Kërko

2023.05.22 communicatione sociale

Nga Dikasteri vatikanas për Komunikimin, udhëzues për përdoruesit e rrjeteve shoqërore

Quhet “Drejt pranisë së plotë. Një reflektim baritor për impenjimin në social media”, dokumenti i fundit i Dikasterit vatikanas për Komunikimin. Një udhëzues për përdoruesit e internetit, sidomos, të rrjeteve shoqërore

R.SH. – Vatikan

Të krishterët mund të luajnë rolin e “influencer” në rrjetet shoqërore, në internet. Kështu thuhet në dokumentin e fundit të Dikasterit vatikanas për Komunikimin, që u botua sot.

 “Të gjithë duhet ta marrim seriozisht ‘ndikimin’, që mund të kemi. Nuk ka vetëm makro-influencer me publik të madh, por edhe mikro-influencer. Çdo i krishterë është një mikro-influencer. Çdo i krishterë duhet të jetë i vetëdijshëm për ndikimin e vet të mundshëm, pavarësisht nga numri i njerëzve që “e ndjekin”, nënvizohet në dokumentin e Dikasterit, ku bën pjesë edhe Radio Vatikani.

“Përgjegjësia jonë rritet me shtimin e numrit të ndjekësve (follower). Sa më i madh është numri i ndjekësve, aq më e madhe duhet të jetë vetëdija se nuk po veprojmë në emrin tonë. Përgjegjësia për t’i shërbyer bashkësisë së cilës i përkasim, sidomos për ata që kanë detyra publike, nuk mund të bëhet dytësore në krahasim me promovimin e opinioneve personale nga fronet e mediave dixhitale”, lexohet në dokumentin, që vë në dukje se “disa nga ‘influencer-ët e krishterë’ më me autoritet kanë qenë martirë. Martirët të tërheqin, sepse dëshmojnë bashkimin e tyre me Zotin, përmes flijimit të vetë jetës”.

Gjithnjë të lidhur në rrjet, nevojitet “shkëputje”

 Rrjetet shoqërore të mbajnë gjithnjë të lidhur në internet e kështu, mund ta humbasim aftësinë për të menduar më thellë e më të përqendruar rreth një synimi të caktuar. “Shohim vetëm sipërfaqen e notojmë në ujra të cekta, në vend që t’i peshojmë gjërat më thellë”, vijon dokumenti mbi social media.

 “Me këtë mbingarkesë stimujsh dhe të dhënash që na mbërrin, heshtja është pasuri e çmuar, sepse na siguron hapësirë për përqendrim e shoshitje. Përpjekja për të gjetur çaste heshtjeje edhe në kulturën dixhitale, e rrit rëndësinë e përqendrimit dhe të dëgjimit – theksohet në dokument. – Në ambientet edukative e në ato të punës, ashtu si edhe në familje e në bashkësi, shtohet nevoja për t’u shkëputur nga dispozitivët dixhitalë”.

“Në këtë rast, heshtja mund të krahasohet me një lloj ‘detoksifikimi dixhital’, që nuk do të thotë thjesht mospërdorim, por një mënyrë për të hyrë më thellë në kontakt me Zotin e me të tjerët”. Me këtë këshillë përfundon dokumenti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, udhëhequr nga Paolo Ruffini.

29 maj 2023, 13:56