohet etapa e dytë e misionit të Kardinalit Zuppi në Moskë   

Në përfundim të takimit, duke iu drejtuar gazetarëve, që e pyetën për misionin e tij në përpjekjen e "lehtësimit të tensioneve" në Ukrainë, Kardinali Zuppi pohoi se do të takohet me Papën Françesku për të biseduar lidhur me hollësitë mbi fazën tjetër të misionit të tij të ndërmjetësimit në Rusi, pas 5 qershorit të kaluar, kur ishte në Kiev. Duke folur për ish-kryeministrin italian, Sivlio Berlusconi, i cili u nda dje nga jeta, kryeipeshkvi i Bolonjës kujtoi takimin e tij të parë me të, kur merrte pjesë në delegacionin që kishte ndërmjetësuar në konfliktin e Mozambikut. "Ne u mahnitëm nga mirëpritja dhe simpatia e tij" - kujtoi - "humanizmi i tij  më preku thellë”. Një kujtim edhe për Flavia Franzonin, gruan e ish-presidentit të Komisionit Evropian Romano Prodi,  e cila ndërroi jetë sot: “Grua me përkushtim të madh shoqëror. Keqardhje e madhe për këtë grua, ndjeshmërinë e së cilës  e përjetova në shumë raste. Ishte grua e zgjuar, akademike, që nuk jetoi kurrë jashtë realitetit por që mundi ta shndërrojë angazhimin social në realitet dhe anasjelltas”.

14 qershor 2023, 14:49