Kërko

Pamje nga Ukraina Pamje nga Ukraina  (AFP or licensors)

Ukrainë, Parolin: kuptimi i misionit të Vatikanit, të zhdukë pengesat për paqen

Në ishullin Tiberin për paraqitjen e një projekti, Sekretari i Shtetit të Vatikanit u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për nismën, që Papa ia besoi Kardinalit Zuppi, duke përsëritur dëshirën e tij për të mos përjashtuar askënd nga dialogu dhe për të shkuar drejt armëpushimit, edhe të negociuar.

R. SH. - Vatikan

"Të përpiqemi për t’i zhdukur të gjitha pengesat", duke nisur nga kërcënimet për shkallëzim bërthamor, "dhe të arrijmë tek armëpushimi e tek negociatat". Këto janë objektivat bazë të misionit të paqes, që Papa ia besoi Kardinalit Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në përpjekjen për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Kardinali Parolin - i cili foli më 26 maj mbi këtë temë, në një takim në Ambasadën Italiane pranë Selisë së Shenjtë - edhe dje iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, gjatë paraqitjes së "Projektit Shën Bartolomeu" nga Spitali Gemelli Isola Tiberina në bashkëpunim me Komunitetin e Shën Egjidit dhe Fondacionin Deloitte.

Nuk duhet humbur kurrë shpresa

I pyetur nga agjencia La Presse për gatishmërinë e treguar nga Moska lidhur me nismën e Vatikanit dhe kërkesën e presidentit ukrainas Zelensky, për kthimin e fëmijëve ukrainas të çuar në Rusi, Parolin flet sidomos për "shpresën": sepse, pohon "nuk duhet humbur kurrë”. “Mbrëmë dikush më tha se ne besimtarët nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën. Unë mbështetem tek kjo deklaratë…”. Për misionin e Kardinalit Zuppi, Sekretari i Shtetit të Vatikanit shpjegon se nuk pretendon "krijimin e kushteve për paqe", por - siç u tha edhe dje - për të krijuar "një klimë" që mund të favorizojë ndalimin e konfliktit.

Pengesat për paqen

Në lidhje me kërcënimin bërthamor, mbetur pezull mbi luftën që vazhdon prej më shumë se një viti, Sekretari i Shtetit përsërit se mund të jetë pa dyshim "pengesë": "Çdo gjë që lidhet me shkallëzimin, është pengesë për paqen"- pohon. "Mision, në këtë kuptim, do të thotë të përpiqemi të heqim të gjitha pengesat dhe të arrijmë në armëpushim e në negociata".

Askush nuk përjashtohet

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetave të tjera, kardinali nënvizoi se sa e vështirë është të flitet për ndërmjetësim, pa krijuar kushtet, apo "atmosferë" që mund të çojë në disa hapa përpara për paqen. Sekretari i Shtetit, ashtu si dje, nuk dha hollësira për misionin e Kardinalit Zuppi. Moska dhe Kievi mbeten bashkëbisedues, por - shpjegoi ai - pas një përpjekjeje fillestare me dy kryeqytetet e përfshira në konflikt, nuk përjashtohet as dialogu i mëvonshëm me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. “Kur bëhet fjalë për paqen, nuk përjashtojmë askënd”, siguron Kardinali Parolin, duke sqaruar se megjithatë tani për tani nuk ka asgjë konkrete.

28 maj 2023, 13:39