Kërko

Logo e Sinodit Logo e Sinodit

Sekretaria e Përgjithshme miraton Dokumentin e Punës për Sinodin

Këshilli i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit miratoi “Instrumentum laboris” për etapën e parë të Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar sinodalitetit, si dhe metodologjinë e asamblesë. Takimi i parë sinodal mbahet në tetor të këtij viti, i dyti, vitin e ardhshëm

R.SH. – Vatikan

Në "atmosferën e vëllazërimit", karakterizuar nga lutja dhe reflektimi personal, u mblodh në Romë, Këshilli i zakonshëm i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit për të diskutuar mbi “Instrumentum Laboris” për Asamblenë e Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve.

Dokumenti i Punës, i cili pritet të publikohet në fillim të qershorit, do të orientojë diskutimet në takimin e parë sinodal, në tetor të këtij viti. Siç dihet, etapa e dytë e asamblesë së ipeshkvijve do të vijojë vitin e ardhshëm.

Kësaj jave, anëtarët e Këshillit së bashku me ekspertë të ndryshëm mbi tematikat e propozuara në përfundim të shqyrtimit, që filloi në dioqeza për të përfunduar në nivelin kishtar kontinental, reflektuan, ndryshuan dhe së fundi, miratuan jo vetëm “Instrumentum laboris", por edhe metodologjinë për Asamblenë e ardhshme.

Përgatitja shpirtërore për Asamblenë e Përgjithshme

Gjithashtu, ata diskutuan për ushtrimet shpirtërore të pjesëmarrësve në Asamble, si edhe për Lutjen Ekumenike të Vigjiljes “Together2023” (Së bashku 2023), që do t'i paraprijnë tubimit. Nisma Together2023 ka për qëllim të mbledhë përfaqësues të rinj të Kishave dhe të bashkësive të ndryshme kishtare në lutjen e përbashkët e në dëgjimin e Fjalës së Zotit. Veçoritë e këtyre takimeve dhe informacioni më i plotë mund të gjendet në faqen e internetit www.together2023.net.

Asambleja e Përgjithshme e Sinodit i përket fazës përfundimtare të procesit sinodal, në vazhdimësi me fazat e para përgatitore, në të cilat, i gjithë populli i Zotit u përfshi në konsultime e në shoshitje për të propozuar temat, që i konsideron të rëndësishme për shtimin e bashkimit e të sinodalitetit në Kishë. Sipas Sekretarisë së Përgjithshme, “Instrumentum Laboris, që do të jetë baza e punës për Asamblenë e tetorit, është fryt i këtij procesi dëgjimi në të gjitha nivelet e Kishës”.

Deklarata e plotë për miratimin e këtij Dokumentit të Punës gjendet në faqen e internetit të Sinodit.

12 maj 2023, 12:08