Kërko

Maji i lutjes në Sheshin e Shën Pjetrit, Fra Stoia: "T'i kërkojmë Marisë dhuratën e paqes"

Procesion me Rruzaren çdo të shtunë në orën 21:00, duke nisur nga Harku i Kumbonëve. "çast urate, për t’iu lutur Zojës të ndërmjetësojë për ngushëllimin e të vuajturve", shpjegon famullitari i Shën Pjetrit, duke njoftuar kalendarin e kremtimeve për javët në vijim.

R. SH. - Vatikan

Nismat e lutjes për muajin Marian po shumohen. Edhe Bazilika e Vatikanit ka një kalendar plot takime për t’i pritur dhe për t’i shoqëruar besimtarët gjatë kësaj periudhe. Takimi i parë fillon nesër, më 6 maj, me Rruzaren që do të thuhet çdo të shtunë të majit, në orën 21:00 në Sheshin e Shën Pjetrit. "Një çast tejet prekës " - pohon famullitari i Shën Pjetrit, Fra Agnello Stoia për Telepace-n, duke shpjeguar edhe mënyrat e kremtimit: "Kremtimi do të nisë me procesionin në mes të Sheshit,  do të vijojë gjatë kolonadës, e do të përfundojë në tremen e Bazilikës: figurja e Zojës do të niset  nga Harku i Kumbonëve, i ndjekur nga besimtarët me qirinj ndezur.

Prania e Kuries

Janë katër, takimet që do të kryesohen nga po aq përfaqësues të Kuries Romake:

nesër do të prijë Imzot Vittorio Francesco Viola, sekretar i Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve;

më 13 maj, kardinali Fernando Vérgez Alzaga, kryetar i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit;

më 20 maj, kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve;

më 27 maj, Imzot Edgar Peña Parra, zëvendës i punëve të përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit.

Gjatë një interviste, Fra Agnello Stoia e quan Majin e Zojës, kohë devocioni popullor dhe shpjegon hollësitë e këtij kremtimi  prekës.

Kohë e fortë për përkushtimin popullor

Nuk nevojiten bileta për të marrë pjesë - kujton - “Hyrja është falas: mjafton të mbërrish disa minuta më herët për të marrë qirinjtë” - vijon françeskani, duke nënvizuar se kjo zgjedhje është tipike për çdo vend të shenjtë. “Bazilika e Shën Pjetrit - vijon - është mbi të gjitha kishë, pra vend ku njeriu vjen për t’u lutur”. E sa nevojë ka sot për këtë! Për Fra Agnello-n, muaji Marian është kohë e fortë për devocionin popullor në të njëjtin nivel me kohët e forta të liturgjisë, ato që na përgatisin për misteret kryesore të Fesë, si Pashkët dhe Krishtlindjet. “Në këto çaste - shpjegon - vëmendja e popullit të Zotit përqendrohet tek një kërkesë vërtet e veçantë, tek nevojat e përditshme. E më e përditshmja është paqja! Natyrisht ne mendojmë për Marinë, Mbretëreshën e Paqes, dhe kërkojmë e kërkojmë paqen dhe ngushëllimin e të vuajturve”.

Adhurimi eukaristik

Në programin e festimeve ka edhe takime të tjera. Çdo të shtunë të majit, në orën 16:00, kalendari përfshin itineraret e lutjeve përpara ikonave Mariane, që ruhen brenda Bazilikës. Edhe në këtë rast, hyrja është e lirë.  Mund të shfrytëzohet edhe mundësia e përdorimit të të ashtuquajturës "hyrja e njerëzve që luten", e cila ju lejon të merrni një rrugë të ndryshme nga ajo e turistëve - duke sqaruar, në hyrje - përpara derës së Filaretes – se jeni aty për të marrë pjesë në lutjet para figureve.

Shënimi i fundit ka të bëjë me 9 majin: në orën 20:00 Adhurimi Eukaristik do të mbahet në tremen e Bazilikës, në përgatitje për audiencën e përgjithshme të së mërkurës, siç ndodh tashmë që nga marsi, çdo të martë të dytë të  muajit. “Faleminderës Zotit besimtarët po i përgjigjen mirë kremtimit të Majit të Zojës - përfundon Fra Agnello - e ne shpresojmë se do të jetë gjithnjë më i pasur edhe me pjesëmarrës”.

05 maj 2023, 12:19