Kërko

MONS RINO FISICHELLA MONS RINO FISICHELLA

Imzot Fisichella: përballë të varfërve nuk vlen retorika, po ndjenja e humanizmit

Proprefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin komenton Mesazhin e Papës Françesku për Ditën VII Botërore të të Varfërve, që këtë vit do të kremtohet më 19 nëntor. "Jam i kënaqur që Papa ngulmoi në kategorinë e punës, në të cilën vërehet ende shumë hutim dhe shumë ndrojtje" nga ana e agjendave politike, nënvizon Prelati

R.SH. / Vatikan

“Një lum varfërie përshkon tej e ndanë qytetet tona. Lum, që vijon të fryhet, derisa vërshon”: me këtë kuadër shqetësues hapet sot, 13 qershor, Mesazhi për Ditën e shtatë Botërore të të Varfërve. Imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, e shpjegon për Vatican News duke nënvizuar se të varfërit nuk janë numër, por fytyra, për t'i afruar, për t'i mirëpritur, për t'i mbështetur, jo vetëm me ndihmë ekonomike, por edhe e sidomos, me miqësi dhe afërsi në çdo mjedis, duke nisur nga axhendat e liderëve politikë.

Intervista me Imzot Rino Fisichell-ën

Shkëlqesi, në Mesazhin për Ditën e Shtatë Botërore të të Varfërve, historia e Tobisë, figurë biblike ndoshta pak e njohur, u zgjodh për të përsëritur se përballë të varfërve nuk mund të përdoret indiferenca, retorika, as iluzioni…

Në të vërtetë, të mos harrojmë se Papa po na e përcjell këtë Mesazh ndërsa është në shtratin e spitalit dhe prandaj ndan vuajtjen me një mori të varfrish. Mesazhi është tejet aktual edhe sot, vjen pikërisht në kohën e duhur, mbasi në radhë të parë na kujton se është testamenti që i lë ati të birit: prej këndej transmetim i përmbajtjeve të rëndësishme, që nuk mund t’i harrojmë. Ndërmjet tyre na kujton se ka një vëmendje ndaj të varfërve, që nuk është vëmendje, po retorikë. Vëmendja që prek çdo njeri është ajo që ndjek shembullin e Jezusit, i cili iu përgjigj çdo të sëmuri që iu afrua, dhe si rrjedhim turmave, duke i dëgjuar me vëmendje telashet që kishin. E këtu, para të varfërve - na kujton Papa - nuk bëhet retorikë. Të varfërit nuk janë një numër statistikor, janë njerëz që, mbi të gjitha, duan afërsinë tonë, duan dashurinë e njeriut për njeriun!

Në Mesazh lexojmë se çasti historik që po jetojmë, i mbulon me heshtje ata, që vuajnë në varfëri. Pse kështu?

Papa na kujton se vëmendja kryesore i kushtohet çështjeve të tjera: financave, ekonomisë, argëtimit. Prandaj, përballë këtyre çështjeve, mbi atë që mund të jetë e bezdisshme, mbi atë që trondit ndërgjegjen, mbi atë që gjithashtu na detyron të ndryshojmë jetën tonë dhe të marrim parasysh gjërat themelore në jetën e njerëzve, bie një heshtje e thellë! Nga njëra anë, do të thosha, Papa na sfidon edhe një herë, duke na ftuar të prekim kuptimin e thellë të jetës. Nuk na kujton rastësisht se të varfërit na ungjillëzojnë. Kjo shprehje nuk do të thotë gjë tjetër, veç se të varfërit  tregojnë dhe prekin me duar atë që është thelbësore në jetë. Nuk mund të vihet silenciator për këtë, sepse vetë jeta jonë është në rrezik!

Mesazhi përmban edhe një paralajmërim për një "angazhim serioz dhe efektiv politik dhe legjislativ". Konkretisht, cilat mund të jenë propozimet, në këtë këndvështrim, që dëshira e Pacem in terris, gjashtëdhjetëvjetorin e të cilit po festojmë, të bëhet realitet?

Besoj se kjo duhet të jetë e dyfishtë. Kam frikë se veprimet qeveritare dhe legjislative shpesh kanë të bëjnë vetëm me ndihmën financiare dhe ekonomike. Ky është hapi i parë, i rëndësishëm, sepse varfëri është edhe ajo që të lë me xhepa bosh në fund të muajit, siç shkruhet shprehimisht në Mesazh. Por kjo është vetëm një pjesë e saj. Ka një pjesë tjetër që lidhet më shumë me një përmasë kulturore, që është nevoja, edhe nëpërmjet ligjit, për të ndryshuar mentalitetin, për të ndryshuar atë që shpesh është qëndrimi indiferent apo përçmues, që më pas të çon në 'përjashtim nga radhët e shoqërisë’. Është fenomen kulturor. Pra, para se të shqetësohet për  ligjin financiar me të cilin mendohet të jepet ndihma materiale që, më pas, do të përfundojë - e shumë herë përfundon shumë shpejt, sepse ndihma është tejet e kushtëzuar - nga ana tjetër harrojmë se ka edhe edukim, ka formim, e kjo duhet të bëhet në të gjitha vendet: duhet të bëhet në shkollë, duhet të bëhet në familje, duhet të bëhet aty ku ka vendtakime, ku njerëzit rriten së bashku. Në nivel legjislativ besoj se mund dhe duhet të ndërhyjmë edhe në këtë formacion, që ia kthen dinjitetin çdo njeriu.

Kështu të varfrit nuk duhet të kenë frikë...

Jo, nga të varfërit nuk duhet të ketë frikë! Ne duhet të kemi nevojë për të varfërit. Ne duhet të rizbulojmë nevojën që na takon për të varfrit, sepse kjo na bën të zbulojmë humanizmin e thellë që shpesh harrohet a flaket në ndonjë skutë dhe nuk na lejon më ta jetojmë jetën thellësisht, plot gëzim dhe përgjegjësi.

Mesazhi trajton shprehimisht temën e punës me të gjitha problemet e pazgjidhura që ndikojnë në thellimin e varfërisë, duke krijuar të varfër të rinj. Sipas jush, a është tashmë i përfshirë mjaftueshëm si prioritet në axhendat e liderëve politikë?

Kam frikë se jo. Jam i lumtur që Papa ngulte këmbë pikërisht tek kjo kategori, sepse ka ende shumë hutim dhe shumë ndrojtje në botën e punës. Mjafton të mendosh vetëm për vdekjet në vendin e punës, që prekin të gjithë botën dhe e prekin nga afër pikërisht sepse nuk ka rregulla, ose nuk respektohen! E padyshim viktimat janë më të pafajshmit. Me këtë kujtesë Papa nuk bën gjë tjetër veçse nxit edhe një herë për t’i kujtuar kategoritë më të dobëta.   Bota e punës, punëtorët, nuk janë apendiks, janë forcë lëvizëse për  vendin e kjo duhet pasur parasysh, sepse na shtyn të rishqyrtojmë një përgjegjësi sociale që më duket se po shqyrtohet gjithnjë e më pak, për të imponuar ato të drejta individuale, të cilat çojnë më pas drejt indiferencës ndaj përgjegjësisë shoqërore.

13 qershor 2023, 12:40