Kërko

Economy of Francesco Economy of Francesco

Akademia Economy of Francesco, kërkim shkencor, në gjurmët e Shën Françeskut

Programi përfaqëson një rrjet ndërkombëtar studiuesish të rinj, krijuar për të inkurajuar dhe për të kryer kërkime shkencore, duke prekur tema të afërta me ekonominë e Françeskut. Enrico Marcazzan, studiues i Akademisë: "Të krijojmë dialog me mendimet kryesore, për ta frymëzuar me frymën françeskane"

R. SH. / Vatikan

Të ndihmosh në nxitjen e studiuesve të rinj, duke e parë kërkimin shkencor në plan ndërkombëtar. Ky është synimi i "EoF Academy", iniciativë e konceptuar nga Economy of Francesco, që përfaqëson një rrjet ndërkombëtar studiuesish të rinj, të cilët - duke ndjekur një kalendar njëvjeçar aktivitetesh - mund të zhvillojnë programe kërkimore duke i zhvilluar aftësitë e tyre. Një realitet i cili, siç shpjegon për Vatican News Enrico Marcazzan, studiues i Akademisë: "Ofron hapësirë ​​për reflektim mbi temat që shpesh lihen mënjanë në revistat shkencore, duke promovuar  dialog mes mendimit të zakonshëm dhe frymës së Françeskut”.

Ndiqeni intervistën me Enrico Marcazzan

Studiuesi është një nga fituesit e bursës së ofruar nga Akademia: “Takimi im me ekonominë e Françeskut buron nga pjesëmarrja në Shkollën Verore Ndërkombëtare, që kishte si objektiv ta rimendonte mësimin e ekonomisë duke filluar nga studimi i të përbashkëtave. “Gjatë kësaj përvoje Marcazzan takohet me realitetin e EoF dhe pasi bëhet anëtar aktiv, vendos t'i propozojë Akademisë projektin e tij kërkimor: "Studimi im fokusohet në identifikimin e stileve më të përshtatshme të lidershipit për t'iu përgjigjur problemeve të varfërisë - shpjegon ai - edhe në një kontekst perëndimor mund të kuptojmë se kemi forma të ndryshme varfërie, njëra prej të cilave është ajo shpirtërore. Projekti kërkimor kërkon të hetojë se cilat strategji zbatohen nga udhëheqësit për të zbutur llojet e ndryshme të varfërisë shpirtërore në rajone të ndryshme perëndimore.”

Këndvështrimi ndërkombëtar

Nëpërmjet këtij realiteti - shpjegon studiuesi i ri - disiplinat sociale nga më të ndryshmet funksionojnë në sinergji në një shkëmbim të gjerë njohurish të cilat, nga ekonomia te menaxhimi, nga urbanistika te inxhinieria, synojnë të japin zgjidhje të reja për probleme të natyrës globale: “Akademia EoF është e angazhuar në një reflektim ndërkombëtar. Çdo vend ka veçoritë dhe problemet e veta, të cilat duhen trajtuar me lente specifike”. Programi bashkëpunon me universitete dhe institucione ndërkombëtare për të zhvilluar aktivitete të përbashkëta kërkimore dhe mësimore. “Para disa javësh u bë paraqitja e Akademisë - thotë Marcazzan - ku takuam kolegët tanë, të cilët vijnë nga e gjithë bota dhe nga të gjitha disiplinat. Rëndësi ka të shikosh sesi gjithçka është e lidhur dhe, pas ftesës së Papës Françesku, të përpiqesh të mos ngecesh në një kontekst të vetëm gjeografik apo fushë hetimi”.

Një e ardhme plot shpresë

"Në bashkësi ka një shkëmbim të mrekullueshëm, jo ​​vetëm ndërmjet nesh, të rinjve, por edhe me të moshuarit - akademikët, sipërmarrësit dhe krijuesit e ndryshimit, që mbështesin studiuesit në rrugëtimin e tyre - njerëz që kanë shumë përvojë dhe që kanë kapërcyer disa nga sfidat, të cilat duhet t’i përballojmë tani". Enrico Marcazzan nënvizon se entuziazmi, që buron nga të rinjtë, udhëhiqet nga drita e fjalëve të Shën Françeskut dhe të Papës, nëpërmjet mësimeve të mësuesve të cilët, në përputhje me këndvështrimin e Ekonomisë së Françeskut, ofrojnë mësime dhe njohuri: "Ato ofrojnë reflektime të afta për të kanalizuar energjinë pozitive që buron nga ne të rinjtë, duke e drejtuar në rrugën e ndërtimit të diçkaje, që ka ndikim të vërtetë. Gjë e bukur - përfundon - të shohësh sinergjinë që mund të krijohet ndërmjet brezave të ndryshëm”.

09 qershor 2023, 13:35