Kërko

KardinaliArthur Roche, prefekt i Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve KardinaliArthur Roche, prefekt i Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve

Dikasteri për Kultin Hyjnor cakton leximet për meshën "ad postulandam continentiam"

Dikasteri për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve sqaron cilat duhet të jenë leximet biblike në meshën e kremtuar për ndjetin "ad postulandam continentiam", pra, për vetëpërmbajtje

R.SH. – Vatikan

         Dikasteri për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve publikon një Dekret, me të cilin përcaktohen leximet biblike për meshën "ad postulandam continentiam", pra, për vetëpërmbajtje, pjesë e rendeve tw shumta të kremtimeve eukaristike për nevoja të ndryshme, në Mesharin Romak.

Dekreti që përmban listën e leximeve nënshkruhet nga kardinali Arthur Roche, prefekt i Dikasterit dhe nga kryeipeshkvi Vittorio Francesco Viola, sekretar i po atij Dikasteri. Ai u dërgohet konferencave të ndryshme kombëtare të ipeshkvijve në mbarë botën.

Në komunikatën me të cilën shpjegohet vendimi i Dikasterit, lexohet: “Në Mesharin Romak termi 'continentia' përdoret në mënyrë të përgjithshme për të treguar të gjitha ato gjëra, që duhet të bëjë çdo i pagëzuar për t’u veshur me Krishtin (shih Gal 3,27 ), duke luftuar kundër çdo forme të së keqes, me vetëdijen se trupi i tjetrit është tempull i Shpirtit Shenjt, mjet për të lëvduar Zotin (shih 1 Kor 6,19), duke ecur në jetë, në një hap me Shpirtin Shenjt (shih Gal 5,25); mjet për të zbatuar urdhërimet hyjnore (shih Sir 2,20.21 dhe Ez 36,27), dhe jo për ta fyer Zotin, duke u kapur pas dëshirave dhe veprave të mishit (shih Gal 5,19)”.

Nota thekson se kjo detyrë nuk varet vetëm nga përpjekjet njerëzore, pasi të krishterët duhet “ta kërkojnë dhe ta fitojnë hirin për të jetuar sipas Shpirtit Shenjt (shih Gal 5,25), për një zemër e një shpirt të ri (shih Ez 36,26). "Me këto lexime biblike," nënvizohet në komunikatë, "synohet të jepet një kremtim i plotë për të kërkuar hirin e një zemre të dlirë, të lirë nga dëshira për të dominuar, për të zotëruar, për të pushtuar, për të shqyrtuar ambiciet e të tjerëve në mënyrë të shfrenuar dhe për të kënaqur dëshirat e ndokujt, shpesh, në kurriz të më të brishtëve”. Prandaj, mesha "ad postulandam continentiam" mund të kremtohet për ndjetet e çdo të pagëzuari, pavarësisht nga gjendja apo statusi i tij.

Leximet biblike

Leximet e përcaktuar nga Dikasteri për Kultin Hyjnor përfshijnë një pjesë ungjillore nga shën Mateu ("Ju jeni kripa e tokës", Mt 5,13-16) dhe një nga shën Gjoni ("Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu siç ju kam dashur unë", Gjn 15,12-17). Leximet e Besëlidhjes së Vjetër janë marrë nga Libri i Ezekielit Profet ("Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi", Ez 36,24-29a) dhe nga Siraku ("Ata që kanë frikën e Tënzot t’i përgatisin zemrat", 2,18-23).

Leximet e Besëlidhjes së Re merren nga Letrat e Shën Palit drejtuar Romakëve ("Dashuria të mos ketë pretendime", Rom 12,1-2, 9-18), drejtuar Korintasve ("A nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju, që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkisni më vetvetes?", 1 Kor 6,12-15a, 17-20) dhe Galatasve ("Fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj", Gal 5,16-25).

Psalmi merret nga Psalmet 86 dhe 112.

26 qershor 2023, 12:53