Kërko

Zuppi në Rondine Zuppi në Rondine 

Kard. Zuppi: dialogu, e vetmja rrugë për të gjithë. Urimet e OKB-së për misionin në Ukrainë

Kardinali Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës foli për konfliktin e vazhdueshëm në Evropë, në fjalimin e mbajtur gjatë festivalit ndërkombëtar në Rondine Cittadella della Pace. Miguel Angel Moratinos, nënsekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, një nga relatorët në Festival, theksoi se e mbështet misionin që kërkoi Papa nga presidenti i KII (Konferencës Ipeshkvnore Italiane).

R. SH. - Vatikan

"Sigurisht që këta djem janë e tashmja, e jo vetëm e ardhmja. Këtu në Rondine ka kaq shumë histori, kaq shumë takime, kaq shumë dialog. E kundërta e luftës. Konflikti nuk është vetëm kur shpërthen, por edhe kur nuk kuptohet, nuk dëgjohet, na largon, nuk pyet fare për ne! Këtu ndodh pikërisht e kundërta, ka kaq shumë paqe e jo më pak shpresë, shoqëruar nga dëshira që prej këndej të arrijë kudo”. Kështu u shpreh kardinali Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë, duke folur në përfundim të  YouTopic Fest,  në vijim deri të diel, 11 qershor, në Rondine Cittadella della Pace.

E ardhmja, së bashku

I pyetur për bashkëjetesën e fëmijëve rusë dhe ukrainas, Kardinali Zuppi nënvizoi: “Kjo tregon se e ardhmja është ajo, që na mëson të jemi bashkë, siç shkruan Papa në Fratelli tutti". Ndonjëherë "është aq e lodhshme sa të duket e pamundur, por Françesku na kujton mençurisht se britma 'të shpëtojë kush të mundet' të çon tek 'të gjithë kundër të gjithëve', e në këtë mënyrë humbasim të gjithë. Interesi për njëri-tjetrin - nënvizon Prelati - është themelor, sepse vetëm së bashku mund të dalim shëndosh e mirë edhe nga situatat më tragjike”.

Në luftë nuk e njeh vëllai- vëllanë

 “Të gjithë duhet të dialogojmë, duhet të mësojmë të dialogojmë”- vijoi kreu i ipeshkvijve italianë, duke iu përgjigjur atyre që e pyetën nëse duhet të dialogojnë shoqëria ruse me atë ukrainase. "Lufta ndan, i thekson  ndarjet, i shfrytëzon në të gjitha konfliktet. Në luftë nuk e njeh më vëllai-vëllanë! Kjo është lufta. Po ne duhet të punojmë kudo për të bërë pikërisht të kundërtën, për t’u mësuar të jemi bashkë, siç po bëhet këtu, në Rondine, sepse atëherë, kur të gjesh vëllain tënd, ke gjetur vetveten”.

Përshëndetje Zuppit, nga Kombet e Bashkuara

Kardinali Zuppi dialogoi shkurt, sërish në përfundim të veprimtarisë, me Miguel Angel Moratinos, nënsekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, një nga relatorët e Festivalit. Moratinos, duke folur spanjisht, e përgëzoi kardinalin për misionin e tij si i dërguar i Papës, në përpjekjen për rivendosjen e paqes në Evropë.

09 qershor 2023, 12:06