Kërko

Budistë Budistë

Festa budiste e Vesakh: mesazh vëllazërimi i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar

Në mesazhin e tij për festën budiste të Vesakh-ut, me temë “Budistë e të krishterë: të shërojmë plagët e njerëzimit e të Tokës me Karuna e Agape”, Dikasteri për Dialogun Ndërfetar kërkon: “të përpiqemi të gjithë të jetojmë me dashuri dhe dhembshuri më të madhe dhe të punojmë së bashku për të ndërtuar një botë më të drejtë, paqësore dhe të bashkuar”

R.SH. - Vatikan

Sot, kremtohet festa budiste e Vesakh, gjatë së cilës përkujtohen ngjarjet kryesore të jetës së Budës. Kjo festë kremtohet në data të ndryshme në vendet me kulturë budiste, sipas traditave përkatëse. Me këtë rast, Dikasteri vatikanas për Dialogun Ndërfetar u ka dërguar gjithë budistëve një mesash urimi me titull “Budistë e të krishterë: të shërojmë plagët e njerëzimit e të Tokës me Karuna e Agape”.

         Në traditën budiste, “Karuna” është term i gjuhës sanskripte, që përdoret për çdo lloj veprimi, i cili synon të lehtësojë vuajtjet e të tjerëve, pra, s’është tjetër, veçse një vepër dhembshurie e mëshire. Karuna është cilësi, që i motivon njerëzit të punojnë për të sjellë harmoni dhe ekuilibër për tokën e për të tjerët.

         Ndërkaq, “agape” është fjalë, që i përket veçanërisht traditës së krishterë. Do të thotë dashuri pa interes, pa fund, pa masë. Teologjia e krishterë e përdor për të treguar dashurinë e Zotit për njerëzimin. Agape për të krishterët e parë ishte një praktikë bamirësie e përbërë nga një gosti komunitare, që përfshinte meshën, bashkimin, shprehjen e lidhjes së besimtarëve të motivuar nga dashuria vëllazërore.

         Pikërisht duke pasur parasysh këtë, në mesazhin e tij, Dikasteri për Dialogun Ndërfetar u uron budistëve festën dhe u kërkon: “të përpiqemi të gjithë të jetojmë me dashuri dhe dhembshuri më të madhe dhe të punojmë së bashku për të ndërtuar një botë më të drejtë, paqësore dhe të bashkuar”.

05 maj 2023, 11:15