Kërko

Papa Francesco udienza Papa Francesco udienza

Scholas, Del Corral: të shndërrohen qytetet në vende edukimi

Drejtori botëror i rrjetit të shoqatave shpjegon objektivat e Kongresit të Qyteteve Eko-Edukative, i cili mbledh në Romë 50 kryetarë bashkish nga Amerika Latine deri nesër, më 25 maj, me ngjarjen përfundimtare, që do të zhvillohet në Augustinianum, në prani të Papës Françesku: të rinjtë, nxitës të ndryshimit

R.SH. – Vatikan

         “Me këtë Kongres duam t’i angazhojmë kryetarët e gjithë bashkive të botës për t'u bërë qytete edukative e të qëndrueshme”. Kështu e shpjegon José María del Corral, drejtor botëror i Scholas Ocurrentes, qëllimin e Kongresit të parë Botëror të “Qyteteve Eko-Edukative”, i cili nisi dje, më 23 maj, në Romë e do të vazhdojë deri nesër, me pjesëmarrjen e 50 kryetarëve të bashkive të Amerikës Latine dhe Evropës. Takimi organizohet nga Fondacioni papnor në bashkëpunim me Bankën e Amerikës Latine për Zhvillimin, si pjesë e kremtimeve të 10-vjetorit të përhapjes së Scholas Occurrentes në mbarë botën. Tre ditët do të përfundojnë në praninë e Papës Françesku, i cili do të marrë pjesë në takimin përfundimtar në Institutin Augustinianum.

Sfida për t'u bërë qytete edukative

Duke shpjeguar objektivin e Kongresit, drejtori i Scholas fillon nga kriza e vitit 2001 në Argjentinë, kur njerëzit thërrisnin nëpër sheshe "të gjithë jashtë" dhe paqja sociale ishte "tejet e vështirë". Në këtë kuadër, kryeipeshkvi i atëhershëm Jorge Mario Bergoglio besonte se edukimi nuk bëhej vetëm në klasa dhe shkolla, por ishte angazhim për gjithë qytetin dhe për protagonistët e tij. Të rinjtë e atëhershëm arritën ta kthenin këtë synim në Ligjin 2189, që u miratua unanimisht. Kështu, dioqeza e At Bergoglio-s u bë qyteti i parë edukativ, promovuar nga të rinjtë.

"Tani, kremtojmë 10-vjetorin - pohon Del Corral - dhe shohim se është absolutisht e nevojshme që Scholas, që të rinjtë e Scholas nga pesë kontinentet, të rimarrin në dorë këtë nismë, sipas së cilës vetë qytetet marrin përsipër të bëhen qytete edukative dhe jo qytete të  drogës e të krimit, të marrin në dorë kulturën, të nisin një udhë të re. Për këtë arsye, kemi mbledhur 50 kryebashkiakë nga e gjithë Amerika Latine dhe disa nga Portugalia dhe Evropa, për të kujtuar origjinën, pra, propozimin e Papës Françesku për një qytet më njerëzor dhe më gjithëpërfshirës”.

Shkollë e “Laudato si'” për kryetarët e bashkive

Në kuadër të 10-vjetorit të themelimit të Scholas dhe kremtimit të Javës Laudato Si', nga 21 deri më 28 maj, José María Del Corral vë në dukje propozimin që Scholas u ka bërë “kryetarëve të bashkive, në zbatim të enciklikave të Papës Françesku, Fratelli tutti dhe Laudato si'”. Kujton hapjen e shkollës së parë “Laudato si’”, së bashku me Papën Françesku, vitin e kaluar, me të rinj nga shumë vende, të cilët kërkuan bashkëpunim me kryetarët e bashkive, për të vënë në jetë paktin edukativ për qytetet. Ky ishte propozimi i të rinjve të Amazonës, për të cilën fillon në Romë edicioni i dytë i shollës Laudato si’, nxënësit e së cilës, në këtë rast, janë kryetarët e bashkive.

Takimi i fundit me Papën

Dita e fundit do të zhvillohet të enjten, më 25 maj, në orën 15:00 në Aula Magna të Institutit Patristik Augustinianum, ku kryetarët e bashkive, së bashku me ekspertë të tjerë, do t'i paraqesin rezultatet e punës së tyre Papës Françesku, i cili do të lidhet drejtpërdrejt me bashkësitë rinore të Scholas në Argjentinë, Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe në Amazonën kolumbiane. Më tej, Papa do t’u bëjë një surprizë një grupi të moshuarish dhe të rinjsh në një rezidencë në Spanjë, pjesë e programit edukativ ndërbreznor "Të qëndrojmë së bashku".

24 maj 2023, 16:15