Kërko

Kard. Grech: me lutjen e Rruzares në Sheshin e Vatikanit, Maria bëhet dritë për Kishën në rrugëtim

Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit kardinali Grech reflekton rreth pjesëmarrjes së madhe të besimtarëve në lutjet e së shtunës në mbrëmje të organizuara nga Bazilika e Vatikanit në këtë muaj maj. "Sot ka nevojë për spiritualitet dhe religjiozitet popullor: procesionet dhe tubimet ushqejnë ndjenjën e komunitetit"

R.SH. – Vatikan

Takimi i katërt dhe i fundit, të shtunën e ardhshme më 27 maj, me procesionin dhe lutjen e Rruzares shenjte në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan gjatë muajit maj  kushtuar nderimit dhe devocionit të Virgjrës Mari. Kësaj here lutjen do ta udhëheqë Imzot Edgar Peña Parra, zëvendës i punëve të përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Shpresojmë që për këtë rast të jetë edhe moti i mirë, në krahasim me shiun që kërcënoi disa takime lutjeje si ai i së shtunës së kaluar, që u kryesua nga kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit. Besimtarët e përballuan këtë vështirësi dhe e pranuan ftesën”, thotë kardinali maltez Grech. "Atë mbrëmje - shton ai - i telefonova kardinalit Gambetti, vikar i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit, për të pyetur nëse Rruzarja ishte ende në program për tu mbajtur apo ishte anuluar për shkak të motit të keq".

Feja dhe devotshmëria popullore

Kardinali Grech përsërit se ishte vërtet një përvojë e bukur të shihje kaq shumë njerëz të mbledhur në lutje rreth Zojës së Bekuar. "Një moment simbolik," thotë ai. “Duke i parë njerëzit nga oborri i Kishës me qirinj të ndezur gjatë natës duke u lutur, mendova pikërisht këtë: Maria është edhe sot shtyllë drite për Kishën që është në rrugëtim”. Pjesëmarrja e besimtarëve në rritje në lutje është një fakt për të cilin ia vlen të reflektohet. Ndoshta konfirmon nevojën e spirtualitetit që kanë kaq shumë gra dhe burra të kohës sonë? “Jo vetëm kaq”, përgjigjet kardinali: “Sot ka nevojë edhe për religjiozitet dhe devotshmëri popullore. Fatkeqësisht – vëren ai – ne ndonjëherë e shikojmë fenomenin e përshpirtërisë popullore me një sy disi negativ. Megjithatë, feja popullore, procesionet, momentet e takimit  në lutje kanë një kuptim të thellë sepse e ushqejnë këtë ndjenjë të bashkësisë, të popullit të Zotit që ecin së bashku”.

Zoja e Bekuar e Ta' Pinu

Kardinali Grech nuk e fsheh krenarinë e tij për ikonën e vogël mariane që mban pranë. “Është Zoja ime”, pohon duke shpjeguar se është një imazh i Zojës së Bekuar nga Ta' Pinu që ruhet brenda Shenjtërores kombëtare në ishullin Gozo, në Maltë, të cilën Papa Françesku e vizitoi më 2 prill 2020 gjatë shtegtimit të tij apostolik në Maltë. “Është një vend shumë i dashur për maltezët,” nënvizon kardinali Grech. "Edhe unë kam jetuar pranë Virgjrës Mari të Ta' Pinu, prandaj - rrëfen ai - e vura shërbimin tim nën mbrojtjen e saj amnore".

Lutjet në mbarë botën

Në vazhdën e kërkesave të Papës Françeskut për intensifikimin e lutjeve drejtuar Zojës Bekuar për paqe, muajt e fundit sekretaria e përgjithshme e Sinodit ka kontaktuar me të gjitha dioqezat e botës, duke i ftuar ato që të organizojnë momente lutjeje për paqe në Shenjtëroret kombëtare Mariane gjatë këtij muaji maj. “Isha shumë i befasuar nga reagimet dhe iniciativat shpirtërore e fetare që ipeshkvijtë kanë marrë në dioqezat e tyre kudo”. Kardinali Grech kujton veçanërisht thirrjen për 31 majin, ditën e festës së Pasisë a Vizitës së Virgjrës Mari te Elizabeta: “Ka shumë aktivitete të programuara për këtë të kremte”, nënvizon ai.

Në përgatitje për Sinodin

Kardinali Grech përmend edhe takimin e fundit me Papën që pati më 22 maj. “Si gjithmonë – thotë ai – Françesku është shumë i kujdesshëm për vazhdimin e përgatitjes që po bëjmë në funksion të Sinodit të Kishës”. Hapja e asamblesë sinodale, e programuar për datën 4 tetor të ardhshëm, do të paraprihet më 30 shtator nga një vigjilje lutjeje ekumenike në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe një tërheqje shpirtërore.

25 maj 2023, 16:57