Gallagher: solidariteti është udhë e privilegjuar drejt paqes
R.SH. – Vatikan
Mbështetur mbi dy citime të poetit metafizik anglez John Donne, fjalimi i mbajtur dje, 29 maj, nga imzot Paul Richard Gallagher, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat ndërkombëtare, në Bratislavë, në takimin GLOBSEC, platforma shumëpalëshe më e rëndësishme për sigurinë, ngul këmbë mbi faktin se “vetëm solidariteti mund të sjellë paqe të qëndrueshme”.
Të gjithë jemi të lidhur, afërsi me ata që jetojnë në luftë
Prelati shprehu afërsinë shpirtërore me viktimat e konfliktit në Ukrainë dhe në zona të tjera të luftës, në mbarë botën. Përmendi në veçanti Somalinë, Afganistanin, Republikën Demokratike të Kongos dhe Jemenin: janë pesë vendet kryesore, në raportin Emergency Watchlist të këtij viti, që konsiderohen më të prekura nga krizat e shkaktuara nga konfliktet e armatosura, ndryshimet klimatike dhe trazirat ekonomike. Theksoi konceptin se qeniet njerëzore janë të ndërlidhura dhe secili është themelor për mbijetesën dhe harmoninë e sistemit në tërësi. Poeti i erdhi në ndihmë imzot Gallagher me metaforat e tij gjeografike dhe trupore: “Evropa si kontinent do të bëhej akoma më e vogël, nëse deti do ta mbulonte këtë copëz tokë të parëndësishme”. Me pak fjalë, nëse një pjesë vuan, të gjithë të tjerët vuajnë, përsëriti imzot Gallagher, dhe "çdo vdekje sjell zvogëlimin e identitetit kolektiv".
Solidariteti është ndjenja e përkatësisë në familjen njerëzore
Solidariteti është “ndjenjë e vërtetë përkatësie në këtë familje të madhe njerëzore, mirëqenia e përgjithshme e së cilës varet nga mirëqenia e secilit prej nesh në çdo anë të botës”, theksoi Sekretari. Ai është empatia, që lind nga vetëdija se secili ndjen në vetvete atë që ndjejnë dhe përjetojnë edhe të tjerët; secili merr përsipër përgjegjësinë për të mirën e përbashkët njëlloj si të tjerët; secili duhet t’i ndihmojë të tjerët të arrijnë të mirën më të madhe, që nuk mund të arrihet vetëm nga një individ; secili respekton dallimet ndërmjet popujve, identifikohet me të tjerët dhe i ka parasysh nevojat e tyre. Nuk duhet të bëjmë asnjë dallim mbi bazën e statusit shoqëror, të fesë apo racës, shtoi imzot Gallagher, sepse të gjithë "janë të ngjashëm me ne, me të njëjtin dinjitet njerëzor".
Sistemet e bazuara mbi egoizmin nuk janë të qëndrueshme, përfundoi imzot Gallagher, duke kujtuar thirrjen për paqe dhe drejtësi të Papës Gjoni XXIII në vitin 1963, në mes të Luftës së Ftohtë, si edhe 26 rastet kur Papa Françesku përdor fjalën “solidaritet”, në enciklikën “Fratelli tutti”. Ky solidaritet është virtyt, që duhet promovuar në të gjitha nivelet, nga prindërit, mësuesit dhe komunikatorët.