Kërko

Kard. Tagle: Goma ka nevojë për paqe. Papa është me ju

Pro-prefekti Dikasterit për Ungjillëzimin e Popujve viziton Kiwu-në e Veriut, kryeqytet i Republikës Demokratike të Kongos, ku është i dërguar i posaçëm i Papës për Kongresin III Kombëtar Eukaristik. Pikërisht nga Papa, i cili kishte planifikuar një ndalesë në rajon në shtegtimin apostolik të vitit 2022, që më pas u anulua, solli përshëndetjet më të përzemërta. Vizitoi, më pas, kampin e refugjatëve të Lushalës, që strehon 13,000 refugjatë të luftës dhe bekoi dy rezervuarë uji, dhuratë e Papës

R.SH. / Vatikan

Shërimi, respekti, falja, pajtimi, e vërteta. Nën një qiell ngjyrë hiri, përballë qindra njerëzve me këmbët në baltë, pas mirëpritjes me këngë dhe valle tipike për popullin e tyre, kardinali Luis Antonio Tagle, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, iu lut Zotit t’i japë dhuratat e nevojshme kësaj zone të plagosur nga dhuna dhe fatkeqësitë natyrore, si Goma, kryeqytet i rajonit të martirizuar të Kivu-së veriore, në Republikën Demokratike të Kongos. Kardinali ndodhet në vendin afrikan si i dërguar i posaçëm i Papës për Kongresin e tretë kombëtar Eukaristik.

Në kampin e refugjatëve

Të dielën, më 11 qershor, Kardinali Tagle kremtoi Meshën e solemnitetit të Korpit të Krishtit (Corpus Domini), në një atmosferë festive, në Lubumbashi, qyteti i tretë më i madh në Kongo. Ndërsa dje, 13 qershor, shkoi në Goma, ku - i shoqëruar nga kryeipeshkvi i Kinshasës, kardinali Fridolin Ambongo dhe nga nunci apostolik, imzot Ettore Balestrero - kremtoi Meshën dhe vizitoi (me helmetë në kokë) minierën e bakrit të Kolwezi-t dhe kampin e refugjatëve në Lushala,  ku e pritën rreth 13,000 njerëz, që jetojnë nën çadra dhe enden rrugëve të vështira. Janë të gjithë refugjatë të ikur nga zonat e konfliktit ndërmjet ushtrisë dhe milicive rebele M23 si dhe nga llava e vullkanit Nyiragongo, që vijon të nxjerrë tym e flakë! Në këtë vend ku njerëzit jetojnë në varfëri të papërshkrueshme, kardinali mbërriti me makinë, i përshëndetur nga gratë dhe fëmijët buzë rrugës.

Afërsia e Françeskut

I prekur nga skena, zhvilluar para syve të tij dhe duke kujtuar vizitat si kryetar i Caritas Internationalis në kampet e refugjatëve të botës, Kardinali Tagle u përcolli të gjithëve afërsinë e Papës, i cili pikërisht në Goma - territori ku gjeti vdekjen ambasadori italian Luca Attanasio – kishte planifikuar një ndalesë, në programin e parë të udhëtimit apostolik të korrikut 2022, në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut, anuluar më pas për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndaj fjalët e para të homelisë së kardinalit ishin: “Dëshiroj t'ju sjell përshëndetjen atërore të Papës Françesku, i cili ju kujton vazhdimisht në lutjet e tij. Ju e dini se donte të vinte këtu, në Gomë, për t'ju shprehur afërsinë. Vuajti shumë që nuk mundi t’ju takonte në viset tuaja! Por mbetët gjithnjë në mendjen dhe zemrën e tij.”

Një dhuratë nga Papa

Afërsia e Françeskut u konkretizua me një dhuratë bujare, që mundësoi blerjen e dy rezervuarëve të mëdhenj uji, pasuri tejet e çmuar për njerëzit e kampit. Tagle i bekoi dhe përsëriti dëshirën e Papës për paqe në këto troje, që nuk u ndahet dhuna. Theksoi gjithashtu dëshirën e Kishës në rajon: "Ipeshkvi i Kongos, i Ruandës dhe Burundit duan të punojnë së bashku për paqen në këto vise, të stërmunduara nga lufta”.

Homelia e Meshës

Në homelinë e Meshës, pro-prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve u përqendrua tek Ungjilli i ditës, tek ftesa e Jezusit drejtuar dishepujve për të qenë "kripa e tokës dhe drita e botës". "Unë mendoj se leximet tona i drejtohen veçanërisht Kishës së Gomës, kujtoi.

Kripa dhe drita, dy elemente tejet simbolike. “Kripa e bën ushqimin të shijshëm… Kripa nuk i shërben vetes, as nuk tërheq vëmendjen. Përkundrazi, u shërben perimeve, mishit, peshkut dhe gjellëve të tjera të pjatës. Kripa është 'për të tjerët'. “Shpërbëhet” - vuri në dukje Tagle. Është shembullore! Tregon mënyrën sesi duhet kryer misioni i të krishterëve: “Shumë njerëz e shohin jetën të pakuptimtë, të hidhur, të vështirë për t'u jetuar. Të tjerë, i shohin të afërmit si ushqim të prishur a të kalbur, për t'u hedhur. Kur njerëzit trajtohen si ushqim i padëshiruar, jeta e tyre e humbet plotësisht shijen. Kalon pa u ndjerë e shpesh, edhe pa u dashur. Ndoshta shumë njerëz këtu në Gomë po e jetojnë këtë realitet të trishtë”, tha kardinali.

Ndjekësit e Jezusit, nga ana tjetër, "janë të thirrur t'u ofrojnë të tjerëve dhe botës shijen e mrekullueshme të Jezusit dhe të Ungjillit të tij... Nëpërmjet dhembshurisë, dashurisë dhe shërbimit tonë të përulur në emër të Jezusit,   shpresojmë se shumë njerëz do të gjejnë kuptim a 'shije' të re në jetë”.

14 qershor 2023, 12:02