Kërko

Nga ekspozita WOMEN'S CRY ne Vatikan Nga ekspozita WOMEN'S CRY ne Vatikan

“Women’s cry”, britma e shpresa e grave në një ekspozitë në Shën Pjetër

U përurua dje, më 2 maj, nën shtyllat e Berninit, një ekspozitë me 26 fotografi të realizuara nga tetë fotografë të njohur botërorë, që portretizojnë rezistencën e grave, edhe në skajet më të largëta të planetit. Vizitorët përshkojnë një rrugë të ideuar regjisorja Lia Beltrami për Observatorin Botëror të Grave, në bashkëpunim me Dikasterin për Komunikimin

R.SH. – Vatikan

         "Nëse Jezu Krishti ka pasur një lloj parapëlqimi për gratë, si për gruan samaritane, mëkataren, vejushën e Naimit, Maria Magdalenën... si është e mundur që kaq shumë gra në botën e sotme mendojnë se Kisha nuk i do?" Me këtë provokim, Maria Lia Zervino, presidente e Bashkimit Botëror të Organizatave Katolike Femërore UMOFC-WUCWO, paraqiti dje, 2 maj, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, ekspozitën fotografike “Women's Cry” (Britma e grave), e cila do të qëndrojë e hapur deri më 28 maj, nën shtyllat e Berninit, në të majtë të Sheshit të Shën Pjetrit, në Vatikan.

Ekspozita "Women's cry"
Ekspozita "Women's cry"

Gra, që u rezistojnë dramave, gra të shpresës

Ekspozita, 26 foto të realizuara nga tetë fotografë, lindi nga një ide e Lia dhe Marianna Beltrami-t, për Observatorin Botëror të Grave, në bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Komunikimin. Synimi i tyre, që kanë marrë në dorë edhe drejtimin artistik të ekspozitës, është të shihet se Kisha sot dëshiron të përqafojë të gjitha gratë e botës, besimtare e jobesimtare, t’u japë zë, për t’ua përmirësuar jetën e tyre dhe të popujve ku bëjnë pjesë. Gratë janë fotografuar kryesisht gjatë veprimtarive të përditshme, shpesh, në gjendje dramatike a të vështira, në periferitë e ndryshme të planetit. Gra, që rezistojnë e që u përshtaten kushteve, u theksua gjatë paraqitjes. Gra që, përmes objektivit të mençur e delikat të fotografit, transmetojnë aftësinë e atyre transformuese, që e ndryshon botën dhe ka si horizont vëllazërimin njerëzor.

Nga ekspozita "Women's cry" - grua e saposhpëtuar në Mesdhe
Nga ekspozita "Women's cry" - grua e saposhpëtuar në Mesdhe

Beltrami: fuqia e vështrimit femëror

Lia Beltrami është ideatorja e ekspozitës, pjesë e projektit më të gjerë “Emocione për të krijuar ndryshim”. Më parë, ajo është kujdesur për Pavijonin e Selisë së Shenjtë në EXPO Milano 2015, ka qenë drejtoreshë artistike e ekspozitës fotografike në EXPO Astana 2017 dhe ka themeluar Festivalin e Filmit “Religion Today” (Feja sot). Sipas saj, ekspozita “Britma e Grave” dëshmon forcën e këndvështrimit femëror mbi botën, që bazohet mbi lidhjet e marrëdhëniet, duke sugjeruar një shoqëri jo diskriminuese për to. Çdo pamje e fotografive na çon në një botë grash të forta dhe të brishta njëkohësisht, por të afta të mbajnë barrë të rënda, pa e harruar bukurinë e jetës, nënvizon Lia Beltrami.

Familje, që kultivon manioka në Amazonë
Familje, që kultivon manioka në Amazonë

Fotografët vënë në pah potencialin e një jete jo të lehtë

Fotografët e këtij projekti janë nga më njohurit në botë. Nga Bangladeshi vjen Asaf Ud Daula, i vlerësuar nga revista amerikane Forbes si fotografi më i mirë në favor të ambientit (kujtojmë se ai u zbulua si profesionist nga fotografitë e vendosura në pavionin e Selisë së Shenjtë në Milano Expo 2015). Pastaj, Luca Catalano Gonzaga, fitues i disa çmimeve në mbarë botën; Vassilis Ikoutas, nga Rodi; Ferran Paredes Rubio, katalan, drejtor fotografie; Caterina Borgato, eksploratore, tejet e vëmendshme ndaj njerëzimit dhe botës së grave të panjohura, si edhe fotografja e famshme, Silvia Tenenti. Ajo vetë, që ka fotografuar gratë në shkretëtirën e Danakalisë etiopase, në ishullin e paarritshëm Socotra (Jemen), në lartësitë e Mongolisë perëndimore, në kufirin me Siberinë, deklaron se i pëlqen të ndalet "në pabarazitë e shoqërisë së pasur e jo vetëm në ato të shoqërive të varfëra”, pasi edhe ato e vështirësojnë afirmimin e grave. Çdo fotografi shoqërohet me një frazë nga enciklika “Fratelli tutti” e Papës Françesku.

Dy murgesha në Togo
Dy murgesha në Togo
03 maj 2023, 13:43