Kërko

KARDINALI SCHERER KARDINALI SCHERER 

Kardinali Scherer: bujaria e besimtarëve, në mbështetje të Selisë së Shenjtë

Kardinali Odilo Pedro Scherer, kryeipeshkëv i Sao Paulos në Brazil dhe anëtar i Këshillit për Ekonominë, në një intervistë për Vatican News flet për situatën ekonomike të Selisë së Shenjtë dhe mbështetjen e besimtarëve nga e gjithë bota.

R. SH. - Vatikan

Këto ditë u mblodh në Romë Këshilli për Ekonominë, i krijuar nga Papa Françesku në vitin 2014 me detyrën e mbikëqyrjes së drejtimit ekonomik, të strukturave dhe veprimtarive administrative e financiare të Vatikanit. Në takim mori pjesë edhe kardinali Odilo Pedro Scherer, kryeipeshkëv i Sao Paulos në Brazil, anëtar i këtij organi.

E intervistuam:

Hirësi, çfarë po bën Këshilli i Ekonomisë?

Këshilli për Ekonominë është një nga organet e krijuara nga Françesku për mbarshtimin e pasurive dhe të ekonomisë së Selisë së Shenjtë, në shërbim të Sekretariatit për Ekonominë dhe të Atit të Shenjtë. Ka për detyrë të mbikqyrë çështjet ekonomike dhe në kryerjen e veprimtarive të organeve të ndryshme ekonomike të Selisë së Shenjtë, për t'u dhënë udhëzime dhe këshilla atyre, që më pas duhet të vendosin, d.m.th. Sekretariatit për Ekonominë dhe Atit të Shenjtë. Anëtarët e Këshillit të Ekonomisë mblidhen 4,5 herë në vit dhe çdo herë kanë një sërë çështjesh për t’i vlerësuar. Nga këto mbledhje dalin udhëzime, të cilat më pas i kalojnë Atit të Shenjtë. Nuk është Këshill ekzekutiv, gjë që i përket Sekretariatit për Ekonominë dhe organeve të tjera të mbarshtimit ekonomik të Selisë së Shenjtë. Këshilli i Ekonomisë ka për detyrë mbikëqyrjen dhe kontrollin e përgjithshëm të gjendjes ekonomike, administrative dhe financiare të Selisë së Shenjtë.

Dy fjalë për financat e Vatikanit?

Duhet thënë se Selia e Shenjtë nuk është ishull i lumtur në gjirin e një bote në krizë ekonomike. Edhe Selia Apostolike e ka të vështirë të përballojë nevojat e çdo dite, ndaj në fund të vitit buxheti është përgjithësisht në të kuqe ose gati-gati. Kjo situatë nuk është vetëm sot. Çka e ndihmon në çaste të vështira, ka qenë e është gjithnjë bujaria e besimtarëve, dhurimet e vogla apo të mëdha që vijnë nga besimtarët dhe nga organet e Kishës. E drejta kanonike kërkon që dioqezat nga e gjithë bota ta ndihmojnë Selinë e Shenjtë, veçanërisht kur ka shumë nevojë. E kjo funksionon. Vijnë donacione nga shumë dioqeza, të cilat e ndihmojnë gjithnjë Selinë e Shenjtë në çështjet ekonomike.

07 maj 2023, 10:57