Kërko

Maji me Marinë, art e fe në Kopshtet e Vatikanit

Me rastin e muajit marian, Muzetë e Papës presin një sërë vizitash të veçanta në Kopshtet e Vatikanit. Shtegtim kulturor e shpirtëror, për të zbuluar mrekullitë botanike dhe veprat e artit, me të cilat Papët e nderuan dhe e nderojnë Virgjërën Mari.

R.SH. - Vatikan

Dhjetë, si kokrrat e mistereve të rruzares. Këto, fazat në të cilat ndahet udha shpirtërore, kulturore dhe natyrore kushtuar Virgjërës Mari në muajin maj, çdo të mërkurë dhe të shtunë, nga Muzetë e Vatikanit, brenda Kopshteve vatikanase.

Zoja e Rojës, në Kopshtet e Vatikanit
Zoja e Rojës, në Kopshtet e Vatikanit

Heshtje dhe bukuri…

Udha është shumë më e këndshme se një shtegtim i thjeshtë kulturor dhe natyror, për të zbuluar portretet mariane, që zbukurojnë kopshtet e Papës:  shtegtim, përvojë shpirtërore dhe soditëse e favorizuar nga heshtja, nga bukuria e veprave artistike kushtuar Zojës dhe nga bimësia e mrekullueshme, e cila mbush plot hapësirën e gjelbër, oazë e vërtetë paqeje, që zë rreth gjysmën e sipërfaqes së Shtetit të Vatikanit.

Kopshtet e Vatikanit
Kopshtet e Vatikanit

Përmes krijimit, lavdërohet Krijuesi

Maji me Marinë! "Në këtë itinerar - shpjegon për Vatican News Motra Emanuela Edwards, drejtuese e Zyrës së Veprimtarive Arsimore të Muzeve të Vatikanit - do të keni mundësinë të shihni shumë shtatore dhe ikona Mariane, që zbukurojnë Kopshtet vatikanase. Me to papët, gjatë historisë, deshën ta nderojnë Zojen e Bekuar. Është një mënyrë për të qenë pranë Marisë në këtë maj, që i kushtohet. Çdo ndalesë shoqërohet me një shpjegim të veprës së artit, të historisë së saj dhe përfundon me një Të falemi Mëri!”.

Maria, lulja më e bukur e krijimit

Art e fe e shoqërojnë shtegtarin-vizitor që, përmes soditjes së krijimit, lavdëron Zotin, Krijuesin e gjithë Bukurisë. “Është traditë e Kishës - shpjegon murgesha shoqëruese e vizitorëve, motër Emanuela Edwards - t’ia kushtojë muajin maj Zojës së Bekuar, sepse ashtu si në këtë muaj natyra zgjohet dhe shfaqet me gjithë bukurinë e saj, ashtu edhe ne nderojmë lulen më të bukur të krijimit: të Papërlyerën. Nëse mendojmë edhe për lutjen e bukur, Rruzaren Shenjte, kujtojmë se ajo ka lindur për t'i dhuruar simbolikisht Zojës një kurorë me trëndafila, e cila më pas shndërrohet në Ave Maria - Të Falemi Mari".

Zoja e Zemrës së Shenjtë të Taggia në Kopshtet e Vatikanit
Zoja e Zemrës së Shenjtë të Taggia në Kopshtet e Vatikanit

Udha e devocionit për Marinë

Mes ullinjve shekullorë, kedrave, pishave, selvive, të shoqëruara nga aroma e luleve dhe këngët e zogjve që popullojnë Kopshtet e Vatikanit, në këtë sezon mund të soditen portretet më të bukura të Marisë: shtatorja e Zojës së Rojës (Madonna della Guardia), dhuruar nga gjenovezët Benediktit XV në kujtim të dukjes së Zojës bujkut Benedetto Pareto ose shtatorja e Zojës së Fatimes, kujtim i dukjes së Marisë tre barinjve të vegjël portugezë, më 1917 dhe dukurive që i shoqëruan (siç është mrekullia e diellit), por edhe plagosja e Shën Gjon Palit II, më 13 maj 1981. Shumë i ëmbël dhe amëtar është vështrimi i Zojës së Zemrës së Krishtit dhuruar në vitin 2006 nga ipeshkvi i Ventimiglia-s Benediktit XVI në kujtim të shtatores së mrekullueshme, që lëvizi sytë dhe mori pamjen e njeriut të gjallë në Taggia, më 1855.

