Kërko

 Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare  (AFP or licensors)

Imzot Gallagher: vlerat pozitive të fesë janë ndihmë konkrete për paqen

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare imzot Gallagher foli në një tryezë të rrumbullakët në Montecitorio. Ripohohet përpjekja e Kishës për të kërkuar dialog dhe vëllazëri mes vendeve

R. SH. - Vatikan

Ta respektosh jetën dhe të luftosh kundër dhunës; të flasësh dhe  të veprosh sinqerisht, pa mashtruar e pa manipuluar; t’i trajtosh të tjerët me ndershmëri dhe drejtësi; ta duash të afërmin tënd! Sipas Kryeipeshkvit imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, këto janë vlerat pozitive që i bashkojnë të gjitha fetë e botës dhe që mund t'i bëjnë faktorë vendimtarë në mbrojtjen e paqes. Imzot Gallagher foli në tryezën e rrumbullakët me temë "Feja, konflikti dhe roli i paqes në krizat ndërkombëtare globale", organizuar në Palazzo Montecitorio, në Romë dje, 15 qershor.

Lutja si dialog

Pikërisht në lutje besimtarët - 85% e popullsisë së botës - gjejnë mënyrën e privilegjuar për të shprehur dëshirën e tyre për paqe - shpjegoi imzot Gallagher në fjalimin e tij. - Feja - vijoi – për vetë natyrën e saj, është marrëdhënie ndërmjet Zotit dhe njeriut, gjë që gjen shprehjen e vet në lutje. E lutja është dialog!

Zgjedhja ndërmjet rrëmujës e harmonisë

Synimi përfundimtar i dialogut – vazhdoi të arsyetonte prelati duke cituar Ecclesiam Suam dhe Gaudium et Spes të Palit VI, është pra "të shmanget lufta, ose t'i jepet fund dhe të nisë koha e paqes". Kujtojmë se etimologjikisht  fjala “luftë” vjen nga indo-evropianishtja “wers”, që do të thotë konfuzion, ndërsa paqja, nga sanskritishtja - pak - që do të thotë të bashkosh – të zgjedhësh "konfuzionin ose harmoninë". Megjithatë, përgjigja nuk është gjithmonë ajo më e dukshmja, gjë që ishte shumë e qartë në mendjet e papëve modernë, gjatë një rruge, që arrin deri te Papa Françesku, i cili në vizitën e tij në Redipulia, në vitin 2014, e quajti luftën  "çmenduri".

"Lufta e drejtë"

Një tjetër temë e prekur nga Papët është edhe ajo e "luftës së drejtë" si dhe e përligjjes së përdorimit të forcës. Ndërmjet kësaj doktrine dhe perspektivës jo të dhunshme të Ungjillit ka pasur gjithmonë tension - kujtoi Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet imzot Gallagher - duke kujtuar se këto janë dy aspekte të dallueshme, por të pajtueshme, njëri që ka të bëjë me veprimin e individit të krishterë, tjetri, me shtetet e tjera dhe shprehjen e parimeve natyrore të drejtësisë dhe të barazisë.

Vëllazëria, si përgjigje

Kisha ka qenë gjithmonë mbrojtëse e fuqishme e mospërdorimit të dhunës – shtoi Prelat - duke kujtuar ratifikimin, më 1868, nga Piu IX, të Konventës së parë të Gjenevës për trajtimin e viktimave të konflikteve të armatosura. Që nga ai çast Selia e Shenjtë nuk kurseu asnjë përpjekje për mbrojtjen e paqes,  duke e  kuptuar jo si mungesë e luftës e imponuar me forcë, por si akt drejtësie i shkruar në realitetin e sotëm. Themeli i kësaj - siç përsërit Françesku - mund të jetë vetëm vëllazëria, “sepse të gjithë   njerëzit, ashtu si edhe të gjitha vendet, janë të lidhura pazgjidhshmërisht njëri me tjetrin”.

16 qershor 2023, 12:38