Kërko

Ndihma për thirrjet meshtarake Ndihma për thirrjet meshtarake

Thirrjet meshtarake në rritje në Afrikë e Azi, lulëzojnë ndër autoktonët

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë paraqiti Mesazhin e Papës Françesku për Ditën e 60-të të Lutjes kushtuar thirrjeve në meshtari e në jetën rregulltare, që kremtohet të dielën, më 30 prill. Imzot Renna: në Evropë po vuajmë pak për thirrjet; baritoria rinore dhe ajo vokacionale duhet të integrohen më shumë

R.SH. – Vatikan

         Edhe pse Kontinenti i Vjetër vuan nga rënia e thirrjeve në meshtari e në jetën rregulltare, ka rajone të tjera të botës ku ato shtohen vazhdimisht: veçanërisht në Afrikë, Azi dhe në disa rajone të Amerikës Latine, sidomos në Brazil. Sfida para Kishës është bashkimi i baritorisë rinore me atë vokacionale, për të arritur atë, që tashmë duket qartë sidomos në gjirin e autoktonëve, ku kanë lulëzuar shumë thirrje. Statistikat u paraqitën sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, në konferencën për të bërë të njohur mesazhin e Papës Françesku për Ditën e 60-të Botërore të Lutjes kushtuar Thirrjeve, me temë: “Thirrja: hir dhe mision”, që kremtohet të dielën, më 30 prill.

Nevoja për një Kishë mikpritëse

Konferencën e hapi kardinali Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit për Klerin, i cili kujtoi se themelimi i Ditës së Lutjes për thirrjet ishte intuitë profetike e Shën Palit VI, gjatë Koncilit II të Vatikanit. Kardinali nënvizoi nevojën që bashkësia e krishterë, në larminë e karizmave të saj, të bëhet "vend mikpritës, që nuk përjashton kurrë, që nuk e pengon fantazinë e Shpirtit Shenjt, por i ndihmon të gjithë të zbulojnë thirrjen e tyre të veçantë. Detyrë - saktësoi ai - që kërkon angazhimin e laikëve dhe të barinjve të Kishës”. Kreu i dikasterit nënvizoi se Kisha duhet të shoqërojë, të mbajë për dore, të bëhet e afërt me udhën e çdo njeriu. I pyetur nga një gazetar si ka ndryshuar figura e meshtarit me Françeskun, kardinali u përgjigj duke kujtuar vizitën e Papës në Kore, në vendin e tij: atje, mund të shihet nga afër cili është “modeli” i meshtarit, që frymëzon Papa Bergoglio: prift, që nuk krijon shqetësime, vërejti kardinali You Heung-sik.

Shtimi i thirrjeve në Afrikë dhe Azi

Imzot Andrés Gabriel Ferrada Moreira, sekretar i Dikasterit për Klerin, nënvizoi dy aspekte të Mesazhit të Papës: para së gjithash, kujtimin e përvojës personale të thirrjes së Papës, më 21 shtator 1953, kur pati ndjerë dëshirën për t’u rrëfyer. Prej andej nisi udha e tij meshtarake. Aspekti tjetër ka të bëjë me temën “Thirrja: hiri dhe misioni”, e njëjtë me atë të Konferencës së Ipeshkvijve Brazilianë, zgjedhur për një rrugëtim 3-vjeçar. Vitin e kaluar, me rastin e vizitës “ad limina” të ipeshkvijve, Papës i bëri shumë përshtypje dhe e caktoi për Ditën e Thirrjeve. Imzot Moreira vuri në dukje se në Afrikë dhe në Azi, në disa rajone të Brazilit dhe të Amerikës Qendrore, thirrjet janë aktualisht në rritje. Ndërsa imzot Simone Renna, zv.sekretar i të njëjtit Dikaster, saktësoi se në Evropë ato janë në ulje. Gjithashtu, ai sqaroi se kanë filluar të lulëzojnë thirrjet ndërmjet indigjenëve, aty ku dikur misionarët shkonin për të ungjillëzuar.

Bashkëpërgjegjësi meshtarë, rregulltarë, laikë

Imzot Renna propozoi të përdoret mesazhi për një mbrëmje lutjeje për thirrjet, ose në grupet e katekizmit, në grupet rinore, në ata, që përgatiten për martesën dhe familjen, si dhe nëpër seminare. Gjithashtu, ai mund të bëhet i njohur përmes faqeve të internetit dhe kanaleve shoqërore të bashkësive kishtare. Nëpunësi i Dikasterit, Eamonn Mclaughlin, nga ana e tij, shpjegoi se do të ishte mirë që në çdo famulli të caktohej një person (meshtar, rregulltar, ose laik) ose një grup besimtarësh si përgjegjës për promovimin e baritorisë së thirrjeve.

26 prill 2023, 15:49