Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Parolin: Kievi dhe Moska janë informuar me kohë për misionin e Selisë së Shenjtë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë paraqitjes së një libri për Don Tonino Bello-n, deklaroi se "u befasua" nga fjalët e qeverive të Rusisë dhe të Ukrainës, të cilat pohuan se nuk janë në dijeni për nismën e paqes së Selisë së Shenjtë, përmendur nga Papa në avionin e kthimit nga Budapesti. Ai përsëriti thirrjen për t'i dhënë fund luftës

R.SH. – Vatikan

         "Të gjejmë pika takimi dhe t’i japim fund kësaj masakre, që po godet fort Ukrainën, por ka pasoja jo të pakta edhe për Rusinë". Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, përsëriti thirrjen e vazhdueshme të Papës Françesku për fundin e luftës në Ukrainë, e cila vijon që nga 24 shkurti 2022. Kardinali, që foli me gazetarët gjatë paraqitjes së një libri mbi Don Tonino Bello-n, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV), sqaroi edhe “misionin” e Selisë së Shenjtë për të promovuar paqen në Ukrainë, të cilin Papa e njoftoi në avionin e kthimit nga Budapesti. “Unë jam i gatshëm të bëj gjithçka duhet – pati thënë Ati i Shenjtë. Edhe tani, ka një mision, por nuk është ende publik. Le të shohim se si do të shkojë... do t'jua them kur të bëhet publik”. Fjalë, të cilave qeveritë e Moskës dhe të Kievit iu përgjigjën, duke deklaruar se nuk ishin në dijeni të kësaj nisme të Vatikanit dhe se nuk kishin marrë ndonjë njoftim të veçantë për të.

I befasuar nga reagimi

         “Papa tha se do të ketë një mision, që do të njoftohet më hollësisht kur të bëhet publik dhe unë po përsëris të njëjtat fjalë”, deklaroi kardinali Parolin. “Nuk do të hyj në detaje”. Gjithsesi, Sekretari i Shtetit të Vatikanit sqaroi se “u befasua” nga reagimi i Rusisë dhe i Ukrainës, pasi të dyja palët janë lajmëruar me kohë për këtë. Por, shpjegoi ai, “në mesin e labirintit të burokracisë, mund të ndodhë që komunikimet të mos arrijnë atje ku duhet. Ky është intepretimi im, sepse, me sa di unë, të dyja palët janë informuar”. Kardinali Parolin mbajti qëndrim edhe për sulmin me drone mbi Kremlin, duke nënvizuar se “të gjitha veprimet luftarake, sidomos nëse shërbejnë për të krijuar një atmosferë më të keqe armiqësie, natyrisht, nuk e afrojnë paqen”. Sipas tij, akoma nuk ekzistojnë kushtet për një armëpushim të mundshëm. “Shpresojmë – nënvizoi – që nisma e Vatikanit të shkojë në atë drejtim. Si gjithnjë, kemi thënë se duhet të arrijmë në ndalimin e luftimeve, për të nisur më pas, një proces për paqen”.

T’i jepet fund masakrës

Duke pasur parasysh 9 majin, ditë në të cilën duhet të fillojë ofensiva e re ruse kundër Ukrainës, kardinali Parolin përsëriti ftesën e Papës Françesku për të dyja palët “që të gjejnë pika për marrëveshje dhe t’i japin fund kësaj masakre”.

04 maj 2023, 11:54