Kërko

Kardinali Jean-Claude Hollerich Kardinali Jean-Claude Hollerich

Hollerich: Instrumentum Laboris, “jo vetëm për t’u lexuar, por për t’u jetuar”

Në intervistën me rastin e paraqitjes së dokumentit të punës së Sinodit, kardinali Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe relator i përgjithshëm në Asamblenë e ardhshme sinodale, trajton çështje nga më të ndryshmet. “Mendoj se njerëzit shpesh e shohin Jezusin me shumë simpati, por nuk e njohin në Kishë”: ky, shqetësimi i tij. Komenti për mbytjen e anijes në Greqi: "Ndihem tmerrësisht keq dhe më dhemb shpirti kur shoh politikën e Bashkimit Evropian"

R.SH. – Vatikan

Kardinali jezuit Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe relator i përgjithshëm për asamblenë e ardhshme të Sinodit të Ipeshkvijve, shpjegon vlerën e Instrumentum laboris, paraqitur më 20 qershor. Në një intervistë për mediat e Vatikanit, ai thekson nevojën për të gjetur një gjuhë të re që t’u flitet për Zotin njerëzve të kohës sonë. Reflekton mbi specifikën e qëndrimit “sinodal” dhe kujton se gratë duhet të marrin pjesë plotësisht në jetën e Kishës, sepse në vend të tyre, "edhe meshtarët e famullisë dhe kardinajtë mund ta bëjnë një kafe..." për vete, pa ua lënë këtë detyrë vetëm grave.

Hirësi, në Instrumentum Laboris lexohet se ky dokument “nuk e anulon dhe as e absorbon” gjithë pasurinë e etapave të udhës sinodale. Cili është dinamizmi, që ai dëshiron t’i japë Kishës?

Është dinamizmi i Kishës së gjallë. Dokumenti është vetëm reflektim. Kemi pasur një sinod në bashkësi të vogla, në famulli, në dioqeza: kemi një pasuri të jashtëzakonshme. Është e qartë, kur bëjmë sintezën e gjithë kësaj, përmbledhja është disi më e varfër, por mendoj se të gjithë ende e ndjejnë këtë pasuri, e cila mund të gjendet në fjalët e Instrumentum laboris.

Si ta shmangim gjuhën përçarëse?

Gjuha është ajo e popullit. Ne nuk jemi përgjegjës për të bërë teologji. Teologjia është e nevojshme dhe na duhen shumë teologji të sinodalitetit – po e them në shumës. - Por kjo nuk është detyra jonë, është detyrë e universiteteve, e seminareve, e teologëve. Ne duam të jemi shërbëtorë besnikë të Popullit të Zotit dhe të transmetojmë ç’kemi dëgjuar. Unë them 'ne', sepse ka shumë njerëz që kanë bashkëpunuar për atë dokument pune. Sepse i tillë është, dokument pune, jo përmbledhje. Është si Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit: tekst që duhet jetuar, nuk është thjesht tekst për t'u lexuar. Deshëm të bëjmë një tekst me pyetje për reflektim, i cili është pjesë e bisedës me Shpirtin Shenjt, pjesë e dëgjimit të tjetrit, duke i gjetur përgjigjet pikërisht në atë, që thotë tjetri.

Cila është pyetja që ju shqetëson më shumë?

Unë jam evropian... "Si mund t'ua tregojmë fytyrën e Jezusit njerëzve?", kjo është pyetja ime. Mendoj se njerëzit shpesh e shohin Jezusin me shumë simpati, por nuk e njohin në Kishë. Pra, si mund ta shprehim gjithë mirësinë e Jezusit, gjithë shenjtërinë e Tij, pa hequr dorë nga doktrina e Kishës? Kjo mendoj se është detyra më e rëndësishme. Duhet të gjejmë një gjuhë të re për t'u folur mbi Zotin njerëzve konkretë të kohës sonë, nga të gjitha kontinentet.

Një nga fjalët kyçe të rrugëtimit sinodal është “pjesëmarrja”: çfarë sinjali është risia e pjesëmarrjes së grave në Asamblenë e Përgjithshme?

Mendoj se është normale që të marrin pjesë edhe gratë. Meqenëse Pagëzimi është sakramenti ynë themelor, dinjiteti i Pagëzimit mendoj se është i njëjtë si për gratë, ashtu edhe për burrat. Duhet të flasim për gratë, jo për meshtarinë e tyre, por për dinjitetin dhe për mënyrën e pjesëmarrjes së plotë në jetën e Kishës, në bashkëpërgjegjësi me burrat. Sepse gratë nuk duhen për t’i bërë kafe famullitarit, për ato shërbime të vogla, me të cilat ngarkohen gjithmonë; edhe famullitarët e kardinajtë mund të bëjnë kafe. Është themelore të dëgjojmë atë, që gratë duan t’i thonë Kishës. Fatmirësisht, jetojmë në një shoqëri ku dinjiteti i gruas konsiderohet tejet i lartë. Në Kishë kemi Maria Magdalenën, apostullja e apostujve. Tani po lexoj një libër për gratë në Mesjetë. Është shumë inteligjent, pasi dëshmon se gratë kanë pasur role të rëndësishme në Mesjetë, të cilat, pak nga pak, me burrat që kanë shkruar historinë, janë harruar.

Si ndikon mbajtja e një Sinodi për sinodalitetin në arritjen e një paqeje të drejtë?

Paqja e drejtë është e vetmja paqe e mundshme. Pa drejtësi nuk ka paqe. E shohim sa e vështirë është paqja e drejtë në konfliktin në Ukrainë, por edhe në Siri dhe në vende të tjera, në Sudan... Nuk mund të jemi pranë Zotit, pa qenë pranë njerëzve të vuajtur. Njerëzit sot vuajnë tmerrësisht nga lufta. Çdo ditë vriten shumë njerëz, dhunohen gra, dhunohen djem e vajza. Kjo shkon krejtësisht kundër Krijuesit dhe Shëlbuesit të botës. Duhet të angazhohemi për një paqe të drejtë. Impenjimi për paqen është pjesë e të qenit i krishterë.

Sot (20 qershor) është Dita Botërore e Refugjatëve. Një koment për mbytjen e anijes në Greqi, tragjedia me e madhe e emigrantëve në Mesdhe...

Ndihem shumë keq. E, nuk është fjala vetëm për këtë anije... Çdo javë, çdo muaj, vdesin njerëz në Mesdhe. Jemi mësuar me këto lajme. Na bën përshtypje vetëm kur anija është më e madhe dhe lajmi mbush gazetat. Kjo dhemb! Edhe kur shoh politikën e Bashkimit Evropian… më dhemb shpirti! Sepse flasim për vlera evropiane, por ato janë vetëm për qytetarët e Bashkimit Evropian. Për të tjerët, këto të drejta nuk ekzistojnë. Ndërtojmë kampe në kufijtë e Bashkimit... po të kishte dinjitet njerëzor në këto kampe do të ishte mirë, por kur nuk ka dinjitet njerëzor, kur ka skllavëri, kur familjet nuk kanë shpresë të bashkohen, mendoj se Evropa nuk mund të flasë më për vlerat e veta. Kjo, që po ndodh sot, është shumë serioze. Kisha e Jezu Krishtit duhet të jetë gjithmonë e impenjuar në favor të më të varfërve, të refugjatëve. Po shtohen, numri më i madh i tyre nuk është në Evropë, por duhet të bëjmë diçka, duhet të ndihmojmë.

20 qershor 2023, 16:48