Zoja e Fatimes në skulpturë nga F. C. Shradi në Kopshtet e Vatikanit
Zoja e Fatimes në skulpturë nga F. C. Shradi në Kopshtet e Vatikanit

Një Lurdë e vogël, në Vatikan

Më pas arrijmë te monumenti kushtuar Zojës së Guadalupes, paraqitur në çastin kur Juan Diego hap mantelin, duke i treguar ipeshkvit Juan de Zumárraga lulet e shpëthyera jashtë stinës, në vendin ku më vonë u ndërtua shenjtërorja. E akoma, skena e Shpellës së Zojës Lourdë, rikrijim i asaj së vërtetës, veçanërisht tërheqëse edhe sot, si në kohën e Leonit XIII, ju fton t'i luteni në Vatikan të Papërlyerës, që i qe dukur në Francë, më 1858, Bernadette Soubirous. Në këtë vend ndodhet edhe altari, i cili fillimisht ruhej në shenjtëroren e famshme mariane dhe më pas iu dhurua Shën Gjonit XXIII. Këtu janë ndaluar e vijojnë të ndalohen për disa çaste edhe shumë shtegtarë shqiptarë, që ndalen para Zojës e thonë me zë të lartë Rruzaren në gjuhën shqipe! Të falemi Mari, hirplote…..

Shpella e Lourdës në Kopshtet e Vatikanit me altarin e ruajtur në vendin e dukjeve deri në vitin 1958, kur iu dhurua Papës Gjoni XXIII Roncalli, ish-nunc apostolik në Paris
Shpella e Lourdës në Kopshtet e Vatikanit me altarin e ruajtur në vendin e dukjeve deri në vitin 1958, kur iu dhurua Papës Gjoni XXIII Roncalli, ish-nunc apostolik në Paris

Më pas, udha të çon në mënyrë ideale në Amerikën Latine me dhjetë figuret mariane të nderuara dhe të realizuara në mozaikë nga artistë të ndryshëm ose tek Zoja e Lujanit, pajtore e Argjentinës, veçanërisht e dashur për Françeskun. "Kjo vepër - shpjegon motra Emanuela Edwards - u krijua nga Alejandro Marmo, i cili, me dëshirën e Papës, përdori materiale të mbeturinash për të na kujtuar se para Zotit asgjë nuk duhet hedhur e se edhe ne të gjithë shpëtohemi nga mëshira e Tij".

Statuja e Virgjëreshës së Lujanit
Statuja e Virgjëreshës së Lujanit

Pas audiencës së përgjithshme të Papës

Kalendari i majit me Marinë i ofron shtegtarit-turist mundësinë për të marrë pjesë në këtë përvojë, përveç të shtunës, edhe të mërkurën, ditën e katekizmit të Papës në Sheshin e Shën Pjetrit: “Pasi të ketë mbaruar audienca, mund të përfitoni nga ky shtegtim i mrekullueshëm shpirtëror”. Vizitat që mund të rezervohen në faqen e internetit të Muzeut të Vatikanit, janë të hapura për të gjithë, duke përfshirë familjet me fëmijë ose personat me aftësi të kufizuara shqisore, motorike dhe intelektuale. Këta të fundit do të mund të përdorin për rezervimin, adresën e emailit Education.musei@scv.va.

Mozaiku kushtuar Zojës së Peñafrancias, Patrones së Filipineve
Mozaiku kushtuar Zojës së Peñafrancias, Patrones së Filipineve

Gjithçka është e lehtë, me ndihmën e Marisë

“Me këtë rrugëtim na duket sikur i shikojmë me sytë tanë dukjet e shumta në të cilat Zoja u foli bijve të saj në rrjedhë kohe”. Të prek gjithmonë dashuria amtare e Marisë për të gjithë, edhe kur e shikon të pasqyruar në artin, që përjetësoi praninë e Nënës së Krishtit në jetën e Kishës. Do të dëshironim që shtegtarët, në përfundim të kësaj shëtitje të paharrueshme në Kopshtet e Vatikanit, “mbjellur” me kryevepra e lule të rralla, të merrnin me vete, ndër zemra, fjalët që Zoja e Rojes ia thotë fermerit Benedetto Pareto: “Besomë! Me ndihmën time, gjithçka do të jetë e lehtë”.

Zoja e Zeshkët e Częstochowa-s
Zoja e Zeshkët e Częstochowa-s
03 maj 2023, 15:35