Kërko

Kard. Parolin përuron monumentin e artistit Timothy Schmalz  kundër trafikut Kard. Parolin përuron monumentin e artistit Timothy Schmalz kundër trafikut 

Kard. Parolin përuron një skulpturë kundër trafikimit

Sekretari i Shtetit të Vatikanit ishte dje në komunën e Schio-s, provincë e Viçencës, ku përuroi skulpturën e titulluar "Lëri të shtypurit të shkojnë të lirë", kushtuar Shën Jozefina Bakhitës, krijuar nga artisti kanadez Timothy Schmalz. "Mbyllja brenda vetes na pengon ta shikojmë tjetrin. Duhet të çlirohemi nga indiferenca me të cilën e vërejmë realitetin e ditëve tona të vuajtjes, të dhimbjes, të ligështisë".

R. SH. - Vatikan

T’i lutemi Shën Jozefinës Bakhita, murgeshës afrikane që punoi për çlirimin e skllevërve, pajtore e viktimave të trafikimit, ta çlirojë secilin prej nesh nga ‘skllavëria’ e individualizmit dhe ta inkurajojë të bëjë diçka për të tjerët”. Kjo, thënë me dy fjalë, ishte lutja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, i cili dje, më 29 qershor, bekoi skulpturën “Lëri të lirë të shtypurit” në Schio, provincë e Vicenzës. Vepra, që i kushtohet pikërisht Shën Bakhitës, është e artistit kanadez Timothy Schmalz, ish-autor i monumentit Angel Unwares (Engjëj të pavetëdijshëm), që paraqet emigrantët e sotëm dhe të djeshëm, të cilën Papa donte ta vendoste përgjithmonë në Sheshin e Shën Pjetrit.

Format e ndryshme të trafikimit në botë

Shtatorja, e bekuar nga kardinali, portretizon Bakhita-n teksa hap derën e një kurthe, nga e cila dalin figura përfaqësuese të formave të ndryshme të trafikimit nëpër botë. Në bronz, me përmasa 6 metra gjatësi, 1.2 gjerësi dhe 2.4 lartësi, "Let The Oppressed Go Free" u krijua falë kontributit financiar të Fondacionit të Familjes Rudolph P. Bratty,  në pronësi të një familjeje emigrantësh nga Italia Veriore në Kanada, të udhëhequr sot nga Christopher Bratty.

Çlirohu nga skllavëria e mbylljes në vetvete

Përurimi u kremtua në Schio, ku jetoi Shën Bakhita dhe ku prehen eshtrat e saj. Për dy vjet, në vitet 1980, kardinali Parolin, me origjinë nga provinca e Vicenzës, ishte ndihmës famullitar në komunën e Venetos. Dje Sekretari i Shtetit - i mirëpritur me duartrokitje dhe urimet më të mira për ditën e tij të emrit nga rreth njëmijë njerëz të pranishëm - para së gjithash donte t’i përgëzonte "të gjithë ata që morën pjesë" duke nisur nga artisti, për të përfunduar tek Bashkia e tek dashamirët. "Një faleminderim i madh për të gjithë - tha kardinali - Më pas, duke parë shtatoren - nënvizoi se skulptura nxit reflektimin, domethënë se “njerëzit e përfaqësuar nuk mbarojnë me aq”. por “vazhdojnë të jetojnë” edhe nën dhé. “Nëse jo të gjithë burrat e botës, të paktën këta që janë të pranishëm këtu mund të shihen të pasqyruar, mbasi besoj se ne të gjithë jemi nën një skllavëri, nga e cila duhet të çlirohemi duke e lutur Shën Bakhitën, Pajtoren e viktimave të trafikimit, të na ndihmojë të çlirohemi nga skllavëria e mbylljes në vetvete” – theksoi Kardinali.

Përpiquni të bëni diçka për të tjerët

Kardinali kujtoi edhe "individualizmin, që na pengon të kujdesemi për të tjerët, ashtu siç duhet". “Papa Françesku vijon të na e kujtojë këtë!  "Besoj - shtoi ai - se vetëm nëse çlirohemi nga kjo skllavëri të cilës i nënshtrohemi të gjithë - e nuk ka njeri që mund të thuhet se është i përjashtuar - atëherë do të jemi në gjendje të hapim sytë, të ndërgjegjësohemi për situatat që ekzistojnë në botë e edhe pranë nesh, në realitetin tonë, dhe të jemi në gjendje të kujdesemi për veten dhe për të tjerët, duke bërë çka mundemi. Nuk mund të bëjmë gjithçka, por besoj se secili prej nesh mund të bëjë diçka".  Kardinali Parolin shpreson, pra, "se të gjithë duhet të ndihen të gatshëm për të punuar në këtë drejtim".

Pas bekimit, kori këndoi disa këngë dhe publiku, në procesion, u zhvendos drejt Katedrales së Shën Pjetrit në Schio, ku u kremtua Mesha.

Një riprodhim 3D i statujës së bekuar nga Papa

Dje, më 28 qershor, gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku takoi Schmalz-in dhe presidentin e Fondacionit të Familjes Rudolph P. Bratty, Christopher Bratty. Gjatë përshëndetjes së shkurtër, ata reflektuan së bashku mbi trashëgiminë e Shën Bakhitës dhe në fund Papa bekoi një miniaturë të skulpturës së realizuar me një printer 3D, të paraqitur nga artisti dhe dhuruesi i veprës.

30 qershor 2023, 11:32