Kërko

Papa Françesku - Takimi i Këshillit të Kardinajeve C9 Papa Françesku - Takimi i Këshillit të Kardinajeve C9 

C9, vijon mbledhja e Këshillit të Kardinajve, në prani të Papës

Nisi sot, e hënë 26, seanca e qershorit. E fundit u mbajt në prill: ishte takimi i parë pas rinovimit të organizmit, marsin e kaluar

R. SH. - Vatikan

Vijon, në Vatikan, në prani të Françeskut, takimi i Këshillit të Kardinajve, i quajtur shkurtimisht C9, organ i krijuar në vitin 2013 nga Papa, e i riorganizuar marsin e kaluar. Lajmin e dha Salla e Shtypit e Vatikanit. Sesioni i prillit

Mbledhja e fundit e C9 u zhvillua më 24 dhe 25 prillin e kaluar, sërish në prani të Papës, së bashku me të gjithë anëtarët e Këshillit dhe sekretarin, Imzot Marco Mellino. Ndërmjet temave të ndryshme, trajtuar me atë rast, ishin "situatat e luftës dhe konfliktit në të cilat gjenden shumë pjesë të botës", "nevoja që e gjithë Kisha të punojë së bashku për të rivendosur paqen", “përgatitjet për asamblenë sinodale të tetorit” dhe “zbatimi i Kushtetutës Apostolike ‘Praedicate Evangelium’”, botuar më 19 mars 2022.

Rizgjedhja e anëtarëve, në mars

Siç u kujtua, Këshillit i ri u riorganizuar më 7 mars 2023. Anëtarë janë kardinajtë Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit; Fernando Vérgez Alzaga, president i Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit dhe i Guvernatoratit të të njëjtit Shtet; Fridolin Ambongo Besungu, kryeipeshkëv i Kinshasës; Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit; Seán Patrick O'Malley, kryeipeshkëv i Bostonit; Juan José Omella Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës; Gérald Lacroix, kryeipeshkëv i Kebekut; Jean-Claude Hollerich, kryepeshkëv i Luksemburgut; Sérgio da Rocha, kryeipeshkëv i San Salvador de Bahia. Sekretar është Imzot Marco Mellino.

Themelimi

Këshilli i Kardinajve u themelua nga Papa Françesku me Kirografin e 28 shtatorit 2013, me detyrën për ta ndihmuar në qeverisjen e Kishës universale dhe për të studiuar projektin për rishikimin e Kuries Romake, ky i fundit, i zbatuar me Kushtetutën e re Apostolike “Predikojeni Ungjillin”. Takimi i parë i C9 u mbajt më 1 tetor 2013.

26 qershor 2023, 14:15