Kërko

Conchita Barrecheguren Conchita Barrecheguren 

Granada, e reja Maria Conchita është e Lume: "Dashuria ime do të jetë Zoti i kryqëzuar"

Në Katedralen Metropolitane të qytetit të Andaluzisë, në Spanjën jugore, Mesha e Lumnimit të Maria de la Concepción (Conchita) Barrecheguren, kryesuar nga kardinali Marcello Semeraro. “Maria Conchìta na la fryte të begata - tha në predikimin e tij prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve - sepse jetoi e bashkuar me Krishtin edhe në orët më të errëta të sprovës”, duke ndriçuar gjithçka me urtinë e me dritën e Kryqit.

R. SH. - Vatikan

Prania e Zotit, në ligështinë njerëzore: në fragmentin shkëputur nga Letra dytë drejtuar Korintasve, leximi i parë i Meshës me ritin e lumnimit të Maria de la Concepción (Conchita) Barrecheguren, kremtuar në Katedralen e Granadës, apostulli Pal i krahason të krishterët me një enë balte, por - pohoi kardinali Marcello Semeraro në predikimin e tij - në këtë enë balte, që jemi ne, ka një thesar të çmuar. Është Krishti". Prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve e nisi kështu predikimin, kushtuar të Lumes së re, me jetë të shkurtër, por intensive të krishterë, dëshmi e qartë i këtij "paradoksi". Vërtet enë balte! Në të, megjithatë, u përmbush ajo që shkruan Apostulli: 'Të vuajtur nga të gjitha anët, por jo të dërrmuar, të shqetësuar, por jo të dëshpëruar… duke e mbartur vdekjen e Jezusit gjithmonë dhe kudo në trupat tanë, në mënyrë që ta pasqyrojmë kudo e kurdoherë jetën e Jezusit edhe në trupat tanë".

Me Krishtin edhe në orët më të errëta të jetës

Më pas, kardinali rrëfeu jetën e Maria Conchita-s: “Lindi në Granada, më 27 nëntor 1905 nga bashkëshortë, të cilëve nuk u mungonin pasuritë materiale e, sidomos, ato shpirtërore. I ati, Francisco, si mbet i vejë, hyri në kuvendin e rregulltarëve Redentoristë e, pas vdekjes, u shpall “I Nderuar”. "Edukimi fetar i marrë nga prindërit e saj - vazhdon kardinali – e mësoi Konçitën të pranonte me qetësi dhe gëzim vështirësitë e shumta të shkaktuara nga një shëndet gjithnjë i ligësht e i rrezikuar". Ndërsa Sakramentet, e në veçanti kungimi dhe kushtimi i përditshëm Virgjërës Mari, e mbështeten në rrugën e vështirë të jetës. Provoi, kështu, se kush mbetet në Jezusin, jep shumë fryt. "Maria Conchita - kujtoi prefekti - dha fruta të bollshme, sepse ishte gjithmonë e bashkuar me Krishtin dhe nuk u shkëput kurrë prej Tij, madje edhe në orët e errëta të sprovës. Sepse iu desh të përballojë fatkeqësi njerëzore shumë më të mëdha se forcat e saj të ligshta, si sëmundja mendore e nënës, mundimet fizike dhe, në fazën e fundit të jetës tokësore, vuajtjet e shkaktuara nga tuberkulozi”.

Ligështi e pranuar dhe e jetuar në solidaritet

 Maria Conchita e pranoi brishtësinë e vet, si pjesë të përmasës njerëzore dhe, si e tillë "vuajtje që na sfidon" dhe kërkon përgjigje për Zotin e mishëruar", i cili e shndërron brishtësinë njerëzore në dashuri dhe vëllazërim.  

Mbështetje e plotë dhe e besueshme te Zoti

"Dashuria ime do të jetë Zoti i kryqëzuar; lutja, ushqimi im; forca,  Eukaristia", shkruante Maria Cochita e cila - kujtoi Kardinali Semeraro- sot "bëhet model imitimi për të gjithë ne". "E sidomos - përfundoi prediktari – për ata, që janë në vuajtje dhe sprovë, e Lumja Maria Conchita, me dhurimin e jetës së saj të re, të shkurtër dhe me besimin e plotë në Zotin, tregon se si bashkimi me Krishtin, Dashurinë e kryqëzuar, i shndërron jetët më të ndërlikuara dhe më e vështira”.

Na la trashëgim dëshirën që edhe "Dashuria jonë, të jetë Zoti i kryqëzuar".

06 maj 2023, 13:48