Kërko

Kardinali Parolin Kardinali Parolin  (AFP or licensors)

Kard. Parolin: Misioni i Zuppit, jo për ndërmjetësim, por për hapjen e shtigjeve të paqes

Sekretari i Shteti të Vatikanit, Kardinali Parolin, gjatë një veprimtarie në Ambasadën Italiane pranë Selisë së Shenjtë, foli për nismën e paqes besuar nga Papa presidentit të CEI: tani për tani Moska dhe Kievi janë bashkëbisedues. Për përmbytjet në Emilia-Romagna, uroi që në të ardhmen "të tregohet kujdes më i madh ndaj territorit, për të shmangur këto tragjedi". Ndërsa, duke kujtuar shëndetin e Papës, i cili dje i anuloi audienca, sepse kishte ethe, qetëson: "Ai ishte shumë i lodhur që dje"

R. SH. - Vatikan

Nuk është mision me qëllim "ndërmjetësimi të menjëhershëm”, ky që Papa Françesku ia besoi kardinalit Matteo Maria Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i CEI (Konferencës Ipeshkvnore Italiane), për "uljen e tensioneve të konfliktit në Ukrainë". I vetmi bashkëbisedues për presidentin ukrainas Zelensky dhe atë rus, Putin, qëllimi i Zuppit është "të përpiqet, mbi të gjitha, të krijojë klimën e nevojshme, të favorizojë një mjedis, që mund të çojë në shtigjet e paqes". Kështu u shpreh Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, gjatë paraqitjes së librit të Imzot Dario Edoardo Viganò “Papët dhe media. Redaktimi dhe përdorimi i dokumentave të Piut XI dhe Piut XII për kinemanë, radion dhe TV-në” në Pallatin Borromeo, seli e Ambasadës Italiane pranë Selisë së Shenjtë. I pyetur nga gazetarët për hollësitë e misionit të Zuppit, kardinali shpjegoi se “mbeten ato, që u njoftuan në shënimin e Selisë së Shenjtë”. "Siç kujtohet nga shtypi dhe nga deklarata e Zelensky-t - shton ai - Kievi aktualisht nuk është i gatshëm të ndërmjetësojë në kuptimin e ngushtë të fjalës. Mirëpo, ky mision nuk ka për qëllim të menjëhershëm ndërmjetësimin. Synin ta krijojë këtë klimë dhe të japë ndihmën për të ecur drejt një zgjidhjeje paqësore”.

Moska dhe Kievi bashkëbisedues

“Tani për tani bashkëbiseduesit do të jenë Moska dhe Kievi, pastaj të shohim” - vijon Kardinali Parolin. Përsa u përket datave, shpjegon se e gjithë kjo është “duke u menduar”: “ndaj është ende herët për t’u thënë... Kjo varet edhe nga personi. E beson se nuk do të ketë probleme nga ana e dy kryeqyteteve për datat kur kardinali do të jetë gati për të shkuar,  mjafton të merren vesh”.

Sekretari i Shtetit pohon sërisht se është i “kënaqur” nga fakti se, siç u njoftua dje nga Ministria e Jashtme ruse, Moska “vlerëson pozitivisht” nismën e Papës për paqen. "Ne jemi të kënaqur që ekziston një vullnet i tillë edhe nga ana e Moskës për të pritur të dërguarin e Papës, por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me thelbin e misionit", shpjegon Hirësia e Tij.

Përmbytjet në Emilia-Romagna

Biseda më pas kalon tek një skenar krejtësisht tjetër, Emilia-Romagna, viktimë e përmbytjeve të dhunshme, që shkaktuan vdekje, lëndime dhe shkatërrim shtëpish e territoresh. Kardinali Parolin shpreh fjalë "afërsie" dhe "dhimbje" për atë që ndodhi: "pikëllim për viktimat, dhimbje për të dëmtuarit, që po jetojnë në situata shumë të vështira"- thekson me dhimbje Kardinali Parolin,  duke kujtuar në vijim se  se i mësoi nga ipeshkvijtë dhe priftërinjtë "vështirësitë me të cilat përballen njerëzit që humbën shtëpitë e tyre dhe u detyruan të zhvendosen". Më pas  kujton shpresën për rindërtimin dhe javët që do të vijnë: “Përveç kohës që bën ç’të dojë, dikush më thoshte se edhe kjo përmbytje erdhi edhe si pasojë e pakujdesisë. Prandaj duhet treguar vëmendje më e madhe për territorin, kujdes më i madh, pikërisht për të parandaluar tragjedi si kjo”.

Shëndeti i Papës

Dy fjalë edhe për shëndetin e Papës i cili “për shkak të etheve”, siç kujtoi zëdhënësi Matteo Bruni, dje nuk pati audienca. “Papa ishte i lodhur – shpjegon Parolin  - E djeshmja ishte ditë shumë e ngarkuar. Mbrëmë më thanë se ka takuar shumë njerëz në kuadër të takimit me Scholas Occurrentes e se ka dashur t'i përshëndesë të gjithë dhe ndoshta, në një çast, rezistenca është zhdukur”.

27 maj 2023, 12:11